“Falë golit tim morëm barazimin ndaj Skënderbeut”, sulmuesi i Besëlidhjes: Tani që u kthyem në “shina”, harrojini gabimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2022 | 11:57

“Falë golit tim morëm barazimin ndaj Skënderbeut”, sulmuesi i Besëlidhjes: Tani që u kthyem në “shina”, harrojini gabimet

Pasi “shtangu” Skënderbeun në transfertë, në Lezhë tashmë duan fitoren në shtëpi. Presin Burrelin sot në orën 14:00 dhe llogaritë bëhen vetëm për maksimumin e pikëve. Vetëm kështu mund të konsolidojnë pozitat në renditje.

Collage Maker-29-Oct-2022-11.54-AM

Besëlidhja ka mbyllur përgatitjet dhe është zyrtarisht gati për javën e 8-të. Nën drejtimin e Hasan Hoxhës tashmë, skuadra ka marrë porositë finale dhe nuk i mbetet pjesë veçse që të zbresë në fushë për ta luajtur këtë 90-minutësh. Protagonisti i pikës së marrë në Korçë, beson te triumfi.

Icaro Nunes thekson se skuadra e ka forcën e duhur për të kaluar çdo kundërshtar. Braziliani ka shumë të ngjarë që ta nisë nga stoli këtë ndeshje, e megjithatë ka dëshmuar që di ta bëj diferencën edhe kur nuk është titullar.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi 24-vjeçar thotë: “Rezultatet negative që kishin për tri javë radhazi, na ulën në pozicion mjaft të vështirë, në zonën e kuqe të renditjes. Por, u kthyem në ‘shina’ shpejt. Pas fitores me Orikun dhe barazimit me Skënderbeun, tashmë jemi në vendin e 10-të dhe disi më të qetë. Ndeshja në Korçë tregoi se Besëlidhja aksidentalisht ra në fundin e tabelës. Ne me pak kujdes edhe mund ta kishim fituar atë transfertë. Gjithsesi, barazimi ishte i mjaftueshëm dhe jemi të lumtur. Edhe pse në disavantazh, ne nuk u dorëzuam dhe gjetëm golin. Jam mjaft i gëzuar që goli im na dhuroi një pikë mjaft të rëndësishme. Dua të falënderoj të gjithë ekipin që luftoi deri në fund për të mos e zhvlerësuar golin tim. Tani jemi gati për Burrelin. Duhet fituar me patjetër dhe jam i bindur se do t’ia dalim. Ekipi është 100% i plotë dhe nëse luajmë si me korçarët, as që vihet në diskutim fitorja. Ndaj na duhet mobilizim total dhe grintë në arenën tonë”, u shpreh autori i dy golave me lezhjanët.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"