EKSKLUZIVE/ “Titulli vendoset këtë javë”, Duro: Partizani humbi shansin e madh, ja ku gabuan të kuqtë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2023 | 21:35

EKSKLUZIVE/ “Titulli vendoset këtë javë”, Duro: Partizani humbi shansin e madh, ja ku gabuan të kuqtë (E PLOTË)

Shpëtim Duro është njeriu i momentit në futbollin e Maqedonisë së Veriut, pas shpalljes kampion me skuadrën e Strugës, e cila nën drejtimin e një eksperti si trajneri tiranas arriti të dominonte dhe të fitonte titullin për herë të parë në histori. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-trajneri i Partizanit analizon suksesin e tij me Strugën, si dhe flet për derbin mes Tiranës dhe Partizanit, i mbyllur në një barazim 1-1. Duro shprehet se Shehi e fitoi betejën taktike me Kolelën. Gjithsesi, sipas tij, asgjë nuk është mbyllur.

shpetim duro

Sa i vështirë ishte ky titull me një klub të ri si Struga?

Sigurisht që çdo titull ka vështirësitë e veta, akoma më shumë kur është një klub i ri si Struga, pa traditën e disa prej skuadrave të tjera. Një klub që nuk ka traditë në fitimin e trofeve, ka vështirësitë e veta, kështu që në këtë aspekt kemi rivalizuar dhe kemi mposhtur dy skuadra me shumë traditë si Shkëndija dhe Shkupi.

Latë Egnatian dhe shkuat në Strugë, ku shkruat historinë. Çfarë mendoni pas gjithë kësaj?

Mua më bëhet shumë qejfi për Egnatian, e cila po shkon drejt arritjes së objektivave. Unë punova për tre muaj në këtë skuadër dhe siç e kam thënë, e nxora nga situata shumë e vështirë, duke e marrë në dy vendet e fundit dhe lënë në një situatë shumë të mirë, pikërisht në pozicionin që është në këto momente.

Ndihem mirë edhe për faktin që dy lojtarë, të cilët i kam afruar vetë, si Duamena dhe Kasa, po tregohen shumë të rëndësishëm, kanë bërë diferencën dhe kanë ngritur me 50% nivelin e skuadrës. Largova shumë futbollistë, që nuk i duheshin skuadrës. Ndoshta nga ky largim imi përfitoi Struga, sepse shpejt më bëri ofertë. Në përfundim të të gjithë kësaj mund të them se ka qenë zgjidhja ideale nga ana ime, sepse të shpallesh kampion me këtë skuadër, është një moment unik dhe historik.

Besonit se mund ta shpallnit kampione Strugën që në momentin kur shkuat apo ishte një mision që u ndërtua rrugës?

Në fillim të kampionatit Shkupi dhe Shkëndija hynë për titullin kampion, por Struga përfitoi nga oshilacionet e Shkëndijës në fazën e parë dhe arriti ta marrë kryesimin. Por në momentin kur unë e mora skuadrën, kishte oshilacione, vinte pas katër ndeshjesh pa fitore, çka ishte edhe arsyeja përse u zëvendësua trajneri.

Ishim një pikë larg Shkupit, me një ndeshje më shumë sesa Shkupi dhe Shkëndija. Debutimi im erdhi me Shkupin dhe në atë moment fitorja i dha shumë rëndësi vazhdimit të rezultateve pozitive. Në përfundim të kampionatit jemi 10 pikë larg rivalëve.

Thelluam diferencën dhe fituam bindshëm titullin. Jemi edhe në finale të Kupës, pretendentë për ta fituar edhe këtë trofe. Pastaj patjetër që besoja se do ta nxirrja kampione Strugën, kjo ishte edhe arsyeja përse unë e mora drejtimin e skuadrës.

A e patë derbin? Si ju duk kjo ndeshje për nga niveli i lojës?

