EKSKLUZIVE/ Zbardhen prapaskenat! “Gropa” në sulm, Partizanit i kërkojnë 250 mijë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2023 | 8:22

EKSKLUZIVE/ Zbardhen prapaskenat! “Gropa” në sulm, Partizanit i kërkojnë 250 mijë euro

Kristian Mba mësohet të jetë lojtari i zgjedhur nga Partizani për të zëvendësuar Xhuliano Skukën, i shitur te Metz për një shifër, që pritet ta kalojë 1 milion euroshin. Sulmuesi me origjinë nga Nigeria është një zbulim ekskluziv i klubit nga Mitrovica, Trepça ’89.

Mba_Christian_shot_Trepca89Vellaznimi_apr2022-1024x683-1

Në këtë sezon ai ka luajtur në 18 ndeshje dhe ka arritur të shënojë plot 10 gola, teksa ka dhuruar 5 asiste, çka tregon edhe aftësitë e tij krijuese në lojë. Drejtuesit e Partizanit, pasi kanë studiuar një listë të gjatë emrash, kanë vendosur të përqendrojnë vëmendjen më të madhe te 23-vjeçari, i cili shihet si zëvendësuesi i duhur për Skukën për shkak të treguesve të tij dhe faktit se është përshtatur në Superligën e Kosovës, një kampionat i ngjashëm me Superioren.

PRAPASKENAT – Prej disa ditësh dy klubet janë në bisedime për të arritur një marrëveshje për sulmuesin, i cili është nën kontratë me Trepçën dhe duhet një shumë parash në këmbim, për ta kthyer në “dem”. Fakti që të kuqtë kanë arkëtuar një shumë të madhe nga shitja e Skukës e bën Partizanin të ndihet “i shfrytëzuar” si Barcelona dikur, që mori 222 milionë euro nga shitja e Nejmarit te PSG-ja dhe kërkesat e klubeve të tjera për lojtarët ishin të mëdha. Megjithëse shifrat në rastin tonë janë ekstremisht më të ulëta, “oreksi” i Trepçës është mjaft i madh. Gazeta mëson se shuma që kërkojnë “Dardanët” për Mba është plot 250 mijë euro. Kjo shifër konsiderohet e lartë nga Partizani, që po negocion për ulje çmimi. Duke parë vullnetin e të dyja palëve për të bashkëpunuar, rruga për të gjetur një të mesme të artë duket shumë e mundshme dhe shanset që Mba të vishet i kuq janë të mëdha. Ndërkohë, ende aktive është edhe pista Hilterman, e cila për shkak se kërkon më shumë investim, është lënë për momentin mënjanë.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"