Elbasani mund Apoloninë mes sherrit e tensionit, miqësorja kthehet në arenë boksi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2023 | 8:46

Elbasani mund Apoloninë mes sherrit e tensionit, miqësorja kthehet në arenë boksi

AF Elbasani mundi dje pastër Apoloninë në stadiumin “Loni Papuçiu”, në një miqësore që u mbyll me sherr dhe dy kartonë të kuq. Ndeshja mes skuadrave të Kategorisë së Parë që pretendojnë të ngjiten në elitë ishte shumë e luftuar, teksa verdheblutë e Nevil Dedes shënuan në fundin e pjesës së parë me brazilianin Leo Melo, si dhe në pjesën e dytë me Joni Ballën.

367578782_1485757978630531_3881352681693333190_n

Fierakët kishin rastet e tyre, por vuajtën në metrat e fundit, ndërsa elbasanasit ishin cinikë. Pavarësisht se ishte vetëm një miqësore, pati shumë tension, ndërhyrje dhe dyluftime të ashpra, duke detyruar arbitrin Olsid Ferataj të nxjerrë dy herë kartonin e kuq për Bruno Telushin e Elbasanit dhe Nuredin Orelesin e Apolonisë, që si për ironi të fatit, janë lojtarët më të vjetër në skuadrat respektive, por që dje u tradhtuan nga nervat.

GOLAT – Fierakët janë më dominues në lojë, me sulmuesin Antoni që krijon dy raste të pastra, por portieri Kuka reagon shkëlqyer. Trajneri Nevil Dede ngre tonet dhe kërkon më tepër nga mesfushorët Telushi, Karakaçi dhe Hasani. Reagimi vjen menjëherë dhe Telushi hedh një top të gjatë për sulmuesin Melo, i cili me një goditje mjeshtërore, e dërgon në rrjetë, duke mbyllur 0-1 pjesën e parë. Pas pushimit, Apolonia insiston për të gjetur barazimin, por Antoni është i pafat, pasi godet traversën. Më pas është Elbasani që fiton një penallti pas duelit mes Xhebrahimit dhe Ndubuisit në zonë. Mirëpo, portieri Harizaj pret goditjen e Edon Hasanit. Miqtë nisin të ulin ritmin e lojës dhe të qarkullojnë dendur topin, ndërsa trajnerët Rodrigez dhe Dede kryejnë shumë zëvendësime. Në minutën e 77-të Elbasani vulos fitoren me mesfushorin Balla, që përfiton nga një dalje e gabuar e portierit Bushi dhe shënon për 0-2.

SHERRI – Në minutën e 75- të filloi “lufta” e vërtetë. Një faull i shkaktuar në dëm të mesfushorit Edon Hasani bën që lojtarët e të dyja skuadrave të krijojnë një kaos në fushë. Kulmi arriti kur Telushi bën një gjest antisportiv, duke goditur në fytyrë Orelesin. Arbitri Ferataj u nxori menjëherë të dy lojtarët me kartonë të kuq. Ndeshja u ndërpre 5 minuta, ndërsa në fushë u futën edhe pjesëtarët e stafeve teknike, pasi mes lojtarëve situata doli jashtë kontrollit.

367781597_260778080150072_6528835085635747804_n

MOMENTI I SHERRIT

APOLONIA 0-2 ELBASANI
GOLAT: Leo Melo 44′, Balla 77′

APOLONIA: Harizaj, E.Gjata, Repaj, Ndubuisi, Topi, Hebeja, Orelesi, Shanaj, Ibrahim, Rakipaj, Antoni.
(U aktivizuan: Bushi, Asllanaj, Kalus, Lala, Albert, Çulli, Hoxhaj, Kaçanolli, Maksuti).
Trajner: Jerai Rodrigez

AF ELBASANI: Kuka, Idrizaj, Pere, Zaimi, Rami, Telushi, Karakaçi, Hasani, Leo Melo, Lleshi, Hoxhaj.
(U aktivizuan: Xhebrahimi, A.Kasa, T.Kasa, Gava, Balla, Broshka, Tartari, Gega).
Trajner: Nevil Dede

GJYQTARË: O.Ferataj, O.Grabova, Sh.Shehu (Fier);

KARTONË TË VERDHË: Antoni 70′ / Pere 35′, Lleshi 44′, Hasani 70′
KARTONË TË KUQ: Orelesi 75′ / Telushi 75′

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"