EKSKLUZIVE/ “Sezonin e ardhshëm do të luaj për Partizanin”, sulmuesi i Kategorisë së Parë konfirmon transferimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2023 | 14:15

EKSKLUZIVE/ “Sezonin e ardhshëm do të luaj për Partizanin”, sulmuesi i Kategorisë së Parë konfirmon transferimin

Albers Keko është shënuesi i golit që dërgoi dibranët në finale me Flamurtarin. Sulmuesi për “Panorama Sport” thotë se është i lumtur për golin që shënoi dhe se do të japë maksimumin ndaj vlonjatëve për të ndihmuar ekipin të ngjitet në Superiore.

korabi keko

Falë golit që shënuat, Korabi ka ende shpresë për t’u ngjitur në elitë…

Javën e fundit nën drejtimin e trajnerit Kumbarçe kemi punuar fort për anti-Tomorin. Nuk e quaj rastësi atë fitore, por fryt të punës sonë intensive. Jemi ende në garë për elitën dhe ndaj Flamurtarit do të bëjmë maksimumin tonë t’ia dalim. Për mua personalisht, të luaj me Flamurtarin më sjell kujtime të bukura, jo vetëm sa u takon paraqitjeve të mira personale që kam pasur me ta, por edhe pse kur kam qenë pjesë e Tërbunit pas gjuajtjeve të penalltive arritëm t’i mundnim. Shpresoj që ky takim të jetë një spektakël i vërtetë. Fitoftë më i miri.

Me disavantazhin e fushës, e prisnit kualifikimin për në “play off”?

Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm të gjithë së bashku.

Në planin personal, si ka qenë ky sezon për Kekon?

Në pjesën e parë te sezonit, pasi u ambientova mirë me skuadrën, arrita të bëj detyrën time dhe të shënoj. Në të dytën mund të bëja edhe më mirë, por gjithsesi jam i lumtur.

Cila do të jetë e ardhmja juaj?

E ardhmja ime tani dihet. Sezonin e ardhshëm do të luaj për Partizanin. Shpresoj të bëj një paraqitje të mirë me “demat”. Por, ende jam pjesë e Korabit dhe jam i fokusuar te ndeshja me Flamurtarin.

Si u arrit marrëveshja?

Sikurse ka thënë edhe presidenti i Korabit, z. Fehmi Mëziu, pas akordit midis klubeve, por dhe dëshirës sime, sezonin e ri do ta luaj me fanellën e Partizanit. Nuk pata as më të voglin dyshim për këtë. Dua të falënderoj klubin e Partizanit për besimin ndaj meje.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"