Ëndrrat e Toni Krosit: Dua Champions dhe Europianin, ja si vendosa t’i jap lamtumirën futbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2024 | 11:44

Ëndrrat e Toni Krosit: Dua Champions dhe Europianin, ja si vendosa t’i jap lamtumirën futbollit

Një ditë pasi vendo si se ky do të ishte sezoni i fundit, Toni Kros rrëfen disa nga momentet më të bukura të karrierës dhe disa prapaskena. Ai po ashtu tregon se lamtumira perfekte nga ky sport që e ka shoqëruar që prej moshës 6-vjeçare do të ishte ta mbyllte duke fituar Champions-in me Realin e Madridit dhe Europianin me kombëtaren e Gjermanisë.

kros

EMOCIONUESE- “Të gjithë ata që më kanë dëgjuar dhe ndjekur në vitet e fundit e kanë kuptuar që unë kam dashur që ta mbyll karrierën time te Reali i Madridit. Sezoni im i fundit me Realin do të thotë që kjo verë është e fundit edhe për futbollin. Nëse nuk ka më Real, nuk ka më futboll. Është shumë e lehtë ta mendosh kur e kam thënë shpeshherë. Sigurisht që ndonjëherë e rimendoj kur futem në stadium, kur fillojnë ndeshjet apo kur dëgjoj të tjerët që më kërkojnë të qëndroj. Por nëse unë e them diçka, e respektoj dhe i shkoj deri në fund. Edhe kur është diçka jashtë futbollit. Mendoj se është vendimi më i vështirë i jetës time. Falënderoj Zotin që ka qenë një vendim që s’ka pasur lidhje me jetën time private. Por kur nis të luash futboll në moshën 6- vjeçare dhe të largohesh 34- vjeç mendoj se nuk janë pak. Ky sport ka qenë në qendër të jetës time. Prandaj nuk është e lehtë. Tani e kuptoj më mirë këtë ndjenjë. Kur largoheshin të tjerët nga futbolli nuk ishte e lehtë. Nga një anë je i lumtur, në anën tjetër i trishtuar”.

NJË VIT MË PARË- “Isha shumë pranë që ta merrja vendimin një vit më parë. Edhe e kisha marrë, por kisha kohë që e mendoja. Duhet të them që ishte vendimi i duhur për të vazhduar edhe këtë sezon sepse gjërat dolën ashtu siç unë e prisja. Isha i shëndetshëm dhe nuk u dëmtova. Për më tepër ia kam kaluar mirë. I kam shijuar shumë ndeshjet dhe ruajta nivelin tim. Sigurisht që kur vendos të lësh futbollin, është e mirë që ta bësh në sukses e sipër dhe si fitues. Edhe përpara finales së Champions-it mund të them që ishte një sezon i shkëlqyer. Tani është momenti i duhur për t’u larguar. Unë kam dashur që t’i jap fund futbollit në moment të mirë. Me kaq shembuj sa po shohim nuk është e lehtë. Ndonjëherë humbet shpejt dhe bëhesh problem për ekipin. Unë dua të largohem krenar dhe për këtë jam i lumtur”.

REAGIMET- “Kam pasur shumë tentativa për të më bindur që të qëndroj në futboll dhe të mos largohem. Mirëpo unë kam ndërtuar edhe një jetë paralele përtej futbollit. Është e sigurt që do të më mungojë, por jeta vazhdon. Ky sport ka qenë në qendër të jetës time. Duhet të shoh edhe aspektet pozitive. Më shumë kohë për familjen time, jo shumë udhëtime dhe pritje nëpër hotele. Ndonjëherë mendon sikur je larg familjes për shumë kohë dhe pritja për t’u rikthyer në shtëpi është e gjatë. Ndonjëherë mendon pse duhet të udhëtosh 3 ditë përpara një ndeshjeje futbolli. Mendon se çfarë do të ishe duke bërë tani në shtëpi. Ishte një nga arsyet pse doja të largohesha”.

REALI- “Është e vërtetë që Reali më la ta merrja vetë vendimin. Tani është momenti i duhur. Klubi më la gjithçka në dorë. Dua t’i shijoj edhe këto ndeshje që më kanë mbetur. Unë nuk e kisha menduar kurrë që do të luaja kaq shumë me Realin e Madridit. Mesatarja e qëndrimit në skuadra të mëdha nuk është e madhe. Ka qenë një aventurë e jashtëzakonshme dhe e çmendur madje. Nuk bëhej fjalë vetëm për klubin më të madh në botë, por të largohesh me familjen për një jetë të re është hap i madh”.

TRANSFERIMI- “Mënyra se si më pritën këtu, me krahëhapur ishte speciale. Nuk e kisha atë ndjesinë që duhet të luaja mirë në këtë skuadër pastaj të më donin. Më pranuan menjëherë në familjen e Realit. Kjo më dha shtysë për të bërë mirë dhe për t’u argëtuar. Me tifozët kam një raport të shkëlqyer. Nuk do ta harroj kurrë besimin që më kanë dhënë dhe dashurinë e tyre si njeri dhe si futbollist. Gjithmonë kam kërkuar të jem më i ndershëm se kurrë. Në këto 10 vite për mua ka ekzistuar vetëm Reali i Madridit. Dua ta falënderoj për gjithçka më ka dhënë”.

KOMBËTARJA- “Në fakt nisa ta mendoj më shumë kur vazhdova të luaja me Realin. Ose duhet t’i lija të dyja ose asnjërën. Për këtë arsye vendosa të rikthehesha në kombëtaren e Gjermanisë dhe për ta lënë futbollin një herë e mirë. Diçka e jashtëzakonshme do të ishte fitorja e Champions-it me Realin dhe e Europianit me Gjermaninë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"