EKSKLUZIVE/ Tek Flamurtari rikthehet Resuli, zbardhen prapaskenat e shkarkimit të Çelës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2023 | 9:20

EKSKLUZIVE/ Tek Flamurtari rikthehet Resuli, zbardhen prapaskenat e shkarkimit të Çelës

Emiljano Çela u shkarkua dje nga pankina e Flamurtarit, pasi humbja në Bylis ka rezultuar fatale.

cela

PRAPASKENA E VENDIMIT “Panorama Sport” mëson se trajnerit Emiljano Çela i është kërkuar të japë dorëheqjen pas humbjes në Ballsh. Njerëz pranë administratorit Sinan Idrizi, kanë kontaktuar trajnerin dhe i kanë kërkuar që të largohej. Por në kushtet kur trajneri nuk ka marrë një vendim të tillë, klubi u detyrua që ta shkarkonte.

TRAJNERI I RI Flamurtari rikthen një vlonjat në stol. Pas shkarkimit të Emiljano Çelës, kanë zgjedhur Dritan Resulin si pasardhësin e tij. Lajmi është mësuar ekskluzivisht nga “Panorama Sport”. 47-vjeçari është një njohës i mirë i ambientit, pasi e ka drejtuar disa herë në Superiore, Kategori të Parë dhe në Kategori të Dytë. Madje ishte pikërisht ai që e ngjiti skuadrën nga niveli i tretë në të dytin. Sezonin e shkuar, Dritan Resuli drejtoi Labërinë. Në nisje të të sivjetshmit, ai u kërkua nga Oriku, por nuk e pranoi ofertën. Trajneri i ri pritet që të prezantohet gjatë ditës së sotme përpara skuadrës dhe të nisë menjëherë punën për përgatitjen e ndeshjes me Kastriotin. Në një kohë kur distanca me kreun për të arritur Superioren është e konsiderueshme, mbetet për t’u parë se cili do të jetë objektivi për trajnerin e ri.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"