EKSKLUZIVE/ Zgjedhjet në kohën e diktaturës, Sejdini: Më thirrën për të votuar pa zbardhur dita, luanim si… klandestinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2023 | 10:12

EKSKLUZIVE/ Zgjedhjet në kohën e diktaturës, Sejdini: Më thirrën për të votuar pa zbardhur dita, luanim si… klandestinë

“Kutitë hapeshin në orën 06:00 të mëngjesit dhe për rreth 30 minuta procesi duhet të ishte mbyllur”. Kështu e kujton lojtari i mirënjohur, titullar i Dinamos, përfaqësues, trajner, një figurë popullore e futbollit kombëtar, Faruk Sejdini, një ditë votimesh në diktaturë.

sejdini

“Edhe pse jo të interesuar, pak indiferentë, ajo atmosferë përfshinte pa përjashtim edhe sportistë, trajnerë, drejtues. Kishte raste që mjediset e stadiumeve, hapësirat e pallateve të sporteve shërbenin edhe si vend votimi”, – thotë ai për “Panorama Sport”.

Sa të interesuar ishin sportistët lidhur me atë proces?
Ne sportistët ishim pak më indiferentë. Sidoqoftë në stërvitje, në klub, kudo duhet të ishe i kujdesshëm, në komente, biseda. Vigjilja ishte e madhe, me sy e veshë hapur. Te ne, sa dukeshin jo të interesuar, aq edhe ishin të vëmendshëm. Si e përcjellin sportistët ditën e votimeve, çfarë mendojnë, ishte një pyetje që e mendonin pa dyshim.

Shumë festë, a kalonte sporti në plan të dytë atë ditë?
Të gjithë orientoheshin që ajo ditë të ishte sa festive aq edhe sportive, ndonëse rezultatet ishin pak në plan të dytë. Drejtues klubi, aq më shumë ata që ishin të organizuar në parti, e shprehnin më hapur entuziazmin. Për ne nuk kishte shumë rëndësi, se i dinim “rregullat që duhet të respektonim” atë ditë. Në autobus, kur udhëtonim për ndeshje, në dhomat e zhveshjes, tema e votimeve nuk ishte pjesë e bisedave, analizave teknike. Sigurisht që një fjalë “bëni kujdes sot”, na shoqëronte kur dilnim.

Edhe arbitrat ishin të orientuar dhe ju këshillonin, “kujdes”, apo jo?
Kujtoj se në një takim në Shkodër, arbitër ka qenë një tiranas, i cili, kur u rreshtuam në korridorin e stadiumit “Vojo Kushi”, na tha: “Sot është ditë votimesh. Duhet të jemi shumë korrektë, asnjë protestë, reagim, asnjë karton i verdhë, apo i kuq”. Edhe gjatë lojës, çdo ndërhyrje e shoqëronte me këshillën, orientimin që na kishte dhënë. Nuk duhet të bëheshe protagonist edhe për një ndërhyrje, sjellje. E trajtonin si shembull, veprim negativ në ditën e votimeve, që mundet të krijonte probleme.

Banerët politikë zotërojnë kudo, madje edhe në stadiume…
Stadiumet ishin plot me spektatorë, kishte interes për ndeshjet, edhe pse ishte ditë votimesh. Dhe sigurisht, nuk mungonin flamuj, foto të udhëheqësve, banerët kushtuar votimeve, shoqëruar me këngë, valle, muzikë para fillimit të lojës, si dhe në pushim. Para takimit, nga altoparlantët flitej edhe për rëndësinë e votimeve. Edhe tifozët ishin të kujdesshëm, asnjë incident, jo fyerje, të bënin problem në punë, kudo, si prishës i rendit në ditën e votimeve. Edhe policia ishte tejet aktive, veçanërisht atë ditë.

