“Elbasani me lojtarë elite, largohet si kryesues nga Ballshi”, administratori Çoku zbërthen verdheblutë para Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2024 | 22:26

“Elbasani me lojtarë elite, largohet si kryesues nga Ballshi”, administratori Çoku zbërthen verdheblutë para Bylisit

Elbasani luan të hënën një finale në Ballsh, ku fitorja i ngjit të vetëm në krye të klasifikimit. Për këtë arsye, në kampin elbasanas kërkojnë ta kalojnë me sukses. Për fat të mirë, gjasat janë që trajneri Nevil Dede ta ketë grupin e plotë dhe të udhëtojnë drejt Ballshit për të marrë maksimumin.

coku

Sfida e fazës së parë në Elbasan u mbyll në barazim 2-2, por gjithnjë ka kohë për revansh. Duke parë sesi do të ndahet shorti i fazës së tretë, vendi i parë ka rëndësinë e vet, se në ndeshjen e fundit, kryesuesit i presin ndjekësit në shtëpi.

ADMINISTRATORI – Për “Panorama Sport”, administratori i Elbasanit, Marenglen Çoku, flet për rëndësinë e kësaj sfide dhe investimet që ka bërë klubi. Ai pohon se skuadra nuk ka presion, por ka ardhur koha që lojtarët të tregojnë veten dhe potencialin e tyre.

“Është një përballje direkte që normalisht ka rëndësinë e saj dhe që ne duam ta fitojmë. Është e vërtetë që çdo ndeshje vlen tri pikë në një kampionat, por kur mund një rival direkt ka edhe një ndikim në pjesën e moralit.

Klubi ka investuar jo pak për të arritur këtu ku është, duke afruar lojtarë që kjo ligë i ka zili dhe është koha tani që të tregojnë veten. Skuadra nuk ka presion, nuk ka pasur ndonjëherë, përpos pjesës që duhet të fitojë për të realizuar objektivat dhe që është normale në një klub futbolli. Tani t’ia lëmë fushës për më shumë”, u shpreh fillimisht administratori i Elbasanit.

Çoku Elbasani

MESAZHI – Për ndeshjen me Bylisin, Çoku jep një mesazh në formë batute për lojtarët, por që nënkupton në njëfarë mënyrë që klubi e kërkon me doemos një fitore, pasi tri pikët i japin vendin e parë.

“Ne udhëtojmë në Ballsh si skuadra e vendit të dytë dhe ndjekësit e tyre, por duam të largohemi nga Ballshi si kryesues. Kuptohet që kjo ndodh nëse ne fitojmë dhe unë kam besim se kështu do të ndodhë.

Megjithatë, kampionati nuk mbyllet me këtë ndeshje, sido që të shkojnë gjërat, e rëndësishme është që të luhet futboll i bukur dhe të kënaqen edhe ata që do ta ndjekin, sepse bëhet fjalë për dy ekipet që deri më tani kanë qenë në krye dhe i kanë dhënë tonin këtij kampionati”, mbylli prononcimin e tij për gazetën administratori i ekipit të Elbasanit, Marenglen Çoku.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"