EKSKLUZIVE/ U mori trofeun “demave” para 19 viteve, ish-mbrojtësi Dabulla: Ja si Tirana e fiton titullin ndaj Partizanit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 20:14

EKSKLUZIVE/ U mori trofeun “demave” para 19 viteve, ish-mbrojtësi Dabulla: Ja si Tirana e fiton titullin ndaj Partizanit (E PLOTË)

Tirana dhe Partizani për herë të fundit kanë luajtur për titullin kampion kokë më kokë në sezonin 2003-2004 ku në fund kampionë u shpallën bardheblutë. Një nga aktorët e asaj skuadre është Rezart Dabulla. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Dabulla rrëfen Partizanin e atëhershëm dhe si mund të fitohet titulli këtë kampionat ku të kuqtë dhe kampionët luajë sërish kokë më kokë me njëri-tjetrin.

dabulla

Rezart, ju keni qenë një nga lojtarët kryesorë të sezonit 2003-2004. Keni fituar një titull, duke mundur Partizanin. Një sezon i ngjashëm si ky i sivjetmi?

Kanë kaluar rreth 20 vite dhe të them të vërtetën shumë gjëra harrohen. Di të them që përballë kishim ndoshta një Partizan shumë të fortë. Ndoshta skuadrën më të fortë që ata kanë pasur vitet e fundit. Nëse nuk gabohem kanë pasur shumë emra të njohur të kampionatit shqiptar, por edhe brazilianët Karioka, Brashini, Abilio. Një skuadër që ishte e kompletuar dhe realisht na hapi shumë punë deri në fund të kampionatit.

Gjithsesi, ju në fund ia dolët. Përse e fitoi Tirana atë vit titullin kampion?

Kjo është një temë tjetër. Ne kishim një superskuadër e kishim superlojtarë. Kishim supercilësi. Disa liderë. Arma jonë e fortë ishte se mundnim çdo kundërshtar, brenda dhe jashtë fushe. Forca jonë ishte që të mundnim kundërshtarët jashtë. Në kohën tonë edhe barazimi ishte hall më vete. Bënim mbledhje çdo ditë për një barazim. Ne lojtarët. Të mos flas për klubin. Ishte diçka e jashtëzakonshme. Të humbisje, nuk dilje dot në qytet. Tifozëria na ka qëndruar në krah dhe nuk e pranonin humbjen. Thjesht atë vit ne ishim më të fortë. Edhe pse Partizani u mundua, ne e dominuam në çdo aspekt.

Si e shihni këtë skuadër këtë sezon dhe si është në krahasim me Partizanin në luftën për titull?

Tirana e këtij sezoni ka një problem shumë të madh. E para, nuk ka një lider në fushën e lojës. Ka lojtarë shumë të mirë, por jo liderë. E dyta ka pasur jashtëzakonisht shumë oshilacione. Ka humbur shumë ndeshje. Ka lënë shumë pikë rrugës. Nuk ka bërë një kampionat linear. Kanë humbur pikë lart e poshtë. Një ekip pa stabilitet. Nuk ka guxim të fitojë apo të luajë në ndeshje të mëdha. Ka gabuar shumë. Tej të tjerave është në vendin e parë se skuadrat e tjera kanë gabuar jashtëzakonisht shumë. Sot që flasim, Tirana duhet të kishte mbyllur kampionatin. Është në pikën zero, i barabartë me Partizanin.

Çfarë mendimi keni për drejtimin e skuadrës nga trajneri Orges Shehi?

Jo vetëm për këtë sezon, por edhe për kampionatin e shkuar ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Ai është një nga shtyllat së bashku me trajnerët e tjerë. Problemi është që Shehit i larguan lojtarët e mirë kundër dëshirës së tij. Shoh që nuk ka alternativa dhe kjo të bën që të mos fitosh siç ndodhi në derbi.

Përse e prekni derbin?

Tirana në atë ndeshje humbi si fëmijë. Duhet të luante për dy rezultate dhe në fund humbi. Nuk administroi dot sfidën deri në fund të lojës. Bëri gabime menaxhimi dhe nuk kishte lojtarët e duhur. Një ndeshje për t’u harruar. Një pasqyrë e gjithë sezonit futbollistik.

Merkatoja e Tiranës, si mund të quhet?

Ky është problemi i madh. Klubi ka punuar shumë mirë, por në fund gaboi me merkaton. Vendosi të largonte lojtarët e mirë në këtë janar, duke e dobësuar ekipin. Mori pak para tani, por humbi paratë e mëdha, titullin.

Milionat i sjell titulli dhe këtu gabuan. Lojtarët që u afruan janë shumë cilësorë, por jo gati për në fushë. Si Abazaj dhe Lushkja do të shkëlqejnë sezonin e ardhshëm. Tirana nuk duhet të kishte larguar më të mirët, por të fitonte titullin dhe më pas të mendonte për merkaton. Ky është gabimi që bëri klubi. Nuk mund të marrësh lojtarë që ende nuk janë gati.

Titulli kampion mund të fitohet?

Si fillim dua të them se unë dua që me zemër titullin ta fitojë Tirana. Kritikat që bëj apo sugjerimet që jap uroj të mos më dalin në fund, pasi jam bardheblu dhe dua tituj në seri. Fakt është që skuadra është jo e stabilizuar dhe ka shumë oshilacione. Fatkeqësisht, Partizani është më i avantazhuar. Tirana nuk duhet të gabojë në asnjë moment që të fitojë titullin. Dhe për këtë duhet të bëjë 10 javë perfekte.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"