EKSKLUZIVE/ Zbardhet mbledhja e presidentit të Flamurtarit me ekipin, kërcënon Idrizi: Iki fare nëse nuk ngjitemi në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2023 | 22:06

EKSKLUZIVE/ Zbardhet mbledhja e presidentit të Flamurtarit me ekipin, kërcënon Idrizi: Iki fare nëse nuk ngjitemi në Superiore

Sinan Idrizi paralajmëron se do të largohet nga drejtimi i klubit nëse Flamurtari nuk ngjitet në Superiore këtë sezon. Deklarata e fortë është bërë nga vetë administratori gjatë një mbledhje me skuadrën dhe stafin teknik.

Idrizi

Me tone të ashpra, Idrizi ka shprehur pakënaqësinë e tij për ecurinë e skuadrës, sidomos për ndeshjen e fundit ku kuqezinjtë u mposhtën nga Bylisi në Ballsh. “Panorama Sport” ka arritur të zbardh deklaratat e Idrizit në mbledhjen e zhvilluar në dhomat e zhveshjes. “Nuk jemi mirë, nuk jemi keq… Jemi më keq se keq dhe më mirë se mirë. Jam shumë i pakënaqur djema! Mua më shumë se sa mungesa e rezultatit, më dhemb mosrespektimi i fanellës, që për mua dhe qytetarët e Vlorës është e shenjtë. Unë harxhoj nga lekët e mia që të mos iu mungojë asgjë, ju ma shpërbleni kështu. Më thoni, a ju kam borxhe? Pse nuk merrni përgjegjësi mbi vete? E dini apo jo ku keni ardhur. Më vjen keq, por nuk kam rrugë tjetër… Nëse nuk do të ngjitemi në Superiore, unë në fund të sezonit do të largohem”, mësohet të jetë shprehur Idrizi. Mbetet për t’u parë nëse kjo është një deklaratë emocionale apo më tepër kërcënuese para skuadrës në këtë moment jo të mirë, në një kohë që Idrizi ka thënë publikisht se ka projekt afatgjatë me Flamurtarin.

KRITIKAT Në sfidën përballë Bylisit, në pankinën e Flamurtarit ka pasur tension. Mësohet se nuk kanë munguar përplasjet mes lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafit teknik, ku protagonistë ishin kapiteni Denis Pjeshka, sulmuesi brazilian, Aleksandre Di Estefano, por edhe mesfushori Behar Ramadani. Nisur nga kjo situatë, Idrizi i ka mbledhur për t’i paralajmëruar për herë të fundit futbollistët. “Të parën fare, unë e kam me Pjeshkën. Në ndeshjen e fundit nuk ke marrë asnjë përgjegjësi. Ke dalë nga fusha në mënyrë jo të denjë. Denisi që njoh unë, nuk është ai që pashë atë ditë në Ballsh. Duhet të paktën që në mënyrë të drejtpërdrejtë të respektoje vendimin e trajnerit, mirë apo keq. Unë u mërzita që të ndërroi, por u mërzita më shumë që u mundëm në atë ndeshje. Edhe ti Ramadan, dialogun me trajnerin në fushën e lojës, nuk e kishe të mirë. Unë thashë është Ramadani apo ndonjë tjetër lojtar ky?! Kurse ky miku tjetër, ky djali nga Brazili (i drejtohet Estefanos) nuk e di çfarë ka që krijon konfliktet. Vucaj, nga ty pres shumë… Fat i keq që u dëmtove, por nuk ka justifikime më. Për ty Imam më thanë që të kishte pickuar bleta. E vërtetë është Imam? Të pickoi arrëza para ndeshjes?”, ka thënë Idrizi para lojtarëve, ndërsa për këtë rast ka marrë edhe një përgjigje nga Imami. “Jo, jo për zotin. Kisha dhimbje, për sytë e ballit”. Idrizi ia kthen: “Lëri sytë e ballit ti, po…” Fjalimi i administratorit dhe “thumbimet” ndaj lojtarëve vijojnë. “Ç’të them më tepër. Shpresoj që të bëni diçka më të mirë. Ramadan, me ty e kam unë vëlla, se ne të dy jemi pleq këtu. Do thonë që këta nuk kanë punuar fare, por nga mëngjesi në darkë vetëm llafe dhe aty e kanë lënë Flamurtarin. Denis, nuk kemi çfarë të bëjmë, Pjeshka i vogël është më i mirë nga ty, ta dish nga mua këtë. Të mos ndodhin më situata të tilla dhe përplasje si në Ballsh. Unë nuk iu pashë çfarë bëtë, por vetëm kur më thonë, ata u zunë në pankinë. Kjo është e turpshme! Shkojmë në Ballsh të luajmë dhe ju përlesheni me grushte me njëri-tjetrin. Më thoni ju mua, si mund të prodhoni lojë dhe të fitoni kur ju rriheni me njëri-tjetrin. Ky që po iu bëj është paralajmërimi i fundit”, ka thënë ndër të tjera Idrizi. Për të qetësuar disi situatën pas kritikave, presidenti i Flamurtarit kapet edhe me Olivierën. “Indio, po ti o vëlla, ke vënë dy vëth. Pa ktheu të shoh nga ana tjetër. Ke ndryshuar me sa po shoh…”.

TRAJNERËT Në mbledhje kreu i klubit vlonjat ka komentuar shkurtimisht largimin e Emiljano Çelës, por edhe rikthimin në pankinë të Dritan Resulit. “Futbolli i ka këto gjëra. Trajneri që iku ishte shumë i mirë. Emiljano Çela kishte përkushtim, por gjërat nuk shkuan ashtu siç duhet. Trajnerin e ri, Dritan Resulin, ju e njihni shumë mirë. Ai është njëri prej nesh nga Vlora. Tani duhet të jeni të përkushtuar për të arritur objektivin. Klubi dhe Vlora nuk presin më”, ka deklaruar Idrizi para skuadrës në mbledhjen e fundit.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"