EKSKLUZIVE/ “Tani do të shihni Tiranën”, Hasani: Dua që golat e mi të jenë vendimtar në çdo sfidë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2023 | 8:32

EKSKLUZIVE/ “Tani do të shihni Tiranën”, Hasani: Dua që golat e mi të jenë vendimtar në çdo sfidë (E PLOTË)

Florent Hasani kërkon të jetë lojtari vendimtar në çdo ndeshje të Tiranës, siç ka bërë deri sot në kampionat. Sulmuesi bardheblu është i bindur që skuadra ka lënë pas momentin “jo”, ndërkohë që tani ka radhën për të fituar ndeshjet. Mendjen nuk e ka te kreu, por te titulli në fund të sezonit. Lideri i sulmit për “Panorama Sport”, pranoi se lojtarët e prapavijës kanë të drejtë dhe Tirana, që në sfidën e radhës do të ndryshojë mënyrën e të mbrojturit në fushën e lojës.

hasani

Tirana ka tri ndeshje që nuk mundet. Florenti si e vlerëson në këtë moment ekipin?

Realisht mendoj se ende nuk janë ato rezultatet pozitive që dua dhe duam të gjithë. Ama shoh skuadrën, sidomos në dy ndeshjet e fundit, që ka kapur një ritëm të mirë. Ka arritur formën e duhur. Kjo nuk do të thotë se jemi perfektë. Disa detaje të vogla duhet t’i përmirësojmë dhe të vazhdojmë rrugën që të gjithë duam.

Dy qendërmbrojtësit kanë deklaruar se një nga pikat e dobëta të ekipit është mënyra e të mbrojturit, pasi skuadra është shumë sulmuese?

Kjo që thonë djemtë është e vërtetë. Normalisht që kemi kualitet në repartin e avancuar, që sulmojmë shumë, por duhet të mbrojmë të gjithë së bashku. Që nga sulmuesi, te mesfushorët, mbrojtësit. Kjo që të ndihmojmë njëri-tjetrin. Tirana dëshiron të zhvillojë lojë ofensive, por duhet të mendojë edhe për lojën difensive.

E prekët pak më sipër çështjen e rezultateve. Mund të themi që prej Tiranës, kriza është kaluar?

Them se po. Ndonëse në Korçë mbaroi ndeshja 1-1, sfida ishte shumë e mirë për mënyrën se si e luajtëm. E përgatitur ishte në atë mënyrë që të bënim mirë. Çdo gjë në perfeksion. Në fund të fundit një pikë asnjëherë nuk na kënaq, por them se kriza ka kaluar.

Ndeshjet shtesë në fund të kampionatit a kanë ndikuar në këtë përgjumje të ekipit?

Unë personalisht mendoj se “Final-4” nuk ka ndikuar. Mendjen nuk e ka kush te kundërshtarët apo te “finalet”. As te vendi i parë apo i dytë. Kjo është një krizë brenda grupit, një krizë psikologjike dhe mendoj se e kemi lënë pas.

Florent Hasani me golat e tij, vazhdon të jetë shumë vendimtar për Tiranën. Keni një koment?

Dua dhe shpresoj të vazhdoj edhe në takimet e tjera të kem këtë peshë dhe të vendos. Goli është detyra ime që duhet ta bëj. Do të kërkoj ta bëj këtë detyrë deri në fund, duke shënuar sa më shumë gola dhe të jem vendimtar për Tiranën.

Një pyetje retorike është fitimi i titullit apo gjërat janë komplikuar…

Titulli është objektivi kryesor dhe normal që mund t’ia arrijmë. Për titullin e kemi skuadrën. Kemi lojtarë që e kanë fituar më parë kampionatin, lojtarë me eksperiencë, por mbi të gjitha kualitet në skuadër. Pas kësaj krize të vogël mendoj se do ta shohin Tiranën në formën më të mirë të mundshme.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"