Si veprohej kur skuadra luante jashtë qytetit të saj?
Mua më ka rastisur që ditën e votimeve të luaj në Tiranë, por edhe jashtë saj. Merrnim me vete certifikatën për të votuar në qytetin ku shkonim, kur niseshim të shtunën. Një ditë përpara na e kujtonin: Nesër mos harroni, është ditë votimesh. Kujtoj, në Berat duhet të ketë qenë, fjetëm në Turizëm dhe të dielën herët na zgjuan, shkuam për të votuar në një qendër votimi afër hotelit. Pa e njohur personin, kandidatin. Ndryshe, kur qyteti ishte afër, nisja bëhej të dielën paradite, pasi kishim votuar. Po kështu vepronin edhe skuadrat që vinin në Tiranë, ose në qytete të tjera. Nuk më ka qëlluar të jem jashtë shtetit ditën e votimeve, por me informacionin që kam për kohën, sportistët votonin në ambasadë.

Sportistët thatë që ishin pak indiferentë, a i neglizhonin votimet?
Në përgjithësi ne sportistët zgjoheshim zakonisht pak më vonë. Ka qenë e diel kur dikush trokiti në derë, pashë orën, nuk kishte kaluar shtatën. U ngrita, hapa derën, kur shoh një person që më thotë: “Ju jeni Faruk Sejdini, ejani se vetëm ju keni mbetur pa votuar”. U vesha me shpejtësi, shkova, votova.

Dhe rasti tjetër?
Në rastin e dytë, ishim kthyer vonë të shtunën nga një ndeshje e largët, në Korçë duhet të ketë qenë, dhe nuk u zgjova shpejt. Mendova të shkoj pak më vonë për të votuar. Kur nga poshtë herët në mëngjes, ende pa zbardhur dita, kam dëgjuar që më thërrisnin: “O Faruk, Faruk”. Dola i shqetësuar. Ishin ata të lagjes: “Zbrit, zbrit mos u vono, pse nuk vjen, zbrit të votosh”. E kishin atë mendim, që sportistët neglizhojnë dhe kishin frikë. Duhet të dilnin të parët në votime, të mos mungonte askush. Votimet ishin kthyer si një garë midis lagjeve, qendrave të votimit. Kur zbrita, ndjeva një vështrim joadmirues, pak kritikues. Lagjja kontrollonte votimet, listat, personat, shihnin emrat e atyre që nuk kishin votuar, ose që vonoheshin.

Sa të impenjuar ishit ju sportistët në periudhë votimesh?
Jo, nuk na angazhonin për të bërë roje, gatishmëri, në qendrat e votimit atë natë, ose një natë më parë, siç veprohej. Na e bënin këtë favor. Flas për ne në Tiranë, lojtarë të klubeve të kryeqytetit, nuk e di në qytete të tjera. Sidomos në ato zona të vogla, pasi kam një rast që ma kanë treguar kur kutitë u hapen, para se të nisej skuadra, jashtë çdo rregulli.

Për çfarë periudhe bëhet fjalë?
Para viteve ‘80, dhe këtë ma kanë thënë disa miq nga Laçi. Kur skuadra atë të diel, ditë votimesh, do të luante në një qytet tjetër dhe udhëtimi do të bëhej me tren, i cili nisej nga stacioni i Laçit rreth orës 05:00, kur funksiononte vetëm linja Laç-Tiranë. Për këtë arsye, për skuadrën dhe disa tifozë, ishte biseduar që kutitë e votimeve të hapeshin në orën 04:00 të mëngjesit, që ata të votonin dhe me trenin e parë të niseshin për në ndeshje. Dhe ashtu u veprua. Ishin njerëzit e shtetit që urdhëronin, organizonin, vendosnin. Të hapeshin më vonë se ora 06:00 ishte problem, por përpara kësaj ore aspak. Kujt do t’i jepnin llogari, kush mund të fliste, ankohej, për atë parregullsi?

