Erzeni synon të thyejë tabunë, shijakasit kanë vetëm një dilemë për duelin e sotëm me Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2022 | 11:08

Erzeni synon të thyejë tabunë, shijakasit kanë vetëm një dilemë për duelin e sotëm me Tiranën

Erzeni ka mbyllur dje përgatitjet me një seancë që ishte më tepër e karakterit taktik në prag të ndeshjes ndaj Tiranës që do të luhet sot në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 17:45. Ekipi është i motivuar, në një kohë që rezultatet pozitive kanë munguar në 3 javët e fundit.

Erzeni

Megjithatë, pozita e vendit të tretë në renditje, u jep besim djemve të Xhevahir Kapllanit. Këtë sezon shijakasit kanë dhënë prova të forta më shumë ndaj ekipeve më me traditë në kampionatin tonë, duke iu referuar që ndaj Vllaznisë dhe Partizanit arritën të merrnin tri pikë. Ishte pikërisht në “Elbasan Arena” fitorja e fundit në transfertë, ajo ndaj të kuqve.

Në Shijak shpresojnë që ky stadium është fatsjellës dhe mund të tentojnë mrekullinë ndaj Tiranës, pikërisht ndaj një skuadre që nuk kanë marrë asnjëherë rezultat pozitiv, duke humbur të teta përballjet historike me bardheblutë deri më tani.

Ndërkohë, sa u përket lojtarëve që do të zbresin sot në fushë, trajneri Kapllani duket se ka vetëm një dilemë për krahun e majtë të mbrojtjes, aty ku prej tri javësh mungon Ardit Peposhi, i cili është riaftësuar tashmë nga dëmtimi.

Vetëm pak minuta para ndeshjes, duke parë edhe gjendjen e tropojanit, do të vendoset nëse do të luajë ai si titullar apo do të rikonfirmohet shqiptari nga Maqedonia e Veriut, Xhelil Asani. Pjesa tjetër e ekipit pritet të jetë e njëjtë me atë që luajti ndaj Kukësit.

MBËSHTETJA – Tifozët shijakas, duke mësuar që janë të dënuar të ndjekin në shtëpi ekipin e tyre të zemrës për katër javët e ardhshme, do të shfrytëzojnë çdo mënyrë për të qenë prezent në transferta.

Dy autobusë falas ka vënë klubi në dispozicion të tyre për t’u nisur sot nga Shijaku drejt Elbasanit, ndërsa shumë të tjerë do të mësyjnë me makina private këtë pasdite.

Përballë një emri të madh si Tirana, kjo ndeshje merr kuptim tjetër, me shijakasit që kërkojnë surprizën.

ER (1)

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"