EKSKLUZIVE/ “Shumica e presidentëve nuk marrin vesh nga futbolli”, analiza e Hafizit: Në Superiore u kthyen ata që nuk përballuan futbollin profesionist (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2024 | 23:51

EKSKLUZIVE/ “Shumica e presidentëve nuk marrin vesh nga futbolli”, analiza e Hafizit: Në Superiore u kthyen ata që nuk përballuan futbollin profesionist (E PLOTË)

Lëvizja e shpeshtë dhe largimi i trajnerëve në futbollin shqiptar duket se e ka bezdisur profesor Astrit Hafizin. Në një intervistë të gjatë për “Panorama Sport”, ish-drejtuesi i Kombëtares jep opinionet e tij për këtë situatë jo normale në raportin president-trajner. Hafizi merr shkas edhe nga rasti i fundit te një skuadër si Tirana, por e ka edhe me ata ish-futbollistë që kërkojnë të bëhen me ngulm trajnerë, edhe pse disa prej tyre nuk janë të prirur për të drejtuar dhe këtu i referohet edhe rasteve me ikonat si Van Basten e Platini, por edhe Panajot Pano e Sabah Bizi që e kuptuan se nuk bëheshin dot trajnerë të mirë.

HAFIZI

Hafizi ka një shqetësim edhe për kontratat e trajnerëve në Shqipëri dhe zhvlerësimin që po i bëhet këtij roli mjaft të rëndësishëm në një klub. Ai flet edhe për formulën e kampionatit, ndryshimet e fundit, ecuritë, por edhe për ekipin kombëtar.

Profesor, po e nis me lëvizjen e fundit të Tiranës që ka ndërruar sërish trajnerin. Pse kaq shumë ndryshime në stafet teknike, pasi Superiorja është për rekord këtë sezon?
E para, mendoj që duhet t’i ndajmë trajnerët në dy grupe. Të paktën nga ideja që kam krijuar pas një përvoje 30-40 vjeçare. Kemi trajnerë që kanë luajtur futboll dhe që nuk kanë luajtur futboll. Kjo është edhe kudo në botë. Këta trajnerë i ndajmë sërish në dy kategori: ata që kanë pasur rezultat dhe ata që nuk kanë pasur. Me një fjalë, jo të gjithë që kanë luajtur futboll mund të bëhen trajnerë.

Çfarë doni të thoni me këtë?
Mund të jetë dikush që ka luajtur pak edhe është tërhequr për arsye të ndryshme, por dëmtim apo arsye tjetër ose disa që kanë qënë legjenda në futbollin e luajtur, por nuk janë bërë trajnerë. Po t’i referohemi ikonave të futbollit botëror, kemi disa emra, duke filluar me Krojfin që ishte një nga “Asët” e botës dhe u bë një trajner shumë i mirë. Dhe kthehemi te emra të tjerë si Van Basten dhe Platini, emblema edhe këta që e provuan trajningun dhe u tërhoqën. Po t’i kthehemi futbollit tonë që kemi këtu, kemi shumë yje të futbollit që nuk u bënë trajnerë. Fillojmë me Panajot Panon, të paktën grupi që e njeh apo Sabah Bizi, që punuan shumë pak dhe e kuptuan e u tërhoqën. Apo Iljaz Çeço te Dinamo.

Po më lini të kuptoj se edhe në vendin tonë ka trajnerë që duhet të tërhiqen pasi nuk janë për këtë punë, pavarësisht dëshirës së madhe që kanë?
Ka disa që duhet ta kuptojnë. Pa paragjykuar askënd. Njeriu duhet ta kuptojë se deri ku është mundësia sepse mund të kesh një dhunti tjetër, drejtimi, menaxhimi, kontrolli. Këtu te ne ka pasur raste që i kanë kuptuar, por ka edhe disa që vazhdojnë, vazhdojnë dhe bëjnë këto “skupet”. Marrin një ekip, largohen, se i heqin dy-tri herë nuk u bën përshtypje. Ka edhe nga këta trajnerë. Faji nuk është vetëm i presidentëve. Nëse i referohemi problemit të Tiranës, pa pasur ndonjë mendim të keq për ndonjë trajner, sepse unë kam qënë vetë i tillë dhe mbroj institucionin e trajnerit. Ahmataj ka qënë një herë te Tirana, e kanë hequr. Pse shkon sërish? Me po të njëjtin president. Ky është gabimi jonë si trajner, kur t’i e ke njohur atë si menaxhon.

