EKSKLUZIVE/ Shënoi penalltinë vendimtare ndaj Partizanit, Rashica: Isha i bindur që shënoja, ja si i bllokuam

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2023 | 20:21

EKSKLUZIVE/ Shënoi penalltinë vendimtare ndaj Partizanit, Rashica: Isha i bindur që shënoja, ja si i bllokuam

Ermir Rashica priti këtë ndeshje të javës së sh tatë ndaj Partizanit, me stadiumin plot me tifozë, për të shënuar golin e tij të parë në Superiore. 19-vjeçari, i cili ka dhënë sinjale pozitive në këtë start me korçarët, mori përsipër penalltinë e fituar nga Liço.

Rashica

Pasi rrëmbeu sferën, i dhuroi një puthje dhe e vendosi mbi pikën e bardhë. Pas një shikimi sy më sy me një ekspert si Alban Hoxha, djaloshi merr frymë thellë, para se të lëshojë një goditje shumë të fortë, që e çon kapitenin e kuq në anën tjetër, pa i dhënë shansin të kuptojë krahun.

Pas ndeshjes, sulmuesi ka folur për “Panorama Sport”, ku fillimisht është shprehur rreth ndeshjes. Sulmuesi deklaron se kjo fitore ndaj kampionëve në fuqi dëshmon forcën e korçarëve, teksa ky ishte gjithashtu një tjetër sinjal se skuadra di të reagojë edhe pas momenteve të vështira.

“Kemi bërë një ndeshje mjaft të mirë dhe kjo tregon edhe një herë forcën tonë. Ishim përgatitur për këtë takim dhe e dinim forcën e Partizanit. Mendoj se nuk i kemi lënë asnjë hapësirë kundërshtarit dhe e kemi goditur në pikat më të dobëta. Jam shumë i lumtur për këtë fitore, pasi vjen pas një momenti të vështirë. Megjithatë, mendoj se ekipi ka ditur të ringrihet dhe e kemi treguar më së miri”, u shpreh 19-vjeçari nga Mitrovica.

PENALLTIA – Numri 9 i korçarëve foli edhe për momentin e penalltisë, ku shprehet se ishte i bindur se atë top do ta “postonte” në rrjetë. Pavarësisht entuziazmit të kësaj fitoreje, Rashica përpiqet të ulë euforinë dhe kërkon përqendrim te vetja dhe te shokët e skuadrës.

“Trajneri ka vendosur që ta godas unë dhe për mua është një vlerësim. E mora i bindur që do ta shënoja dhe ia dola. Jam shumë i lumtur për këtë. Tani është koha të shijojmë këtë fitore dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës. Ky kampionat është shumë i fortë dhe çdo ndeshje kërkon përqendrim maksimal. Ndaj nuk duhet të shpërqendrohemi”, përfundoi talenti i Skënderbeut.

LLAZI SARO  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"