Ëndrra amerikane, Gocaj tërhiqet mes lotësh: E mbylla me futbollin, doja të shijoja ngjitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2022 | 22:32

Ëndrra amerikane, Gocaj tërhiqet mes lotësh: E mbylla me futbollin, doja të shijoja ngjitjen

Olsi Gocaj i jep lamtumirën Flamurtarit dhe futbollit të luajtur. Mbrojtësi do të shpërngulet në Amerikë dhe ky vendim e ka detyruar që të tërhiqet nga fusha në moshën 33-vjeçare.

GOCAJ

I përlotur dhe me një zë që i dridhej, shkodrani jep një rrëfim të rrallë për “Panorama Sport”. Donte të qëndronte deri në fund në Vlorë dhe të shijonte ngjitjen në Superiore, por këtë mision tashmë ua ka lënë shokëve.

Olsi, pse kjo mbyllje e parakohshme me Flamurtarin?

Për arsye familjare më duhet që të largohem drejt Amerikës. Por doja të falënderoja presidentin Sinan Idrizi pasi e mbyllëm me mirëkuptim.

Fola me të dhe i thashë që më duhet të largohem për arsye familjare. I jam mirënjohës për të tria këto sezone që kam qëndruar në Vlorë. Idrizi ka qenë shumë korrekt. I uroj suksese Flamurtarit.

Kur ju përfundonte kontrata?

Kontratën e kisha deri në maj, fundi i sezonit. Por e mbylla me mirëkuptim me presidentin.

Largoheni pa e ngjitur Flamurtarin në elitë…

Normalisht që më vjen keq pasi kam kaluar pothuajse tri sezone në Vlorë. Më vjen keq pasi po largohem në gjysmën e sezonit pa arritur objektivin. Por besoj që pjesën tjetër do ta mbarojnë shokët e ekipit, do ta ngjisin.

Jeni i bindur që misioni do të realizohet?

Patjetër që do të ngjitet, nuk diskutohet kjo. Duke parë ekipin besoj se Flamurtari është skuadra më e mirë në Kategorinë e Parë. Këtë e tregon edhe renditja. Ne jemi në vendin e parë dhe për mendimin tim do të jetë çështje kohe.

E shikoni të vështirë garën deri në fund?

Përderisa dalin dy ekipe, mendoj që do të jetë luftë mes Flamurtarit dhe Dinamos për vendin e parë. Por do të ngjiten të dyja.

Keni kaluar tri sezone në Vlorë. Çfarë do të mungojë nga ky qytet?

Nga Vlora do të më mungojnë shumë gjëra. Do të më mungojë qyteti, i cili është ndër më të bukurit në Shqipëri. Do të më mungojnë shokët e ekipit.

Cila do të jetë e ardhmja juaj në Amerikë, do të vazhdoni futbollin e luajtur?

Të them të drejtën është e vështirë të shkëputem fare nga futbolli pasi e kam nisur në moshën 7-vjeçare. Meqë unë kam përfunduar kurset e UEFA C dhe D, mendoj se me kalimin e kohës mund të merrem përsëri me futboll, por në rolin e trajnerit.

Po thoni që e mbyllët karrierën si futbollist?

Po, po. Karriera ime u mbyll. Kam luajtur shumë vite në Shqipëri, me ulje, me ngritje, me të mira dhe të këqija, por…(emocionohet dhe përlotet).

Ishte kjo mbyllja që ëndërronit?

Mbase nuk ishte mbyllja më e mirë, të paktën të qëndroja deri në fund, të arrinim objektivin, të dilnim në Superiore. Kjo mbase do të ishte më e mira. Por siç e thashë më sipër, për arsye familjare më duhet të largohem.

Mund të riktheheni sërish një ditë në Shqipëri, për të kontribuar në futboll?

Kurrë mos thuaj kurrë! Nuk i dihet.

ERMAL SIKA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"