“Fillimisht infrastruktura, sezonin tjetër për elitën”. Besa, kryebashkiaku zbret në fushë me 2.5 milionë premio
Besa së fundmi kanë marrë 3 fitore rresht, madje me bollëk golash. Kavajasit kanë shënuar 9 dhe kanë pësuar vetëm 2 në këto tri sfida. Në radhët e Besës, mbi 80% të lojtarëve kanë agjëruar gjatë gjithë muajit të madhnueshëm të Ramazanit.
Duket se krahas djersës, edhe besimi i ka dhënë një dorë Besës në këto fitore. Në ditën e fundit të agjërimit, kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, i shoqëruar nga Presidenti Nexhat Bizhdili, ka befasuar lojtarët dhe stafin me një vizitë blic të paparalajmëruar, ndërkohë që ata po stërviteshin. Në këtë vizitë, ai nuk kishte ardhur “duarbosh”, por u shpërndau në emër të Bashkisë një premio simbolike prej 250 mijë lekësh të reja për fitoren e fundit të arritur në Burrel. Me këtë rast ai ka mbajtur një fjalë të shkurtër përshëndetëse para lojtarëve e stafit, ku mes të tjerash ka cituar:
”Që ditën e parë që mora detyrën, u kam premtuar kavajasve se Besa do të ketë vëmendjen dhe kujdesin tim. Siç e dini, ka nisur edhe prishja pjesë-pjesë e stadiumit të vjetër. Jam këtu për t’u përsëritur edhe njëherë, se jam i gatshëm t’u plotësoj çdo nevojë që ekipi ka dhe do ketë, në funksion të rezultateve tuaja pozitive. Më vjen mirë që keni fituar 3 takimet e fundit dhe për këtë kam vendosur një premio simbolike për ju, për suksesin në Burrel. Edhe aneksi stërvitor ku ju jeni sot ka ndryshuar tërësisht fytyrë, e po ashtu edhe ambientet e brendshme. Unë ju garantoj se do të jem gjithnjë në përkrahjen e mbështetjen tuaj duke ditur ndershmërinë, dashurinë, nostalgjinë, që bashkëqytetarët tanë kanë për Besën.
Mos harroni se mbani veshur një fanellë tepër të rëndë e me histori, që pavarësisht momentit, shumë shpejt do bëjmë gjithçka, duke nisur fillimisht nga infrastruktura e bashkë me të do të formatojmë edhe një grup cilësor futbollistësh, që sezonin tjetër të kemi objektiv të qartë e të vetëm rikthimin në Superiore”. Pas seancës së djeshme, futbollistët janë lënë të lirë për të festuar Bajramin e Madh.
FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"