Europiani nga afër, ja sa i kushton një tifozi kuqezi që të shikojë ndeshjen me Italinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2024 | 23:31

Europiani nga afër, ja sa i kushton një tifozi kuqezi që të shikojë ndeshjen me Italinë

Kombëtarja shqiptare do të marrë pjesë në një turne të rëndësishëm si kampionati Europian që do të zhvillohet këtë qershor në Gjermani, duke i dhënë mundësinë tifozëve të përjetojnë të paktën tri 90- minutësha emocionues, në përballjet me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën. Gjithsesi, jo të gjithë tifozët kuqezi kanë siguruar një biletë për në stadium me shorteun që u hodh nga UEFA gjatë muajit janar, sepse përparësi morën ata persona që jetojnë në vendin organizator, në këtë rast Gjermania.

tifozat kuqezi

Por, asgjë nuk ka mbaruar sepse shanset janë ende që Kombëtaren tifozët ta ndjekin nga afër, edhe pse në këtë rast me një kosto pak më të lartë. Normalisht jo të gjithë kanë mundësi për një udhëtim të tillë, megjithatë në faqe të ndryshme interneti ka një numër të vogël biletash që janë në shitje, sidomos për ndeshjen Shqipëri-Itali. Me vëzhgimin që “Panorama Sport” ka realizuar, kostoja për të ndjekur ndeshjen e parë të Kombëtares shkon 770 deri në 820 euro. Kjo llogaritje vlen për një tifoz i cili jeton në Shqipëri dhe duhet të marrë parasysh rezervimin e një bilete avioni, një natë qëndrimi në hotel, një biletë stadiumi dhe koston e ushqimit.

KOSTOJA MESATARE – Që në momentin që Shqipëria mësoi shortin i cili përcaktoi qytetin, datën dhe kundërshtarët, një trend rritjeje pasoi në çmimet e biletave të avionit me nisje nga Tirana. Aktualisht një biletë avioni vajtje-ardhje kushton minimumi 250 euro për në ato data. Një biletë stadiumi për ndeshjen Shqipëri-Itali, në faqe të caktuara në internet mund ta gjejmë për 320 euro minimumi. Një natë qëndrimi në një hotel standard në Dortmund, qyteti ku luhet ndeshja, kushton 100 euro. Shpenzimet ditore ku përfshihet edhe transporti nga aeroporti në hotel, si edhe ushqimi që mund të konsumohet, do t’i llogarisim 100-150 euro. Praktikisht, një tifozi nga Tirana i duhen afërsisht 800 euro për të ndjekur përballjen e parë të ekipit kombëtar. Pak a shumë e njëjta kosto është edhe për dy sfidat e tjera që Shqipëria do të luajë në Europian, me Kroacinë më 19 qershor në Hamburg dhe Spanjën në datën 24 në Dyseldorf.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"