EKSKLUZIVE/ Skënderbeu super, portieri Marko Alia: Kam pasur oferta, ju tregoj si e ndala Kahrimanoviç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2024 | 22:01

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu super, portieri Marko Alia: Kam pasur oferta, ju tregoj si e ndala Kahrimanoviç

Skënderbeu sigloi një fitore bindëse me shifrat 0- 3 në Rrogozhinë kundër Erzenit. Një nga protagonistët absolutë për ekipin e Ivan Gozdenoviç rezultoi portieri Marko Alia, i cili priti penalltinë e Amir Kahrivanoviç në fundin e pjesës së parë. Ai bëhet portieri i parë që ndal kroatin nga pika e bardhë në dy sezone në Superiore.

Alia

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Alia u shpreh i lumtur për paraqitjen e tij dhe triumfin kundër shijakasve. 23-vjeçari, i cili ka qenë pjesë e ekipit të Lacios, theksoi se aventurën tek Skënderbeu e sheh trampolinë për tu rikthyer në kampionatet elitare të Europës.

PENALLTIA E PRITUR – “Jam i kënaqur me veten dhe paraqitjen e të gjithë shokëve të skuadrës në këtë ndeshje shumë të rëndësishme. Më i lumtur jam që arritëm tri pikë në një ndeshje kaq delikate, sesa me faktin që prita një 11-metërsh, pasi në fund të ditës unë bëra thjesht detyrën. Shpresoj të vijojmë kështu, edhe pse do të jetë e vështirë, pasi çdo skuadër ka nevojë për pikë”.

NDAJ KAHRIMANOVIÇ – “Amiri është një lojtar i zgjuar, i cili preferon më shumë saktësinë sesa goditjen e fortë. Prita deri në momentin e fundit dhe ia dola të neutralizoja goditjen e tij. Nuk mund të them që e kam studiuar Kahrimanoviç, pasi penalltitë janë gjithmonë të paparashikueshme. Duhet të kesh edhe fat që të jesh i suksesshëm. Jam i kënaqur që “korrëm” një fitore pa pësuar asnjë gol”. 2

FITORE RADHAZI – “Objektivi ynë është ndeshja e radhës, pasi ky kampionat është i paparashikueshëm. Duhet motivim dhe vëmendje maksimale për t’ia dalë që të mos kemi presion në fund”.

ME DINAMON – “Referuar klasifikimit luajmë me një ekip direkt, pasi diferenca mes dy skuadrave është 1 pikë. Kjo ndeshje e prapambetur mendoj se do të tregojë shumë sa i takon ecurisë së dy skuadrave që po bëjnë mirë. Besoj se do të kemi kohën e nevojshme për ta përgatitur këtë duel dhe me ndihmën e tifozëve shpresoj ta fitojmë. Rivali ka kualitet, por ne kemi treguar se fitojmë me këdo këtë sezon”.

“RIVALI” MË I FORTË – “Mendoj se ky ka qenë sezoni i portierëve në tërësi. Të gjithë po prodhojnë ndeshje pozitive duke u treguar vendimtarë me paraqitjet e tyre. Mendoj se portieri, i cili po tregon një nivel të kënaqshëm është Mario Dajsinani. Ka reflekse të admirueshme dhe gjykoj se falë tij ekipi i Laçit ka marrë pikë të rëndësishme”.

“TRAMPOLINË” – “Agjenti im ma sugjeroi këtë mundësi, pasi unë nuk dija asgjë mbi realitetin e futbollit shqiptar. Momentalisht ndihem mirë dhe dua të vazhdoj kështu për të ndihmuar ekipin. Oferta kam pasur dhe natyrisht si çdo futbollist që luan këtu, dëshiron të shkojë më lart në karrierë. Për këtë më duhet të vendos pas disa muajsh”.

IDHULLI – “Portieri që më ka inspiruar është Manuel Nojer. Një futbollist, që falë aftësive të tij e ka ridimensionuar mënyrën e të luajturit për çdo portier. Është një nga portierët më të mirët të historisë së futbollit botëror”, përfundoi Alia.

ISA HALILI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"