EKSKLUZIVE/ “Vllaznia e mund Tiranën me tifozë”, Balaj shënjestron bardheblutë: Në këtë garë nuk ka ekip që… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2024 | 21:17

EKSKLUZIVE/ “Vllaznia e mund Tiranën me tifozë”, Balaj shënjestron bardheblutë: Në këtë garë nuk ka ekip që… (E PLOTË)

Vllaznia ka një përball je të vështirë, por edhe me rëndësi këtë javë ndaj një tjetër kundërshtari direkt siç është Tirana. Këtë e ka theksuar edhe vetë kapiteni kuqeblu, Bekim Balaj. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai është shfqur optimist se Vllaznia do të dijë të dalë fituese edhe nga kjo përballje, duke bërë edhe një hap tjetër të sigurt drejt katërshes së parë. Sulmuesi është i bindur se kuqeblutë i kanë të gjitha mundësitë për të dalë fitues nga përballja e së shtunës ndaj Tiranës, duke lënë pas me disa pikë edhe një kundërshtar direkt për luftën drejt katërshes.

balaj

Një fitore me shumë vlera ndaj Dinamos, që duket se ju la të punonit më qetë para Tiranës?

Normalisht që ishte një fitore me shumë vlerë ndaj Dinamos që me paraqitjet e fundit mendoj se është një ekip serioz për katërshen e parë. Normalisht, fitorja na ka lënë të qetë gjatë kësaj jave për të përgatitur sa më mirë ndeshjen ndaj Tiranës.

Një fitore që ju afron shume për një vend në katërshe?

Trepikëshi ndaj Dinamos na krijoi mundësinë të jemi në vendin e dytë, por edhe që na krijoi një distancë të konsiderueshme ndaj Dinamos e Tiranës që janë ndër ato ekipe që pretendojnë për katërshen e parë.

Cila tani është skuadra që ju duhet t’i “trembeni”, më shumë në këto javë?

Ne kemi luajtur me të gjitha ekipet. I vlerësoj maksimalisht, por them se nuk ka ekip që duhet t’i trembemi. Normalisht që ekipe si Egnatia, Partizani, Tirana e po ashtu edhe Dinamo kanë ekipe shumë të mira dhe që do të jenë pretendente deri në fund. Ne duhet që të shohim vetëm veten dhe të marrim rezultate pozitive.

Dhjetë rezultate pozitive në kampionat tregon se te Vllaznia ka një ndryshim rrënjësor. Çfarë ka ndryshuar?

Normalisht që këto rezultate pozitive kanë rritur besimin dhe entuziazmin në skuadër. Siç e thashë duhet marrë ndeshjet një nga një, pasi të gjitha kanë vlerat e tre pikëve. Kjo situatë pozitive është krijuar javë pas jave. Ne kemi vlerësuar maksimalisht çdo ndeshje. Këtë do të bëjmë javë pas jave, por tani vëmendja është te takimi me Tiranën.

Të shtunën ndaj Tiranës, do të kërkohet fitorja e radhës apo edhe një pikë mund të jetë pozitive në këto momente?

Normalisht ndaj Tiranës përqendrimi është maksimal. Në Shkodër çdo ndeshje ndaj Tiranës është vlerësuar maksimalisht. E tillë do të jetë edhe kjo përballje. Tiranë është një kundërshtarë i përhershëm dhe direkt për katërshen e parë kështu që një fitore do të ishte shumë e vlefshme, por gjithsesi dhe me mbështetjen e tifozëve dhe me një vlerësim maksimal që i kemi bërë kësaj ndeshje do të kërkojmë që të bëjmë më të mirën dhe ta fitojmë këtë takim.

Vllaznia me mbrojtjen më të mirë, shpresoni që do të vijoni sërish kështu edhe ndaj Tiranës?

Normalisht po. Këtë e kemi treguar me paraqitjet tona. Mendoj se ekipi ka bërë mirë si në mbrojtje dhe në sulm. Dhe këtë ndeshje ndaj Tiranës ne do të mendojmë jo vetëm në mbrojtje, por edhe në sulm si një skuadër dhe të kërkojmë që jo vetëm të mos pësojmë, por edhe të shënojmë sa më shumë.

Pritet sërish një gol i juaji edhe në këtë takim ndaj bardhebluve?

Dëshira është shumë e madhe për të shënuar, jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe në ndeshjet e tjera. Ndoshta në këtë ndeshje pak rëndësi ka se kush shënon, por të shënojmë dhe të marrim tre pikëshin.

Apeli juaj për tifozërinë, pasi në të tilla takime ato kanë treguar se janë vendimtarë?

Me paraqitjet që kemi bërë nga ndeshja në ndeshje ne kemi kthyer edhe besimin tek tifozët tanë, por edhe gjithë Shkodrës që jeton me ne. Paraqitja që kemi bërë nga ndeshja në ndeshje ka bërë që edhe tifozët të jenë më pranë. Por në ndeshje të tilla tifozëria nuk ka nevojë për apel. Ne presim një stadium të mbushur që do të na japin një shtysë edhe më të madhe për të fituar këtë ndeshje.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"