Elbasani, Çyrbja e Veseli pranë firmës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2015 | 16:30

Elbasani, Çyrbja e Veseli pranë firmës

Dosti dhe Cyrbja me fanellen e KukesitElbasani ka hyrë zyrtarisht në javën anti-Skënderbe, teksa në javën e parë të fazës së tretë do të presë kampionët korçarë në stadiumin e boshatisur “Elbasan Arena”. Mirëpo, ndërsa nga njëra anë tekniku Muharrem Dosti ka startuar përgatitjet për këtë sfidë, një mendje është akoma tek afrimet e merkatos së dimrit, të cilat kanë filluar edhe të zbardhen më konkretisht se cili do të afrohet. Në një prononcim për “Panorama Sport”, numri një i pankinës elbasanase, Muharrem Dosti, shprehet se e shikon grupin të kompletuar nëse do të vijë edhe një sulmues që po e kërkon me ngulm. Sipas kreut të trajnimit verdheblu, sot pret një bomber nga Maqedonia, i cili, me shumë gjasa, vjen nga skuadra e Shkëndijës së Tetovës ose Gostivari. “Kemi hyrë në javën e fundit të përgatitjeve për sa i përket takimit që do të kemi me Skënderbeun, kundërshtar ndaj të cilit do të bëjmë maksimumin tonë. Djemtë që po stërviten aktualisht janë në një formë optimale dhe shpresojmë se do të bëjnë një surprizë të bukur përballë korçarëve. Unë e kam thënë edhe më parë që Elbasani nuk ka çfarë të humbë dhe në çdo ndeshje luan si një finale”, shprehet fillimisht Dosti për sa i përket sfidës së parë për këtë vit.
Merkato – Tekniku elbasanas e ka mendjen edhe te merkato, teksa pret një sulmues nga Maqedonia, ku me shumë gjasa duhet të vijë sot në Elbasan. “Grupin që kam në dispozicion e shoh në rregull në të gjitha repartet, por po pres një sulmues potent për t’u kompletuar dhe qenë sa më kompetitivë më pas në takimet e kampionatit. Nuk mund t’ju them një emër, por bëhet fjalë për një sulmues nga Maqedonia, të cilin po e presim të vijë në skuadër dhe do të na bëjë vërtet punë. Më pas, merkato mbyllet në fund të muajit dhe, nëse do të jetë mundësia për të bërë afrime cilësore, sigurisht që janë të mirëpritur, sepse kemi nevojë për këdo që mund të bëjë diferencën”, e mbyll prononcimin për gazetën tekniku elbasanas.
Konfirmimet – Arbër Çyrbja mund të cilësohet si afrimi i parë zyrtar për klubin e Elbasanit. Mësohet se fillimisht ka marrë aprovimin e Dostit dhe më pas ka gjetur akordin financiar me presidentin Laze dhe sot pritet të hidhet firma në kontratë. Nga ana tjetër, shumë pranë firmës është edhe mesfushori kosovar Besart Veseli, i cili ka bindur në provat miqësore, ashtu siç ka bërë edhe Çyrbja. Ndërkohë, kuçovari Enriko Papa nuk ka dalë në stërvitje me verdheblutë ditën e djeshme dhe burimet pranë klubit pohojnë se nuk është arritur një akord midis palëve për të qenë së bashku deri në fund të sezonit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"