Po presidentët, a mos nxitohen disi me këtë sjellje ndaj trajnerëve?
Po, kur t’i e ke provuar njëherë Ahmatajn, atëhere pse e merr prapë? Kush mban përgjegjësi kur thuhet që nuk ka rezultate? Tani i kalon topin trajnerit. Siç u veprua me Shehin. Janë disa veprime që duhet të mbash përgjegjësi përpara klubit dhe tifozërisë së Tiranës. Edhe në botë ndodhin këto gjëra. Kemi De Laurentisin që mendoj se është i vetmi në Itali që bën veprime të tilla sepse klube dhe presidentë të tjerë janë shumë më seriozë. Ti je Tirana, një klub elitar në Shqipëri. Pastaj me merkato të bllokuar. Përgjegjësia nuk është e Ahmatajt, është e jotja si president. Nuk ke shlyer lojtarët, paske probleme ekonomike. Në fund e pëson trajneri. Edhe me Shehin, iu thurrën elozhe. Trajner kampion, ia hoqën kampionatin, atëhere pse e hoqe? Këtu filloi edhe prishja e Tiranës.

Po trajneri, sa i mbrojtur është këtu në Shqipëri?
Kur i largojnë jashtë, ana financiare e trajnerit është e siguruar. Këtu nuk është i mbrojtur fare. Të dy palët janë me gabime. Me të vërtet këtë largimin presidentët e klubeve shqiptare e kanë bërë si rrugë, por e keqja është se i lenë edhe pa rroga. Unë kam frikë se një pjesë e trajnerëve këtu, punojnë pa kontratë. Qofsha edhe i gabuar. I dëgjoj që thonë: “Kemi bërë një marrëveshje xhentëlmenësh”. Po çfarë është kjo? Nuk e kuptoj sesi punojnë këtu te ne. Por, edhe sikur ta kanë një kontratë të rregullt, të huajt e respektojnë këtë. Një trajner bën gabime të përsëritura. Mirë që shkon në një president që e ka hequr njëherë më përpara, por nuk e kam edhe kontratën e rregullt. Përmendëm edhe De Laurentesin, por e ka mundësinë që t’i paguajë tri trajnerët njëkohësisht, edhe pse është rruga e gabuar, pasi e shikoni si po i shkon Napolit. Këtu fillojnë gjyqet, problemet dhe sjellin këto pasoja. I thonë trajnerit largohu ti, jep dorëheqjen që të mos paguajnë detyrimet. Nuk duhet të përdoren si një leckë. Nuk po flas për ata trajnerë që nuk ju ecën në një vend, por ju shkon mirë në një vend tjetër. Por, ata që provohen disa herë në një vend. Nuk kemi vetëm rastin e Ahmatajt, por kemi disa këtu te ne. Dakord, e kuptoj pjesën se janë nevojtarë dhe duhet të mbajnë familjen, po në radhë të parë duhet të mbajtur karakteri dhe dinjiteti. Edhe dalin këta presidentët më të zgjuar sesa trajnerët. Pjesa më e madhe e presidentëve as nuk marrin vesh nga futbolli. Mbajnë disa njerëz rreth vetes që nuk janë as bord e as këshillues, që influencojnë në veshin e tyre për largimin e trajnerëve dhe lojtarëve. Është një rrezik shumë i madh. Ka edhe ndonjë që nuk bën lëvizje të tilla.

hafizi

E zhvlerëson kjo rolin e trajnerit, a ka pasur më shumë peshë fjala trajner më përpara?
Me veprime të tilla, më vjen keq, por zhvlerësohet. Një trajner duhet të respektohet. Është një profesion që ka gjithë përgjegjësinë dhe problematikën e skuadrës, sidomos kur nuk ke rezulatate. Por, edhe kur ka rezultate, sërish këtu sfumohet figura e trajnerit pasi shfaqen presidentët. E bëra unë këtë, e bëra unë këtë. Në këtë rast mendoj se presidentët duke gjetur këta tipa të lëkundur, nëse do të jemi më sërioz, duke nisur nga shoqata e trajnerëve që nuk ekziston, ose është vetëm në letër. Që të mbrojë të drejtat e tyre, ka vite që nuk funksionon fare.

