Elbasani fiton dhe prek Superioren nga “maja” e Korabit. Dede: Trishtim që s’festojmë me tifozët javën tjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2024 | 14:30

Elbasani fiton dhe prek Superioren nga “maja” e Korabit. Dede: Trishtim që s’festojmë me tifozët javën tjetër

Elbasani fiton në Peshkopi, sikurse di vetë, me përmbysje. Verdheblutë dalin me tri pikë nga kjo transfertë dhe tani ndodhen vetëm një barazim larg ngjitjes matematikore në elitë.

korabi elbasani

Dibranët dhanë iluzionin se do të ishin sërish një “kockë e fortë” për elbasanasit pas autogolit të Zaimit, por dopieta e Grecës dhe në fund rrjeta e Hoxhajt, bënë përmbysjen që pritej. Për vendasit shënoi në fund edhe Taulant Marku, por pa i dhuruar dot pikë skuadrës së tij.

PJESA E PARË – Minutat e para janë të qeta. Ekipet studiojnë lojën e njëra–tjetrës duke qarkulluar topin. Miqtë u shfaqën të parët të rrezikshëm, ku Greca për pak përfiton nga një gabim i portierit. Ndërsa T.Marku vuri në provë Totoshin me një goditje me kokë. Janë minuta me ritëm, ku skuadrat luajnë fort dhe përpiqen të afrohen sa më shumë në zonat kundërshtare. Kryemadhi i afrohet golit në të 18-ën, por nuk tregohet i saktë në finalizim. Më pas Mziu tenton me një goditje dënimi nga rreth 30 metra, por gjuajtja është qendrore. Elbasani kundërpërgjigjet me Lilën, por goli duket larg. Rasti më i mirë do t’i takonte Çemës në të 44-ën, kur përballë Totoshit has në devijimin e këtij të fundit. E para mbyllet në barazim pa gola.

PJESA E DYTË – Dede nis menjëherë me zëvendësimet. Ai hedh në fushë Hilën me Salomaon që i japin  një tjetër impuls skuadrës. Mirëpo, ata që do të shënojnë do të jenë vendasit. Teksa Zaimi nuk largon si duhet një top dhe devijimi e ndal në rrjetë në të 51-ën. 1-0 dhe Elbasani nuk u beson syve, duke detyruar Deden të bëjë sërish ndryshime. Ai fut Melon dhe Fernandesh dhe efekti ndjehet menjëherë. Në të 60-ën sfida barazohet me anë të Grecës, që shtyn topin në rrjetë, pasi më herët Qyrani devijoi gjuajtjen e Melos.

Katër minuta më pas, verdheblutë përmbysin gjithçka me Hilën që fiton një 11-metërsh dhe sërish Greca nuk gabon nga pika e bardhë. Një rezultat që shokon vendësit, të cilët janë të tërhequr mbrapa dhe nuk kanë forca për të reaguar, ndërsa Elbasni ka eksperiencën e duhur për të mbajtur lojën nën kontroll. Henri Marku ka mundësi të barazojë shifrat me një gjuajtje me kokë, por në minutën e parë shtesë janë sërish verdheblutë që ndëshkojnë. Salomao hedh një harkim në zonë, Hoxhaj godet saktë me kokë dhe i dërgon shifrat në 1-3. Nuk mbyllet me kaq, pasi Taulant Marku ngushton rezultatin me një gjuajtje potente në kufijtë e zonës së rreptësisë një minutë më pas, duke bërë që ndeshja të mbyllej në shifrat 2-3.

Nevil Dede: Trishtim që s’festojmë me tifozët javën tjetër

Pas ndeshjes, trajneri i Elbasanit, Nevil Dede i gëzohet tri pikëve në një transfertë të sikletshme, fitore e cila erdhi me përmbysje. “Sido që të vjen, patjetër që çdo fitore të gëzon. Korabi është një kundërshtar shumë i vështirë dhe ishte një ndeshje e sikletshme, pasi skuadra dibrane na vuri shumë në vështirësi. Gjithsesi, rëndësi kanë pikët dhe më bëhet qejfi shumë për djemtë”, u shpreh fillimisht trajneri i Elbasanit. Ndeshjen e radhës me Apoloninë në shtëpi, verdheblutë mund të hapin zyrtarisht shampanjën e ngjitjes, por për fat te keq nuk do të kenë tifozët për shkak të dënimit.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe stërvitemi sikur të jetë java e parë e kampionatit, me të njëjtën dëshirë dhe impenjim. Mungesa e tifozëve është trishtim i madh për mua dhe skuadrën. Do të ishte fantastike të festonim që këtë javë me tifozët tanë rikthimin në Superiore. Unë nuk do e humb besimin dhe shpresën se klubi do të bëjë të pamundurën që t’i kemi sa më shpejt në stadium“, tha Dede për “Panorama Sport”.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"