Në Tiranë, ditën e votimeve thuhet se luhej edhe futboll “klandestin”?
Është e vërtetë se edhe ditën e votimeve luhej futboll. Pas votimeve, dikush dilte shëtitje, të tjerët luanin në ato fusha që për kohën quheshin “të zeza”. Një e tillë shumë e frekuentuar për ato vite ishte ajo e SHNUM-it, ose tek Ambulanca e Lagjes 5, te Rruga e Kavajës. Njerëz të shumtë e ndiqnin atë ndeshje midis lagjeve, e organizuar privatisht nga lojtarët që ishin banorë, por edhe miq. Jo në kushte të përshtatshme, 5 x 5, me një arbitër, Dik Seferi i famshëm në atë rrugicë. Shpesh aty luanin edhe futbollistë të njohur. Kishte disa “fusha të zeza” në Tiranë, ku luhej sistematikisht të dielave, sigurisht edhe atë ditë.

Deri kur vazhdoi kjo atmosferë, kur votimet të ishin “të pranishme” edhe në stadiume?
Them deri nga vitet ‘80 ishte intensive, pastaj sikur i ra vrulli. Jo entuziazmi, festa, por jo më me parulla, banerë të vendosur në stadiume. Shumë më aktive, më e pranishme në mjediset sportive, ka qenë në periudhën e viteve ‘60-‘70.

Ju kujtohet për çfarë, cilën parti, kandidat, votohej?
Për një kandidat, jo dy, tre, dhe kryesorja ishte për deputet në Kuvendin Popullor. Për të tjerat thuajse më kanë dalë nga kujtesa, se kanë qenë disa votime. Por sinqerisht, ai ka qenë një proces, që për ne sportistët kishte pak interes dhe si i tillë, nuk të fiksohej si diçka me vlerë, i rëndësishëm në jetën e përditshme, impenjimet tona. Historikisht as nuk e kam ditur për cilin kam votuar, ose shumë pak informacion, ndoshta emrin. Dhe sigurisht që ai fitonte, se ishte i vetëm, pa rivalë. Në përgjithësi, sportistët nuk ndikoheshin nga votimet.

Ndodhte që në atë kohë, sportistët të ishin kandidatë apo deputetë në Kuvendin Popullor?
Jo, nuk më kujtohet një rast i tillë. Ndonëse sportistët ishin popullorë, por nuk i angazhonin, nuk ishin në vëmendje të shtetit për këtë funksion. Edhe si njerëz tolerantë, që dilnin jashtë shtetit, me preferenca perëndimore dhe jo shumë admirues të atij sistemi. Krejt ndryshe nga sot, votohet për disa kandidatë, pozitë, opozitë, ka disa parti dhe më shumë për miqësi, me tifozllëk, njohje, sesa bindje politike. Ku nuk mungojnë edhe sportistë, që vrapojnë, i ke në krye të fushatave, pastaj deputetë.

Të dielën e votimeve, sporti shqiptar do të ndalet, nuk ka asnjë aktivitet sportiv?
Nuk e merr përsipër policia, sikur kam dëgjuar, është thënë që mundet të jetë një arsyetim i drejtë, normal. Sot nuk është vetëm sporti argëtim si atëherë, ka edhe mjaft alternativa të tjera. Kohë tjetër, gjykim tjetër.

Sejdini, në mbyllje, si ju duket ky sezon, kampione SK Tirana apo Partizani?
Tejet i rivalizuar, vështirë të japësh një parashikim. Por më i bukur, më interesant do të jetë ai në edicionin e ardhshëm.

Pse?
Sigurisht me rikthimin e Dinamos do të kemi një tjetër sezon, një kampionat të vogël edhe midis ekipeve kryeqytetase, shumë i munguar për futbollin tonë. Shpresoj me Dinamon protagoniste, jo si një vit më parë, dhe pa u endur nga një fushë në tjetrën, por me një stadium, për klubin, lojtarët, tifozët. Se më rikthyet në periudhën komuniste të votimeve, duke më kujtuar se Dinamo e kishte një stadium apo jo? Jo për të votuar, por për të luajtur. Dhe me emrin Dinamo, siç e kanë SK Tirana, Partizani!

INTERVISTOI:  UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"