Pak kohë më parë në FSHF mbajti një seminar drejtori sportiv i Interit Piero Auzilio. Nga eksperienca e tij tregoi se një drejtor mes detyrave të tjera, ka edhe ruajtjen e balancave mes trajnerit dhe presidentit të një klubi. Ndodh e njëjta gjë këtu në klubet tona?
Duke pasur që secili ka pozicionin e vet, çdo gjë shkon mirë. Këtu te ne ka klube që nuk kanë as drejtor sportiv dhe as drejtor teknik. Ka klube që i bën presidenti të gjitha. “Vetë ali, vetë kadi”. Dhe nuk vijnë nga fusha e futbollit, sepse nëse është e kundërta, dakord, them se është diçka që duhet dëgjuar me vëmendje. Këtu përveç disa klubeve që ka pak ekuilibër, në pjesën tjetër nuk ekziston. Presidentët këtu thonë se janë lekët e mia, nuk mund të tallet askush me to. Dakord, lekët e tua janë, por të paktën zgjidh njerëzit që këto lekë të mos shkojnë kot. Kjo është ideja, sepse lëvizje të tilla në 10 ekipe që kemi ne në Superiore, i bie të bëjë dy herë rrotacion çdo klub. Nuk e di, por riciklimi këtu është pa masë. Federata duhet të vendosë në rregullore edhe disa pika për këto lëvizjet e trajnerëve, jo kaq shumë lëvizje brenda një kampionati. Që edhe presidentët të mendohen mirë para se të largojnë një trajner. Këtë sezon kjo puna e trajnerëve është trashur shumë.

Kalojmë pak te formula e “Final Four”, e ka forcuar apo dobësuar kampionatin?
Që në fillim nuk kam qënë dakord dhe që në javët e para kam thënë që është e gabuar. Vetëm sa e ka dëmtuar. Ne mirë që i kishim me pak tifozë në stadiume, por tani i zhdukëm fare. Sepse kështu do të mendojnë ekipet, se jemi në katërshe dhe do të tolerojnë diku. Një që është 12 pikë para në vendin e parë mund t’ia marrë titullin vendi i katërt me dy ndeshje, që në futboll ndodh. I gjithë mundi i një ekipi gjatë gjithë sezonit, hidhet poshtë. Kjo ishte një skemë e shpikur vetë. Mund të ketë ardhur edhe nga orientime të UEFA-s që kërkon të provojë diçka dhe e sjell këtu te ne…

Por, presidentët kanë qënë dakord për këtë formulë…
Herë pas herë i dëgjoj, por edhe pse kanë qënë dakord aty, ndoshta edhe për t’i bërë qejfin federatës. Nëse dikush nga klubet do të bënte një interpretim teknik, nuk e kishin lejuar një gjë të tillë. Sepse ka edhe nga këta presidentë që aty kanë thënë po dhe kur i kam takuar më kanë thënë që i kemi bërë qejfin federatës. Tani dëgjojmë zëra që mund ta ndryshojnë sërish sezonin që vjen.

Po për ndeshjet e “Final 4” që do të zhvillohen të gjitha në Air Albania, çfarë mendim kemi?
Me vërtet themi që kemi një stadium shumë të mirë, me kushte dhe të gjitha. Por, supozojmë se janë tri ekipe nga kryeqyteti dhe një nga rrethet. A nuk është e penalizuar ajo që të luajë në “Air Albania”? Nëse do të ishte me dy takime, vajtje-ardhje qëndron. Këtë mund ta quaj një dështim me finalet e katër skuadrat që besoj se shpejt do të ndryshojë. U bë si u bë, faji është edhe i klubeve që e kanë pranuar.

