ELBASANI/ U fut nga stoli dhe shënoi, rrëfehet sulmuesi. “Profeti” Lleshi: E dija që do të bëja gol në shtesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2023 | 15:50

ELBASANI/ U fut nga stoli dhe shënoi, rrëfehet sulmuesi. “Profeti” Lleshi: E dija që do të bëja gol në shtesë

Duket se fitoret në limit dhe për më tepër në shifrat 3- 2, janë kthyer në një “traditë” më vete për Elbasanin. Një trepikësh për infarkt e morën kundër Lushnjës të shtunën, në një ndeshje që e komplikuan po vetë. I njëjti skenar ka ngjarë edhe ndaj Vorës dhe Apolonisë. Me luajtje apo vuajtje, fakt është që verdheblutë vijojnë ecurinë perfekte në shtëpinë e tyre.

ELBASANI

Janë plot 9 pikë të marra në kohën shtesë duke qenë skuadra që ka përfituar më shumë nga golat në fundin e takimit…

HEROI

Heroi i Elbasanit ishte Arsen Lleshi përballë Lushnjës. Sulmuesi u fut në fushë në pjesën e dytë dhe rezultoi një kartë fituese për Nevil Deden, sepse i dha trepikëshin skuadrës së tij. Për “Panorama Sport”, 23-vjeçari tregon emocionet e përjetuara, ndërsa zbulon se e parandiente se do të shënonte në fund. “Normalisht je i lumtur kur shënon në fund dhe i jep skuadrës tri pikët. Ishte një ndeshje në fakt që nuk pritej të kishte atë fund dramatik, sepse po e kontrollonim lojën.

Të jem i sinqertë e prisja një gol në fund, pasi po sulmonim dhe ushtronim presion të vazhdueshëm në zonën kundërshtare. Golat e kësaj natyre janë gjithnjë emocionues, për më tepër përballë një publiku që të mbështet gjithnjë. Ne si skuadër duam që t’i mbyllim më herët çështjet e fitores. Gjithsesi, në fund ato tregojnë edhe karakterin që kemi si ekip. Nuk dorëzohemi asnjëherë”, u shpreh fillimisht sulmuesi i Elbasanit.

KASTRIOTI

Për Elbasanin nuk ka shumë kohë për festë dhe as qetësi sepse nesër vjen radha e Kupës së Shqipërisë. Përballë në këtë fazë do të kenë Kastriotin, që u ndeshën jo më larg se tri javë më parë. Lleshi pohon se në këtë kompeticion duan të shkojnë sa më larg dhe do të hyjnë në fushë për ta tentuar kualifikimin. “Për një ekip me pretendime si Elbasani, nuk ka shumë rëndësi nëse luan në kampionat, Kupë apo edhe miqësore.

Ne do të shkojmë në Fushë-Krujë të tregojmë futbollin tonë dhe marrim maksimumin. Bëhet fjalë për vetëm një ndeshje dhe mjafton një fitore për të kaluar në raundin tjetër. Do t’i bëjmë hyzmetin, edhe pse nuk do të jetë e lehtë, pasi Kastrioti është një skuadër që ka potencial”, mbylli prononcimin e tij për gazetën autori i tre golave në këtë edicion për verdheblutë.

VLADIMIR MEMA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"