EKSKLUZIVE/ Sherri: E dinim se çfarë na priste në Shkodër, kur morëm të kuqin mendova penalltitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2024 | 9:21

EKSKLUZIVE/ Sherri: E dinim se çfarë na priste në Shkodër, kur morëm të kuqin mendova penalltitë

Një nga protagonistët e kualifikimit të Egnatias ishte edhe portieri shkodran, Alen Sherri, i cili ndali disa tentativa të Vllaznisë. Pas ndeshjes, në një intervistë për “Panorama Sport”, Sherri ka theksuar se i shkoi mendja te penalltitë, kur skuadra mbeti me 10 vetë. Ai pohon se me Vllazninë mund të përplaset në finalen e titullit.

sherri

Alen, një kualifikim i vuajtur për Egnatian. E kishit menduar kaq të vështirë këtë përballje?

Ishte një histori tjetër nga ndeshja e luajtur në Rrogozhinë. Ne luajtëm krejt ndryshe nga ai takim, e dinim që do të ishte shumë e vështirë dhe kualifikimin e kishim të diskutuar. Kishim avantazhin e një goli, por e dinim mirë se çfarë do të na priste në Shkodër. Takimi ishte i hapur dhe nga momenti në moment mund të shkonte kualifikimi nga të dyja anët. Fati na buzëqeshi me atë gol të shënuar. U treguam cinikë dhe arritëm të barazojmë, duke fituar të drejtën për të qenë në finale.

Ndalet në momentet e fundit fund një gol mëse të sigurt të Vllaznisë?

Puna ime dhe e gjithë portierëve është të ndalë golat. Këtë bëra unë, por edhe kolegu im Qarri, që shpëtoi ato mundësi që skuadra jonë krijoi. Për këtë jemi dhe mund të them se bëmë vetëm punën tonë.

Kur mbetet me 10 lojtarë, a i menduat penalltitë, ku portierët do të ishin protagonistët kryesorë?

Të them të drejtën, ai ishte mendimi kryesor, sidomos kur morëm kartonin e kuq dhe loja e Vllaznisë ishte në rritje. Aty mund të ishim favoritë, apo mund të na buzëqeshte fati. Por futbolli është i paparashikueshëm dhe i bukur.

Për të dytën herë në finalen e Kupës. A besoni se do të jeni sërish fitues i saj?

Po konfirmohemi që jemi të fortë në Kupë, pasi viti i dytë radhazi nuk është rastësi. Për më tepër kemi pasur thuajse të njëjtin rrugëtim si një vit më parë. Kemi eliminuar Laçin dhe Vllazninë, ekipe shumë të vështira dhe jemi sërish në finale. Dhe finalja nuk duhet luajtur, por duhet fituar. Do të ndeshemi me një ekip që në kampionat i ka mbyllur llogaritë dhe në Kupë do të kërkojë gjithçka.

Të dielën sërish përballë Vllaznisë. Do të jetë tjetër tablo?

Ndeshjet e Kupës nga ato të kampionatit kanë një specifikë tjetër, luhet në një fushë tjetër dhe do të përgatitet ndryshe ndeshja. Kur kuan në Shkodër është krejt ndryshe nga kur luan në fushën tënde.

E mendoni një finale titulli Vllaznia-Egnatia në “Final 4”?

Pse jo. Është një nga kombinimet më të mundshme për atë që këto dy skuadra po tregojnë në fushën e lojës.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"