Elbasani i ka mbyllur hesapet me ngjitjen në Superiore, Telushi mungon ndaj Korabit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2024 | 18:04

Elbasani i ka mbyllur hesapet me ngjitjen në Superiore, Telushi mungon ndaj Korabit

Elbasani i ka mbyllur hesapet me ngjitjen në Superiore sezonin e ardhshëm, ku pret vetëm konfirmimin matematikor për të nisur zyrtarisht festën. Me 15 pikë mbi vendin e tretë, kur kanë mbetur edhe gjashtë javë në lojë, duket se kjo histori ka marrë fund.

telushi

Madje, verdheblutë mund të shpallen që këtë javë zyrtarisht si skuadra e parë që sezonin e ardhshëm do t’i bashkohet elitës. Gjithsesi, kuptohet që tani fokusi i elbasanasve është ngjitja një kategori më lart duke u shpallur kampionë dhe mos u mjaftuar thjesht me arritjen e këtij objektivi nga vendi i dytë.

KOMBINIMET – Mjafton që të kombinohen disa rezultate dhe nga Peshkopia të shtunën elbasanasit të kthehen në shtëpi me Superioren në “xhep”. Nëse verdheblutë fitojnë dhe Flamurtari nuk shkon më shumë sesa barazimi do të sillte edhe ngjitjen e ekipit të Nevil Dedes në elitë, pasi do të bëhej i pakapshëm në pesë javët e mbetura. Një tjetër variant është edhe barazimi i elbasanasve dhe në kahun tjetër vlonjatët të humbnin në shtëpi ndaj Tomorit. Nëse njëri nga këto dy variante realizohet të shtunën, verdheblutë janë matematikisht të ngjitur.

Në të kundërt, gjithçka mbetet për javën e ardhshme në “Elbasan Arena”. Gjithsesi, në Peshkopi nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi Korabi është skuadra që i ka shkaktuar humbjen e parë Elbasanit këtë sezon, duke sjellë në njëfarë mënyre edhe hidhërim. Kësaj here, elbasanllinjtë rikthehen në këtë qytet për të bërë historinë, pasi në harkun kohor të tri viteve ngjisin të gjitha shkallët një e nga një, për të shkuar deri tek niveli më i lartë i futbollit shqiptar.

TELUSHI – Ndaj Lushnjës, Bruno Telushi u ndëshkua me karton të verdhë, i cili e lë me pasoja. Vlonjati ka mbushur numrin katër të kartonëve dhe është i detyruar që të bëjë një javë stop në sfidën e kësaj fundjave. Një mungesë jo e vogël për Nevil Deden, pasi bëhet fjalë për një nga futbollistët më me eksperiencë në skuadër. Gjithsesi, tekniku mund të buzëqeshë, sepse i rikthehet këtë javë golashënuesi më i mirë i skuadrës, Bedri Greca. 33 vjeçari mungoi ndaj Lushnjës pikërisht për arsye të kartonëve dhe do të jetë një armë plus për verdheblutë në këtë ndeshje delikate.

DËMTIMET – Lajmi i mirë në këto javë të fundit lidhet me dëmtimet në kampin verdheblu, ku të gjithë lojtarët janë të gatshëm dhe të paktën tekniku Dede për momentin nuk shqetësohet në këtë aspekt. Pikërisht atëherë kur duhet skuadra ka arritur formën e saj maksimale, diçka që shihet jo vetëm nga rezultatet e koleksionuara këto javë, por edhe lojërat e zhvilluara, të cilat kanë qenë në rritje.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"