EKSKLUZIVE/ Vora e nis me stafin teknik, trajneri gjirokastrit i Bylisit mund të marrë drejtimin që sot

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2024 | 8:47

EKSKLUZIVE/ Vora e nis me stafin teknik, trajneri gjirokastrit i Bylisit mund të marrë drejtimin që sot

Arian Bellai pritet të jetë trajneri i ri i Vorës. Burime të besueshme të “Panorama Sport” pranë klubit vorak, treguan dje se drejtuesit janë në bisedime të avancuara me gjirokastritin. Ai mbylli sezonin në krye të Bylisit, duke e ngjitur këtë skuadër në Kategorinë Superiore.

BELLAI

Bellait i ka përfunduar kontrata me ballshiotët dhe kësisoji Vora i ka bërë një ofertë joshëse trajnerit. Nuk është çudi që Bellai të prezantohet që sot nga klubi. Ish-mesfushori i Kombëtares ka eksperiencën e duhur, pasi ka drejtuar më parë Luftëtarin dhe Bylisin në Superiore, ndërsa ka qenë edhe trajner i Shqipërisë U-19. Ai ka drejtuar gjithashtu skuadrat greke, Kallamata dhe Apolon Larisa.

IKËN HIDI

Isli Hidi largohet nga Vora pas dy vitesh. Portier dhe më pas trajner i portierëve, ka bërë dje një mesazh falënderimi për klubin. “Faleminderit Vora për gjithçka që kemi kaluar bashkë këto dy vite të mrekullueshme. Jam krenar për këtë fanellë, pasi bëmë diçka të bukur dhe dhuruam emocione çdo ndeshje. Bëmë të ëndërronim qytetin dhe tifozët që na mbështetën pafund. Faleminderit presidentit, drejtorit, stafit, lojtarëve dhe të gjithë atyre që na kanë qëndruar pranë si në ditët e mira dhe të vështira. Largohem krenar për atë që kemi bërë të gjithë së bashku! Suksese dhe shpresoj në realizimin e objektivave në sezonin ri”, shkruante ish-portieri i Kombëtares në rrjetet sociale.

SITUATA

Drejtuesit e Vorës kanë mbetur të zhgënjyer nga pritshmëritë e lojtarëve në sezonin e fundit, pasi një pjesë e mirë e tyre u afruan që skuadra të ngjitjes në Superiore. Në kanë nisur bisedimet për merkaton e verës, e cila pritet të jetë e gjithanshme, pasi pritet të nisë nga trajneri i ri. Në radhët e Vorës disa lojtarë janë ende nën kontratë, por klubi mund të prishë marrëveshjen me ndonjërin prej atyre që kanë oferta. Gjithashtu një drejtim tjetër i zhvillimit të merkatos ka të bëjë edhe me lojtarët që do të rinovojnë apo ata që do afrohen. Sa u përket lojtarëve që u kanë skaduar kontratat, drejtuesit e klubit u kanë dhënë të drejtën atyre që të nisin bisedimet sa i përket të ardhmes së tyre edhe me klube të tjera.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"