Erzeni kërkon fitoren e dytë radhazi, Deliallisi i pezulluar: Ekipi im nuk zhgënjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2023 | 12:40

Erzeni kërkon fitoren e dytë radhazi, Deliallisi i pezulluar: Ekipi im nuk zhgënjen

Erzeni do të luajë sot një transfertë delikate në Korçë, ndërsa nga stoli do të drejtohet nga trajneri i portierëve, Kujtim Shtama. Për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve të verdhë (4), trajneri i parë, Alfred Deliallisi, është i detyruar ta ndjekë ndeshjen nga tribuna dhe jo nga pankina. Gjithsesi, pezullimi për këtë takim nuk e shqetëson aspak Deliallisin, i cili në bisedën për “Panorama Sport”, foli me optimizëm për atë që pret nga skuadra.

deliallisi

“Luajmë kundër Skënderbeut, i cili na ka mundur fazën e parë, por sot është tjetër ndeshje dhe tjetër histori. Sigurisht do të jetë një ndeshje e vështirë, por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të guximshëm në daljet drejt sulmit. Ndihem mirë, pasi grupi në përbërje nuk ka mungesa. Ekipi ka një gjendje fizike të mirë dhe vjen me një moral të lartë në këtë ndeshje pas fitores me Tiranën. Uroj me shpirt që të marrim një rezultat pozitiv, pasi jemi më të bashkuar se kurrë. Unë jam i pezulluar, por drejtimin do e marri Kujtim Shtama, një nga njerëzit e mi të besuar, e që ka eksperiencë të madhe në futbollin shqiptar”, ka thënë fillimisht Deliallisi.

Në fund, ai bëri edhe një mesazh për tifozërinë e zjarrtë shijakas. “Sigurisht që kemi nevojë për mbështetjen e tyre, edhe pse luhet në një transfertë të largët si Korça. Tifozët e Erzenit e kanë mbështetur fuqishëm skuadrën në çdo stadium ku ka luajtur dhe prania e tyre në Korçë, do të jetë një motiv më shumë për skuadrën në fushë”, përfundoi kreu i pankinës shijakase, i cili me temperamentin ekspresiv që ka, shpesh bie pre e ndëshkimeve nga arbitrat, prandaj dhe sot nuk do të drejtojë ekipin nga stoli.

ERALD DERVISHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"