Festa e titullit në derbi, ja 5 lojtarët e Interit që do e shijojnë dyfish

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2024 | 22:49

Festa e titullit në derbi, ja 5 lojtarët e Interit që do e shijojnë dyfish

Interi është vetëm një hap larg yllit të dytë në fanellë, por çdo lojtar i zikaltërve driblon pyetjen që i bëhet se çfarë shije do të kishte fitorja e titullit kampion përballë Milanit në një “San Siro” të mbushur plot me kuqezinj. Sigurisht që do të ishte diçka historike dhe e bukur edhe për vetë lojtarët, pavarësisht se nuk duan ta shprehin publikisht. Megjithatë, disa prej tyre kanë një dëshirë të çmendur për të fituar në mbrëmjen e 22 prillit, teksa zikaltërve u nevojitet vetëm fitorja për t’u kurorëzuar matematikisht në derbi. 

inter inzagi asllani sancez

AÇERBI- Mbrojtësi italian nuk ishte pjesë e skuadrës së Kontes dhe në moshën 36- vjeçare do të fitonte titullin e parë dhe për më tepër si protagonist pasi e larguan nga Lacio. Në të shkuarën e tij ka pasur disa muaj si milanist, por që nuk ishin për t’u mbajtur mend. I ati i tij u nda nga jeta në atë kohë dhe e vuajti shumë. “Ai ishte personi për të cilin luaja futboll, sepse mua nuk më interesonte fare”, tregon mbrojtësi. Në vitin 2012, ai ende nuk e dinte se çfarë do të bënte në të ardhmen. Një shans i humbur, nga një person që arriti të mposhte edhe tumorin në testikuj. Në vitin 2022 u sulmua nga tifozët e Interit për buzëqeshjen në sfidën kundër Milanit për golin e shënuar nga këta të fundit në limite. Të triumfojë pas 11 ditësh, me 2 vite distancë nga ajo mbrëmje do të ishte maksimumi.

ÇALHANOGLU- Hakan për milanistët është “armiku”. Ai ndryshim i fanellës në verën e vitit 2021 nuk është pritur mirë dhe nuk ia kanë falur. Dhe pasi Milani fitoi titullin një vit më vonë, shumë kore ishin për “tradhtarin”. Ai uli kokën dhe punoi shumë, duke u bërë edhe një organizator me 5 yje. Nuk u tremb kur goditi penalltinë ndaj ish-skuadrës së tij dhe duke udhëhequr popullin zikaltër në shumë beteja. Tifozët interistë e adhurojnë. Pas fitores kundër Udinezes, Çalha nuk e kaloi vijën e kuqe. “Nëse fitoj titullin në derbi nuk do të ketë ndonjë shije speciale apo të veçantë. I uroj më të mirën ishshokëve të mi. Dua thjesht ta fitoj dhe s’ka rëndësi kur. Sa më shpejt t’i mbyllim llogaritë aq më mirë është”, tha Hakan. Thellë thellë edhe ai kërkon të festojë përpara ishshokëve të skuadrës.

DIMARKO- Për Federikon mbyllja e llogarive në shtëpinë e Milanit do të kishte një shije speciale sepse që kur ka lindur ai ka qenë interist. Një tifoz ultras i zikaltërve që nuk i ka fshehur kurrë emocionit. Një lojtar që po kalon momentin më të mirë të karrierës dhe ka fituar titullin kampion me të rinjtë e Interit në vitin 2015 dhe ka luajtur në disa skuadra si Askoli, Sion, Empoli dhe Parma. E majta e tij është e hidhur dhe kundërshtarët e dinë mirë. Me Interin e Kontes luajti vetëm 3 ndeshje dhe u huazua te Verona e Juriçit. Aty i ndryshoi jeta dhe karriera. Dhe sigurisht që ky titull për të është i rëndësishëm dhe kundër Milanit do të ishte si qershia mbi tortë.

LAUTARO- Kapiteni i Interit i ka shënuar disa herë Milanit, madje edhe në gjysmëfinalet e Championsit në sezonin e kaluar. Si lider dhe flamur i skuadrës e di shumë mirë se çfarë kënaqësie do të ishte për tifozët një titull i fituar ndaj rivalëve të përjetshëm. Edhe sepse Lautaro nuk e ka harruar ende atë penallti të pritur nga Tatarushanu në 7 nëntorin e vitit 2021 që do t’i çonte zikaltrit -4 pikë nga kushërinjtë. Tani “El Toro” e di që ka shumë armë për t’i bërë keq Milanit.

TURAM- Nëse Interi ka fituar dhe ka dominuar 5 derbi nga 5 në vitin 2023 meritë ka edhe Markus Turam, që në sfidën e parë la gjurmë duke qenë protagonist absolut. Ai që në verë ishte një hap larg kalimit te Milani, skuadër për të cilën bënte tifo që kur ishte fëmijë. E bënte për të sfiduar babanë që luante me Juventusin. Por zgjedhja për të luajtur me Interin sigurisht që nuk e ka penduar fare.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

 

Llogaritë e titullit/ Nuk ka ndodhur kurrë më parë, ja si shpallet Interi kampion në derbin ndaj Milanit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"