Ne jemi grumbulluar me skuadrën në Mavrovë për finalen e Kupës dhe e pashë derbin së bashku me skuadrën. Më tepër ishte ambient tejet i bukur, sepse të luash në “Air Albania”, edhe ndeshja mes skuadrave të dorës së dytë të bën që ndeshja të duket e bukur, e jo më Tirana dhe Partizani. Unë mendoj se më tepër ishte një ndeshje taktike nga të dyja skuadrat. Por si konkluzion dua të them se pavarësisht mungesave shumë cilësore të Tiranës, Partizani nuk arriti të përfitonte. Meriton komplimente trajneri i Tiranës, Orges Shehi, i cili me gjithë mungesat e shumta, arriti të bëjë një përgatitje jashtëzakonisht pozitive të ndeshjes.

Si është gara për titullin kampion pas këtij barazimi? Kush është më i avantazhuar?

Padyshim, barazimi i shkon për shtat Tiranës, por gjithçka mbetet shumë e hapur. Kjo javë që vjen, është shumë vendimtare. Të dyja skuadrat kanë ndeshje shumë të rëndësishme. Partizani luan me Vllazninë dhe njëkohësisht edhe Tirana në Laç. Kështu që çdo gjë është e hapur.

Si ju duk qasja e “demave” në këtë ndeshje?

Ishte një ndeshje shumë e kujdesshme në pjesën e parë. Partizani pati fatin që realizoi në fillim të pjesës së dytë, por pastaj menaxhimi i situatave të lojës nga Partizani nuk ishte i duhuri.

Ka kritika për ndërrimet e Partizanit. Ju si mendoni?

Nuk dua të hyj në hollësi, por në pamje të parë, largimi i Rrapajt dhe Da Silvës nga loja ishte shumë i shpejtë. Janë lojtarë të rrezikshëm dhe duke shtuar edhe Mbanë, them se në ato momente nuk duhej të kishin dalë. Menaxhimi i ndeshjes pas golit nuk ishte i duhuri, pasi u pa qartë se pas golit Tirana mori iniciativën. Partizani kishte përballë një Tiranë me shumë mungesa dhe duhej ta shfrytëzonte më mirë. Megjithatë, them se çdo gjë është e hapur.

Përse Partizani i djeg vazhdimisht mundësitë për të bërë hapa të mëdhenj drejt titullit?

Këtë vit Partizani ka pasur një organikë shumë të mirë në të gjitha aspektet. Është e vërtetë që pati largime, por pati edhe afrime shumë cilësore. Është larguar Skuka, por ka marrë një superfutbollist në sulm, si Mba. Partizani ka një organikë shumë të pasur duke nisur nga porta, për të vazhduar deri në sulm.

Unë them se ky vit ishte i duhuri për Partizanin, por fakt është që ata nuk kanë pasur ekuilibër gjatë gjithë vitit. Është në mesin e skuadrave që kanë pësuar më shumë gola. Një skuadër që pretendon për kampion, nuk është e pranueshme që të pësojë kaq shumë gola. Kjo ka qenë edhe vështirësia më e madhe e Partizanit. Nuk ka ditur të menaxhojë. Ka shënuar gjithnjë, por nuk ka mbrojtur rezultatin.

Si një ekspert trajningu, kush e fitoi betejën taktike ditën e djeshme mes Kolelës dhe Shehit?

Tirana ka pasur mungesa shumë të rëndësishme, mes tyre Hasani, lojtari më i mirë dhe një nga pikat më të forta të Tiranës. Mungonte dhe Behiratçe, një nga pikat e forta në mbrojtje, si dhe një mesfushor plot cilësi si Hila. Pavarësisht kësaj, Partizani nuk i shfrytëzoi. Përgatitja e ndeshjes nga ana e Shehit ishte më e mirë dhe taktikisht ka vepruar jashtëzakonisht mirë gjatë gjithë ndeshjes.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"