Futemi pak te gara, përveç Egnatias, Partizanit dhe Vllaznisë që i kanë pak më të konsoliduara pozitat e tyre, duket se kemi një “luftë” kryeqyteti mes Tiranës dhe Dinamos për vendin e katërt, si mendoni se do të shkojë?
Ka ndeshje plot. Duke pasur parasysh sesi po shkon kampionati, shumë skuadra janë të pa stabilizuara. Përjashto deri diku Vllazninë që pati një rritje, edhe Partizani ka pasur lëkundjet e saj, Tirana po e po, edhe Egnatia bëri ato dy humbje. Mendoj se lufta do të jetë e fortë për këtë rregullin që është futur, pasi edhe vendi i katërt synon titullin. Një herë luajti Partizani për Superkupë me Egnatian që e kishte 12-13 pikë para dhe e fitoi Partizani me ndeshje teke. Çdo gjë mund të ndodhë.

Po për pjesën poshtë, si e shihni mbijetesën?
Kam qejf që skuadrat e qyteteve të mëdha të qëndrojnë. Opinioni im personal. Edha Teuta të qëndrojë, Skënderbeu, janë ekipe me traditë. Mirë i bëjnë futbollit. Kemi nevojë për Elbasanin në Superiore, për Flamurtarin, për Luftëtarin, Tomorin, Besën e Kavajës në Superiore. Janë ekipe që kanë qenë për vite në Superiore. Një ndeshje u luajt mes Elbasanit dhe Flamurtarit dhe ishte për t’u marrë shembull nga Superiorja. Duhet ta pranojmë.

A kemi një klub që në fund të sezonit mund të arrijë të futet në kompeticionet europiane, minimalisht në Ligën e Konferencës?
Këto pjesëmarrjet në raundet kualifikuese të Europës këto vitet e fundit na kanë nxjerrë pak zbuluar. Ky është një minus i madh për futbollin tonë. Kur nuk arrijmë të futemi në fazën e grupeve, atëherë kemi mbetur në vend. Duke pasur parasysh zhvillimin e futbollit këtu te ne, mospjesëmarrja në Europë, mungesa e tifozëve, e drejta televizive. Ndoshta infrastruktura është përmirësuar disi, por harrohet që nuk janë vetëm stadiumet, por është një rezidencë. Po e quaj me një fjalë, kampingu i stërvitjes që e bën një lojtar profesionist. Në krahasim edhe me vende të tjera, që unë kam informacion, e lejmë stadiumin, unë them se për të shkuar te stadiumi, duhet të përgatitesh, këtë nuk e kemi këtu. Përjashto Partizanin që ndërtoi diçka, por edhe ajo është mangut. Duhet një fushë natyrale, të bëjë dy herë në ditë stërvitje. Pjesa më e madhe e klubeve tona bëjnë një herë në ditë. Nuk mund të konkurrosh me vendet e tjera me këtë përgatitje. Duhet një hotel, ushqimi të haet aty. Të paraqitesh në klub në mëngjes dhe të ikësh pasdite. Kjo është për një lojtar profesionist. Nuk i përballon dot as ekipet që janë më poshtë sesa ne. Eliminoi një skuadër e Luksemburgut kampionen tonë, dy vite më parë.

Si është cilësia e lojtarëve në Superiore këtë vit, në një vështrim të përgjithshëm, krahasuar me 10 apo 20 vite më parë?
Të them të vërtetën që para 10-15 apo 20 viteve, element lojtarësh të spikatur kanë qenë më shumë më përpara. Çdo klub ka pasur 3-4-5 lojtarë që dallonin. Sepse edhe puna me akademitë ka qënë më e mirë sesa sot. Puna me ekipet zinxhir ka qënë më e organizuar, po flas para 30-35 viteve. Kjo sa vjen edhe po bie. Kanë dalë shumë pak, me kokrra. Më e keqja që po ndodh është largimi i tyre dhe kthimi shumë i shpejtë sërish këtu. Nuk janë të përgatitur për të bërë një futboll profesionit të niveleve të larta siç i ka bota. Kthehen më të dobët. Kemi disa këtu, që nuk e kanë përballuar dot. Të jemi të vetëdijshëm. Pse nga kampionati jonë nuk merren në Kombëtare? Normalisht Silvinjo vjen dhe të shikon në stadium sepse duhet t’i shoh, por në mendjen e tij e ka se niveli është shumë i dobët. Se nuk ka mundësi të kemi një “As” këtu te ne dhe të mos shkojnë në ekip kombëtar.

