Elmando Gjini nuk i trembet aspak sfidës së radhës me shkodranët : Japim shpirtin për Teutën, mundim dhe Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2024 | 16:57

Elmando Gjini nuk i trembet aspak sfidës së radhës me shkodranët : Japim shpirtin për Teutën, mundim dhe Vllazninë

Teuta mori një fitore shumë të rëndësishme në Korçë, 0- 1 ndaj Skënderbeut. Ishte një 3-pikësh me shumë vlera për durrsakët, të cilët vinin pas dy humbjeve në kampionat. Ndeshja u vendos nga një gol i Elmando Gjinit, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” është shprehur mjaft i lumtur për atë fitore. Gjini ka thënë në intervistën për “Panorama Sport” se Teuta do të kërkojë fitoren e radhës edhe ndaj Vllaznisë në fundjavë.

Elmando Gjini

Gjini, sa ju ka çliruar fitorja në Korçë, si e ndjeni veten tashmë?

Fitorja në Korçë do të thosha se së pari na shërbeu nga ana psikologjike. Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë dhe jemi të qetë që e kemi fituar. Kjo situatë na bën që ta përgatisim ndeshjen ndaj Vllazninë me më shumë besim. Shpresoj shumë që të vazhdojmë më ketë ritëm.

A kishte presion përpara kësaj ndeshjeje?

Nuk është se kishim presion të madh, pasi na kërkohet vetëm të bëjmë lojën tonë. Për atë ndeshje kishim kohë mjaftueshëm për t’u përgatitur. Na është kërkuar loja në radhë të parë, me besimin se golat do të dilnin, ashtu siç doli. Kishim mundësitë për më shumë se një gol, por jemi të kënaqur me tri pikët, që në këtë moment ishin të domosdoshme.

Çfarë prisni nga ndeshja e radhës me Vllazninë?

Dueli me Vllazninë dihet që është shumë i fortë. Ne do të japim shpirtin në fushë të gjithë lojtarët, siç kemi bërë në këto momente, pavarësisht se nuk kemi marrë maksimumin. Shpresojmë të vazhdojmë me fitore, të bëjmë atë që bëmë edhe me Skënderbeun. Nuk ka rrugë tjetër për Teutën.

Shënuat golin e parë në kampionat me fanellën e Teutës. Si e keni përjetuar?

Jam shumë i lumtur që shënova, sepse ishte një gol fitoreje në një moment shumë të rëndësishëm. Po mundohem gjithmonë të tregoj forcën time reale te Teuta. Ne të gjithë besojmë në forcat tona, pasi kemi një ekip të kompletuar. I kemi të gjitha mundësitë par t’i bërë ballë me sukses çdo ekipi.

Jeni përshtatur shpejt te Teuta, ose të paktën kështu duket… Më kanë pritur shumë mirë të gjithë shokët e ekipit dhe nuk kam pasur vështirësi për ambientimin. Ma kanë bërë më të lehtë përshtatjen. Ambienti në Durrës të jep një komoditet të punosh dhe të japësh gjithçka.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"