Eliminimi nga Liga e Kampioneve shoqërohet me pasoja/ Kriset Barça, Gyndoan sherr me Kunde

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2024 | 21:45

Eliminimi nga Liga e Kampioneve shoqërohet me pasoja/ Kriset Barça, Gyndoan sherr me Kunde

Humbja (1-4) dhe bashkë me të dhe eliminimi nga Liga e Kampioneve është shoqëruar me pasoja në Barcelonë. Përtej dëmit sportiv (eliminimi dhe humbja e të drejtës për të marrë pjesë në Super Botërorin e klubeve) dhe atij financiar (Barça ka humbur 50 milionë euro), eliminimi ka sjellë dhe një krisje në ekip.

BARCA

Mesfushori i Barcelonës, Ilkaj Gyndoan nuk është kursyer. Ai u tregua shumë kritik pas ndeshjes me lojën e skuadrës dhe veçanërisht me gabimin trashanik të Ronald Arauhos, i cili u ndëshkua me karton të kuq direkt në minutën e 29-të. Ishte ai karton i kuq që ndryshoi të gjithë rrjedhën e ngjarjeve, deri në këtë moment nën kontrollin e plotë të Barçës që udhëhiqte 1-0 me golin e Rafinjës. Me një lojtar më pak Barça iu dorëzua Paris SG-së, që shënoi 4 gola.

“Jam i zhgënjyer, shumë i zhgënjyer. Gjithçka ishte në duart tona dhe ia kemi falur ndeshjen dhe kualifikimin PSG-së. Ne ia kemi dhuruar atyre në mënyrën më të lehtë. Është e vështirë të thuhet… Por në këto momente vendimtare duhet të jeni të sigurt”, tha Gyndoan. Më pas ai kaloi drejt në temë, te Arauho.

“Nëse vendosni shkoni për topin, duhet të jeni i bindur në veprimin. Personalisht do të lejoja sulmuesin kundërshtar të dilte përballë portierit tonë, madje dhe të shënonte, por kurrsesi ta lija ekipin me një GOLA lojtar më pak për shumë minuta”, deklaroi mesfushori gjerman në një intervistë për “CBS Sports”. Më vonë, Gyndoan është munduar të sqarojë pozicionin e tij, por deklarata e gjermanit ka sjellë plot reagime.

Madje dhe nga dhomat e zhveshjes së Barçës, ku kanë shfaqur mendime të kundërta me mesfushorin. Kunde iu përgjigj Gyndoanit me një mesazh që duket si një shigjetë drejtuar gjermanit, duke i kujtuar atij se të gjithë mund të gabojnë.

“Dështimi për të shkuar në gjysmëfinale ishte një zhgënjim i madh për ne. Meqë ra fjala, ne fitojmë si ekip dhe gjithashtu humbim si ekip, gjithmonë. Nuk mund të kapemi me një gabim individual. Është koha për t’u rikuperuar dhe për t’u përgatitur për ‘El Clasicon’ këtë të dielë. Faleminderit për mbështetjen”, ka shkruar francezi në rrjetet sociale.

Të njëjtin qëndrim me komentin e tij kanë pasur dhe disa lojtarë të tjerë të Barcelonës si Markos Alonso, Serxhi Roberto dhe Vitor Roke. Sigurisht që fërkimet në ekip pritet të jenë një dhimbje koke për trajnerin e Barçës në ditët në vazhdim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"