Erzenit i mohohet penallti, arbitri dhe VAR-i në “gjumë”/ Ka ankesa edhe nga Vllaznia, ja rastet e diskutueshme (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2022 | 22:45

Erzenit i mohohet penallti, arbitri dhe VAR-i në “gjumë”/ Ka ankesa edhe nga Vllaznia, ja rastet e diskutueshme (VIDEO)

Java e tetë e Kategorisë Superiore prodhoi disa raste të diskutueshme në katër nga pesë ndeshjet e zhvilluara.

Erzeni Kukesi

Në shumicën e tyre pati një menaxhim të mirë nga arbitrat në fushë dhe ata në sistemin VAR, ndërsa gabimi i vetëm u bë në Durrës, aty ku të hënën në “Niko Dovana” u luajt sfida Erzeni-Kukësi, 0-2. Për shijakasit mungon një penallti, por “Panorama Sport” ju sjell të gjitha momentet e dyshimta të javës.

BYLISI-TIRANA 0-1

Gjyqtarë: K.Prenga (Laç), R.Çokaj, E.Gjoka (Lezhë);

VAR: K.Barjamaj –  AVAR: A.Doda (Tiranë);

FSHF-ja i kishte besuar ndeshjen e Ballshit arbitrit nga Laçi, Klodian Prenga, i cili e nxori nëntë herë kartonin e verdhë, ndërsa gaboi vetëm në një moment, por që u shpëtua nga sistemi VAR.

14’ Bylisi kërkon penallti pas një krosimi në zonë nga e majta e sulmit, kur Lajthia godet dhe duket sikur Nikqi prek topin me dorë. Gjyqtari vijon lojën dhe pamjet filmike i japin të drejtë, pasi nuk kemi të bëjmë me penallti. Topi ka prekur kokën e Nikqit dhe jo dorën.

36’ Lajthia bën një ndërhyrje të rëndë në anësore ndaj Toshevskit dhe nga bardheblutë pretendojnë karton të kuq për lojtarin e Bylisit. Arbitri Prenga i jep të verdhë, duke vepruar drejt, pasi Lajthia prek fillimisht topin, edhe pse ka intensitet në ndërhyrje.

93’ Husein godet me bërryl Sozën e më pas kapet me Jankun, por edhe ky i fundit i kthehet, duke e shtyrë me duar. Prenga jep karton të kuq për lojtarin e Tiranës dhe të verdhë për atë të Bylisit, por më pas ndërhyn VAR-i. Pasi shqyrton pamjet filmike, anulon të kuqin dhe i jep të verdhë Huseinit, duke qenë se të dy lojtarët u përfshinë në sherr.

95’ Loran hedh një top në zonë dhe aty rrëzohet Antoni, duke pretenduar për penallti pas duelit me Behiratçen. Prenga vijon lojën dhe merr vendim të drejtë, pasi nuk kemi të bëjmë me 11- metërsh.

LAÇI-VLLAZNIA 1-1

Gjyqtarë: J.Xhaja, D.Rexha, A.Zalla (Tiranë);

VAR: K.Shahini (Durrës) – AVAR: N.Bregasi (Tiranë);

Juxhin Xhaja ishte kryesor në Laç, ndërsa pati tri raste për moviolë.

22’ Mbrojtësi Juriç rrëzohet në zonë dhe bllokon topin me trup, duke sjell protesta te Laçi, që kërkojnë penallti. Xhaja vijon lojën, duke e cilësuar prekjen të pavullnetshme.

53’ Vllaznia pretendon se faulli që solli më pas golin e Laçit nuk duhej akorduar nga Xhaja. Smajli kërcen me kokë dhe përplaset me Cucin në mesfushë, teksa arbitri jep faull për Laçin. Më pas shkodranët pretendojnë edhe për një pozicion jashtë loje në momentin e krosimit në zonë, por sistemi VAR ka konfirmuar gjithçka si të rregullt.

88’ Shkodranët kërkojnë penallti pas rrëzimit në zonë të Gurishtës në krahun e djathtë. Gjyqtari Xhaja vijon lojën, ndërsa edhe Shahini në VAR, bën me shenjë që nuk kemi të bëjmë me penallti.

ERZENI-KUKËSI 0-2

Gjyqtarë: L.Alla (Lushnjë), R.Malaj (Vlorë), Xh.Mani (Tiranë);

VAR: Olsion Yzeriaj (Patos) – AVAR: E.Burgu (Fushë-Krujë);

Laver Alla ishte gjyqtar kryesor i ndeshjes ErzeniKukësi. Pamjet filmike tregojnë se shijakasve u është mohuar një penallti në pjesën e parë, pikërisht kur rezultati ishte 0-1 për Kukësin.

26’ Ndreca mundohet të depërtojë në krahun e majtë dhe më pas harkon në zonë, por topi devijohet dhe shkon në duart e Xhikës. Kuksianët pretendojnë për prekje të topit me dorë nga Iljazi, por Alla nuk akordon penallti, duke bërë me shenjë që loja të vazhdojë. Në këtë moment sistemi VAR nuk ndërhyn, duke e konsideruar lojë të rregullt.

27’ Nonato pason për Kahrimanoviç, i cili gjuan me forcë drejt portës, por mbrojtësi Ebert e devijon topin. Erzeni pretendon për prekje të topit me dorë nga braziliani i Kukësit, por gjyqtari lejon lojën të vazhdojë. Edhe VARi i jep të drejtë Allës, mirëpo pamjet filmike tregojnë se kemi të bëjmë me një gabim.

Në momentin e goditjes së topit nga lojtari i Erzenit, Ebert i Kukësit e devijon me një dorë të hapur brenda zonës dhe këtu duhet të kishim penallti në favor të Erzenit, teksa Alla në fushë dhe Yzeiraj në VAR kanë gabuar.

83’ Bytyçi godet Kadriun me bërryl në dueli ajror, por Alla nuk e ndëshkon me të verdhë lojtarin e Kukësit, teksa do të ishte i dyti për mbrojtësin dhe dilte automatikisht me të kuq.

PARTIZANI-KASTRIOTI 0-0

Gjyqtarë: E.Hamiti (Lezhë), I.Tartaraj, O.Grabova (Fier);

VAR: A.Koçi (Durrës) – AVAR: E.Rusta (Elbasan);

Në “Elbasan Arena” gjykoi Eldorian Hamiti, teksa i vetmi rast i dyshimtë, që mund të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes u regjistrua në minutën e 37-të.

Hoti ndërhyn ndaj Grecës në zonë dhe krutanët kërkojnë penallti. Hamiti vijon lojën, ndërsa më pas konsultohet edhe në kufje me VAR-in, që i jep të drejtë. Hoti ka ushtruar forcë ndaj sulmuesit të krutanëve, por arbitrat kanë qenë të vendosur se nuk kemi të bëjmë me faull, që nëse jepe do të ishte 11- metërsh.

EGNATIA-TEUTA 1-2

Gjyqtarë: K.Meta, N.Bregasi, R.Avdo (Tiranë);

VAR: K.Cjapi (Fier) – AVAR: O.Kuka (Tiranë);

Arbitri Kridens Meta e menaxhoi më së miri takimin në Rrogozhinë, teksa nuk pati asnjë rast të diskutueshëm. Në minutën e 38-të, kryesori u trullos jo pak kur mesfushori i Egnatias, Hamzat, në përpjekje për të goditur portën, e përplasi topin në kurrizin e Metës me forcë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"