Festoi me fitore prezencën jubilare te Juventusi, Kieza: Për titullin flasim në… mars

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2023 | 23:55

Festoi me fitore prezencën jubilare te Juventusi, Kieza: Për titullin flasim në… mars

Të martën ndaj Leçes festoi prezencën e 100-të si lojtar i Juventusit. Për 90 minuta flirtoi me golin, pa mundur ta gjejë, megjithatë në këtë fillimsezoni është një nga liderët e Juves.

Kieza

Me paraqitje dhe gol, Federiko Kieza është gati të udhëheqë ekipin drejt objektivave të mëdhenj siç e ka vërtetuar edhe në një intervistë të dhënë për televizionin e klubit bardhezi.

Përse në disa ndeshje, si së fundmi ndaj Leçes, i vuani kaq shumë pjesët e para?

Ndaj Sasuolos nuk ishim keq në pjesën e parë dhe golin e pësuam për gabimin tonë. Kjo na destabilizoi dhe e analizuam atë proces në stërvitjet para Leçes. Sivjet po kërkojmë më shumë presionin e ndoshta me Leçen ishim pak të lodhur, por qëllimi është të përmirësohemi. Edhe unë do të shoh rastet e humbura të martën për të kuptuar ku kam gabuar. Sidoqoftë, u treguam solidë në mbrojtje dhe mbajtëm avantazhin deri në fund, çka na solli fitoren.

Sidomos në pjesën e parë të ndeshjes, mos po mendonit pak për ndeshjen e fundit kundër Sasuolos?

Po, le të themi se në pjesën e parë ndoshta ka pasur pak rënie nga ndeshja e fundit, sepse gjithsesi kishim luajtur tri ditë më parë. Por ne e analizuam ndeshjen dhe në 20 minutat e para mendoj se bëmë një ndeshje të shkëlqyer siç po bëjmë në këto të fundit. Duam të luajmë këtë futboll modern, siç kërkon edhe trajneri nga ne.

Ajo e Sasuolos, siç thashë, ishte një ndeshje e përbërë nga gabime individuale, por ndaj Leçes në pjesën e dytë sollëm në shtëpi gjithsesi tri pikë. Ishte një provë pjekurie e skuadrës, duke kuptuar momentin dhe duke sjellë në shtëpi një fitore thelbësore.

Në sulm keni shumë konkurrencë…

Unë mundohem të jap më të mirën dhe fatmirësisht nuk po kam probleme fizike, siç edhe shihet, në fushë. Jam shumë i kënaqur, sepse kisha shumë kohë që nuk luaja dy ndeshje të plota në tri ditë. Kam folur shpesh me trajnerin për të interpretuar sa më mirë rolin dhe uroj të fitojmë sa më shumë ndeshje tani e tutje.

Meqë folët për futboll modern, në cilat karakteristika ndiheni më të avancuar dhe çfarë duhet të përmirësoni?

Në këtë fillim të kampionatit kemi treguar se futbolli modern ka të bëjë me presing, jo të presim kundërshtarin, por është gjithashtu e vërtetë që ndonjëherë jo të gjithë jemi në formë maksimale. Nuk mund të bësh presion gjithmonë, të jesh proaktiv, por ne po ecim me dëshirë në këtë rrugë, në këtë futboll modern. Me të drejtë duhet të flasim brenda ndeshjes, të kuptojmë situatat, të jemi më të ekuilibruar dhe të mos bëjmë atë që bëmë kundër Sasuolos.

Me largimin e lojtarëve të mëdhenj, a mendoni se keni përgjegjësi shtesë?

Kur luan me këtë fanellë, ke përgjegjësi. Jemi Juventusi, një histori e madhe, e përbërë nga tituj, Liga Kampionesh dhe gjithçka që ky klub ka fituar, kështu që kur e vesh këtë fanellë, përgjegjësia është e madhe shumë. Dhe sido që të jetë, brenda dhomës së zhveshjes kemi lojtarë me lidership të madh, duke filluar nga kapiteni e deri te më të rinjtë. Sidoqoftë, jemi një ekip që e nisëm me shumë entuziazëm këtë vit dhe ne duam të përmirësohemi, të arrijmë në katër vendet e para, sepse do të na lejonte të luajmë Ligën e Kampionëve vitin e ardhshëm.

Vetëm vendi i katërt apo synoni diçka më shumë?

Jemi në një linjë me atë që thotë trajneri, të gjithë po ecim në të njëjtin drejtim, vendi i katërt është objektivi i vërtetë, por më pas do të shohim. Jemi Juventusi dhe në mars do të shohim, duhet të qëndrojmë afër vendeve të para dhe në fund do të shohim se ku mund të arrijmë, por në këtë moment objektivi kryesor është vendi i katërt.

Mund të na thoni në mbyllje diçka për ato që u thanë në verë për largimin tuaj?

Mora një telefonatë nga drejtori, folëm me njëri-tjetrin, diskutuam gjërat, thamë të bënim një fazë të madhe stërvitore dhe këtë bëra, nuk mendova për merkaton, por vetëm që të kthehesha në formë, çka është edhe gjëja themelore.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"