EKSKLUZIVE/ Tetë muaj jashtë, Patrik: Kam uri për të luajtur dhe shënuar. Ishte një kthim fantastik ndaj Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2023 | 9:07

EKSKLUZIVE/ Tetë muaj jashtë, Patrik: Kam uri për të luajtur dhe shënuar. Ishte një kthim fantastik ndaj Kukësit

Patrik Robson ishte lojtari që ndryshoi lojën e Tiranës në sfidën ndaj Kukësit. Në dy raste ai dha asistet e golit, duke ndryshuar fatet e lojës.

PATRIK1

Dhe të thuash që nuk luante një ndeshje që prej sezonit të shkuar. Pikërisht në derbin me Partizanin në 6 marsin e shkuar, Patrik u dëmtua. Më pas operacion dhe riaftësim. Ende nuk është gati 100 për qind për të luajtur, por forma e tij ishte fantastike në sfidën e parë që luajti zyrtarisht këtë sezon. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai rrëfen qëndrimin jashtë fushave.

Patrik, tetë muaj jashtë, si ishte rikthimi në fushë pas një periudhe kaq të gjatë?

Jam shumë i lumtur që rigjeta fushën e lojës. Më kishte munguar të luaja. Mbi të gjitha jam i lumtur që ndihmova ekipin të arrinte fitoren këtë javë. Asistova te golat, që solli edhe fitoren me përmbysje. Më mirë se kaq nuk mund të shkonte. Ishte një kthim fantastik në fushën e lojës.

U dëmtuat në derbin e marsit, u operuat, si kanë qenë këta muaj për ju Patrik?

Kanë qenë muaj të vështirë. Ose më saktë të vështirë është pak të them. Tetë muaj pa futboll. Kam uri për të qenë në fushë. Besoj se e imagjinoni vetë në çfarë situate kam qenë. Por ja ku jam, u ktheva tani dhe jam më mirë. Falë zotit gjithçka është lënë pas krahëve.

U futët në fushë dhe skuadra fitoi, madje presidenti ju vlerësoi në fund të takimit. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Nuk di çfarë të them. I falënderoj për vlerësimet. Jam i lumtur që shkoi kështu, ndihmova ekipin dhe morëm një trepikësh të çmuar. Mund të vazhdojmë kështu. I kemi shanset që të marrim të tjera fitore në ndeshjet e ardhshme dhe shkojmë sa më lart në renditje. Duam që të jemi sa më shpejt në vendin e parë.

Duke mos shtyrë edhe më shumë, kur do t’ju shohim titullar me fanellën e Tiranës?

Kjo ndeshje ishte e mirë për mua për aq sa luajta edhe për ekipin. Morëm vërtet dy gola dhe rrezikuam ta humbnisin, por reaguam… Më duhet edhe pak kohë për të qenë gati nga minuta e parë. Më pas është vendimi i trajnerit nëse luaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"