EKSKLUZIVE/ “Shpresoja ta fitonim këtë derbi”, Halili i kënaqur përgjysmë: Respekte Florentit, sakrifikoi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2023 | 21:01

EKSKLUZIVE/ “Shpresoja ta fitonim këtë derbi”, Halili i kënaqur përgjysmë: Respekte Florentit, sakrifikoi (E PLOTË)

Presidenti Refik Halili shpresonte që Tirana e tij të merrte fitore. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Halili foli gjatë për ekipin dhe çfarë pret ai në të ardhmen. Thotë se për merkaton është herët për të folur, ndërsa ka fjalë të mëdha për Florent Hasanin, i cili sipas tij ka sakrifikuar për klubin, ndërsa skuadra ka rrezikuar shumë të humbiste lojtarin më të vlefshëm të tij.

halili

Zoti Halili, një barazim në derbi. Në fund veç pikës çfarë prisnit nga skuadra?

Shpresoja që ta fitonim këtë ndeshje nuk ia dolëm. E rëndësishme është që treguam grintë. Treguam që djemtë kanë forcë për të ecur për të shkuar drejt objektivit që i kemi vënë vetes që në fillim të sezonit, flas për titullin.

Mendoni se Tirana që keni hartuar në letër do të jetë në fushë dhe do të shkëlqejë?

Skuadra do të vijë në formë. Do të shkojë aty ku e meriton si për sa i përket lojës dhe për sa i përket përgatitjes fizike, të cilën ne e kemi pasur shumë të dobët gjatë gjithë kësaj periudhe.

Pas kritikave tuaja të para disa ndeshjeve, skuadra duket shumë e ndryshuar?

E përsëris, problemi ynë ka qenë ana fizike. Skuadra ka qenë shumë keq dhe po përmirësohet. Skuadra shpresoj që të vijë më mirë dhe aty ku i takon.

Hasani sakrifikoi i dëmtuar dhe ua shpërbleu duke shënuar golin që dha pikën…

Florenti sakrifikoi për Tiranën. Mori përsipër një risk shumë të madh, por edhe klubi mori gjithashtu përsipër një risk të madh dhe nuk ia prishëm dëshirën. I dhamë leje të luante sipas dëshirës që shfaqi. E falënderoj për guximin, kurajën dhe për iniciativën. Ne ua kemi borxh tifozëve, klubit, skuadrës. Mendoj se bëmë mëtë mirën në këtë ndeshje.

Në janar do të ketë afrime në skuadrën e Tiranës?

Shumë shpejt është për të folur për këtë çështje. Duhet të marrim sa më shumë pikë deri në fund të dhjetorit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"