EKSKLUZIVE/ Vlerësohet 400 mijë euro, sirena nga Turqia dhe Azerbajxhani për titullarin e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2023 | 23:52

EKSKLUZIVE/ Vlerësohet 400 mijë euro, sirena nga Turqia dhe Azerbajxhani për titullarin e Tiranës

Florent Hasani është në qendër të merkatos. Sul muesi kryesor i Tiranës, i cili këtë kampionat ka shënuar 14 herë mes Superiores, Superkupës dhe Kupës së Shqipërisë, në fund të sezonit mund të largohet nga bardheblutë.

hasani

Janë disa skuadra që kanë dëshirë të marrin shërbimet e lojtarit të Përfaqësueses së Kosovës. Mësohet se për futbollistin interesohen skuadra nga Turqia dhe Azerbajxhani.

Lojtari është lideri i bardhebluve këtë sezon. Ai la Hungarinë për Shqipërinë, por duket se shumë shpejt, ndoshta pas Europës, do të prekë një aventurë europiane. Ende nuk janë zbuluar skuadrat, të cilat kërkojnë shërbimet e shqiptarit, ndërkohë nuk përjashtohet mundësia që edhe ekipe të tjera të duan Hasanin.

Kartoni i lojtarit vlerësohet 400 mijë euro. Ai është futbollisti më i shtrenjtë i Tiranës. Po kështu, këtë kampionat, veç 14 golave, Hasani që është 25 vjeç në 32 takime në kampionat, ka dhënë 5 asiste si dhe ka qenë në fushën e lojës 2496 minuta.

MERKATOJA – Tirana në janar shiti dy lojtarë gjatë merkatos. Bëhet fjalë për Redon Xhixhën dhe Marsel Ismajlgecin, të cilët u kanë sjellë bardhebluve 700 mijë euro.

Këtu nuk llogariten largimet e verës, ku Tirana shiti tre lojtarë, Seferin, Tolin e Totren për shumën 820 mijë euro. Këtë sezon Tirana vetëm nga shitja e lojtarëve ka grumbulluar mbi 1.5 milionë euro, plus paratë e titullit dhe Europës.

Merkatoja dhe largimet kanë bërë që skuadra të shohë të gjithë kampionët larg vetes. I pari iku kapiteni Erjon Hoxhallari. Më pas, pikërisht pas Europës, rrugën morën Seferi, Toli e Totre.

“Hemorragjia” e largimeve te kampionët vazhdoi edhe në këtë janar, teksa ikën po kështu edhe dyshja Marsel Ismajlgeci e Redon Xhixha, si dhe Vesel Limaj. U afruan Kristal Abazaj, Regi Lushkja dhe Rimal Haxhiu.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"