Fierakët besojnë deri në fund për Superioren. 5 ndeshje pa humbje, kjo është Apolonia më e mirë e sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2024 | 17:30

Fierakët besojnë deri në fund për Superioren. 5 ndeshje pa humbje, kjo është Apolonia më e mirë e sezonit

Muaji mars rezultoi pozitiv për Apoloninë, pasi grumbulloi 9 pikë nga 15 të mundshme. Dy fitore, tri barazime dhe asnjë humbje, rezultate që e kanë futur klubin fierak në shinat e duhura. Distanca me vendin e katërt, që në “play off” ka në favor faktorin fushë dhe pranimin e dy rezultateve, është vetëm pesë pikë. 

Apolonia grumbull 9

Skuadra e drejtuar nga trajneri Artan Mërgjyshi në 450 minuta ka shënuar 6 gola dhe ka pësuar 3, ndonëse ka luajtur me ekipe të forta si Flamurtari, Korabi, Lushnja dhe Kastrioti. Apolonia do të besojë deri në javën e fundit për të arritur Superioren, edhe pse mundësia e vetme është përmes “play off”-it. Rezultatet e javëve të fundit kanë rritur ndjeshëm besimin se mund t’ia dalin edhe pse për hir të së vërtetës gjithçka është malore.

Thuhet kështu, pasi rivali më i afërt për t’u arritur është pesë pikë larg, në një kohë kur në lojë kanë mbetur edhe 18 të tilla. Gjithsesi, për aq kohë sa matematika dhe shpresat i mbajnë në lojë, ekipi i drejtuar nga Artan Mërgjyshi do t’i bëjë hyzmetin deri në fund.

Momenti i mirë- Duket si ironi e fatit, por ky është momenti më i mirë që po kalon Apolonia këtë sezon. Këtë e thonë edhe shifrat, që japin besim për vazhdimësinë. Pesë ndeshje radhazi pa humbje, Apolonia nuk i kishte bërë për asnjë moment këtë edicion, edhe pse duhet pranuar se një triumf ka ardhur ndaj Tomorit të vendit të fundit. Për të vijuar me dy barazime radhazi në transfertë, që Apolonia nuk e kishte provuar asnjëherë këtë sezon. Fierakët po kalojnë momentin më të mirë, vetëm se tani u duhet të vazhdojnë me këtë ritëm deri në fund.

Ndalohen gabimet- Nëse deri dje vendi i 4-t ishte “utopi”, sot është më se i arritshëm. Apolonia nuk ka luksin të bëjë më gabime, veçse i mbetet të ruajë këtë seri rezultatesh pozitive. Ndryshe nga rivalët e tjerë mbi ta që mund të bëjnë ndonjë hap fals, në kampin fierak kjo gjë është e ndaluar. Këtë javë fierakët luajnë ndeshjen më të rëndësishme të sezonit në shtëpi me Vorën, e vendit të 4-t, ku mjafton një humbje për të venitur një herë e mirë shpresat për t’u ngjitur lart në renditje dhe zhbërë gjithë ndeshjet e mira.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"