Meqë prekët edhe Kombëtaren, jemi në vitin e Europianit dhe kemi përpara dy miqësore muajin tjetër. Çfarë ju ka bërë përshtypje kohët e fundit nga lojtarët e përfaqësueses?
E kam shprehur para disa kohësh dhe e kam lexuar edhe së fundmi në gazetën tuaj. Shqetësuese është pjesa e portierëve. Një repart shumë i rëndësishëm. Kemi dy portierë shumë të mirë, me eksperiencë, i kanë dhënë provat dhe të dy po bëjnë shumë kohë që nuk po aktivizohen. Kush e nënvlerëson këtë mendoj se gabon. Ky është një problem që nuk e ka në dorë Silvinjo, por vetë ata. Kam kontaktuar një herë në emision me Strakoshën dhe i thashë që duhet të lëvizësh dhe nuk ma pranoi. Mendimi i tij. E dyta: kemi lojtarë që nuk janë në kampionate elitare, por aktivizohen rregullisht. Kemi lojtarë që dëshirojnë të rikthehen në Kombëtare, përveç grupit që ka qënë. Problemi tjetër është që numri 23 që lejohet për të futur në listë. Për të ardhur te ky numër, ka një ndikim të madh edhe te Manaj që shënon gola atje, për të hyrë në repartin e sulmit. Pastaj kemi edhe Brojën, ka mungesë aktivizimi pasi jo dëmtimi i gjatë por edhe Premier Liga, një kampionat i fortë që nuk është njësoj si në Turqi. Të jemi realistë. Mendoj se është i domosdoshëm. Pjesa tjetër me klubet e tyre janë në vendet e fundit nëpër kampionate, por e rëndësishme është që luajnë. Shpresoj të mos kemi asnjë dëmtim deri në Europian. Kemi edhe Kumbullën, e kemi harruar pasi shohim vetëm nga sulmi. Pse nuk kemi nevojë për të? Po të themi edhe për Kumbullën që nuk na duhet, atëhere e kemi gabim. Por, mendoj se Silvinjo ka një formim tjetër dhe do t’i menaxhojë shumë mirë këto situata.

Kundër Kilit dhe Suedisë, dy miqësore që do të qartësojnë më shumë Silvinjon, apo jo?
Do të thotë shumë për këta lojtarë, si Broja, Kumbulla apo Manaj. Duke pasur parasysh se i ka mundësitë t’i shohë. Do të zhvillohen edhe dy në maj ose qershor dhe nëse do të ishin të tre në ekip, më të fortë bëhemi. Sepse tri ndeshje janë, një karton. Ky është mendimi im personal.

Dihet çfarë rivalë kemi në grup, por me çfarë qasje duhet të shkojë Shqipëria në Europian?
Nëse arrijmë të dalim të tretët në grup mendoj se kemi arritur një sukses të jashtëzakonshëm, sikur kemi fituar Kampionatin Europian. Kush pretendon më tepër, le të pretendojë. Por, edhe po nuk e arritëm, duke e ditur kë kemi përballë, kampione Europe dhe Bote, çdo njeri e kupton.

Janë ngushtuar disi diferencat midis kombëtareve, apo jo?
Po, patjetër që janë ngushtuar. Italia nuk është ajo që ka qënë. Por mos harro se edhe neve nuk na shohin si të vogël më. Nuk thonë, hajde se Shqipëria është, por do të na vlerësojnë dhe këtu do ta kemi të vështirë.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"