Erzeni kërkon të rikthehet te fitorja, Deliallisi: Në Kukës për tre pikët, ja çfarë ndodhi me Rojas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2023 | 11:40

Erzeni kërkon të rikthehet te fitorja, Deliallisi: Në Kukës për tre pikët, ja çfarë ndodhi me Rojas

Erzeni luan sot në transfertë, kundër Kukësit në orën 14:00, ndeshje e vlefshme kjo për javën e 7-të të Kategorisë Superiore. Skuadrat janë përplasur midis tyre vitin e kaluar, dhe kujtojmë që shijakasit kanë arritur t’i mposhtin kuksianët me një rezultat të pastër 0-2 në shtëpinë e tyre.

deliallisi

Alfred Deliallisi ka konfirmuar se niset me grupin e plotë, e se nuk do të mjaftohej me një barazim kundër Kukësit, pavarësisht gjendjes së këtyre të fundit që është e përmirësuar.

Trajneri flet gjithashtu dhe për marrëdhënien e tij me lojtarët, e sidomos me mesfushorin argjentinas, Augustin Rojas, të cilin e zëvendësoi shumë shpejt kundër Skënderbeut e që këtij të fundit nuk i ka pëlqyer aspak si vendim.

“Luajmë në transfertë kundër Kukësit. Mund të them që është një kundërshtar, i cili ka ndryshuar shumë ndeshjet e fundit, pasi vijnë nga një fitore e një barazim, të përkthyera në 4 pikë, shumë të vlefshme. Por pavarësisht këtij fakti, ne do të shkojmë për të fituar. E dimë forcën tonë. Kemi kualitet, e në këtë ndeshje nuk dëshiroj as barazimin, por tri pikët. Nisem me organikën e plotë. Të gjithë lojtarët i kam në dispozicion. Stërvitja ka qenë e mirë, me ngarkesa aq sa duhet.

Besimi dhe grinta nuk na mungojnë ndaj në ‘Kukës Arena’ jemi për të dhënë gjithçka e për të marrë gjithçka. Kështu që le të ndërtojmë sa më mirë aksionet për të finalizuar e gjithashtu të jemi të kujdesshëm në prapavijë. Për sa i përket marrëdhënies me lojtarët, e konkretisht Rojasit, mund të them që si çdo lojtar është shumë i rëndësishëm për mua.

Të gjithë ata që janë futur nga stoli e kanë ngritur nivelin e lojës e janë përshtatur shumë mirë. Rojasi duhet të ketë parasysh që i duhet edhe pak kohë që thjesht të pranojë realitetin e kampionatit shqiptar, pasi vjen nga një tjetër organizim e mënyrë të luajturi”, ka deklaruar kreu i pankinës shijakase dje për “Panorama Sport”.

ERALD DERVISHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"