EKSKLUZIVE/ “Rikthehet” Mirsad Jonuz: Vllaznia gaboi me Josën, ndryshimi është si thikë me dy presa (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 21:40

EKSKLUZIVE/ “Rikthehet” Mirsad Jonuz: Vllaznia gaboi me Josën, ndryshimi është si thikë me dy presa (E PLOTË)

Ish-trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, është një nga ato trajnerë, që pavarësisht se është larguar prej disa kohësh nga Vllaznia, nuk i ka shkëputur asnjëherë marrëdhëniet e tij me klubin kuqeblu. Madje ai është një ndjekës i rregullt i ndeshjeve të shkodranëve. Jonuz aktualisht është trajner i Skopjes në Maqedoninë e Veriut dhe po lufton për mbijetesë.

jonuz5

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai ka folur për situatën te Vllaznia, largimin e teknikut Josa dhe kalimin e skuadrës në duart e Milotit. Ai e konsideron ndërrimin e trajnerit një lëvizje jo në momentin e duhur, por nga ana tjetër e shprehet se ishte një “rokadë” tejet logjike. Ish-tekniku i Vllaznisë nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për t’u rikthyer sërish në stolin kuqeblu.

A ka një shpjegim, sipas jush, situata që po kalon Vllaznia?

Ndryshimi i formës së lojtarëve të Vllaznisë është pasqyrim i rezultateve të tilla. Për mua arsyeja më e madhe është ndërprerja e sezonit për shkak të kampionatit botëror në Katar. Ajo ka ndikuar te gjendja e tyre. Loja e ekipit dhe paraqitja e disa lojtarëve ka treguar shumë luhatje.

Si e shihni largimin e Josës?

Ndryshimi i trajnerit është i vështirë, pasi është “thikë me dy presa”. Nëse duhej ta ndryshonin atë, duhet ta kishin bërë më herët.

A ishte në momentin e duhur?

Nuk e shikoj në momentin e duhur. Megjithatë drejtuesit kanë bërë një lëvizje logjike, e cila është emërimi si trajner i parë i Milotit.

A ka më shpresa Vllaznia për të pretenduar për titull apo duhet të mjaftohet me Europën ?

Gjithçka është e mundur. Vllaznia ka një ekip të mirë, që ka dhënë prova për të arritur suksese. I kanë të gjitha mundësitë për të shkuar në Europë.

A mund të jetë Vllaznia sërish fituese e Kupës?

Pse jo, e thashë edhe më lart se mundësitë janë. Është në katër më të mirat dhe pse jo të mos jetë sërish fituese.

Me ekipet e vogla Vllaznia ka vuajtur në këtë sezon. Besoni se do të reagojë në takimin me Bylisin?

Unë dëshiroj dhe besoj se Vllaznia do të dijë të bëjë shumë mirë në këto takime që i kanë mbetur. Duke ia nisur që nga takimi i radhës. Por do të them se dështimi ose rezultatet negative me ekipe më të dobëta, ka krijuar një presion psikologjik, që ekipi po e vuan. Duhet ta kalojnë tanimë këtë.

Si po shkon aventura në skuadrën e Skopjes?

Kam afro 10 ditë që jam trajner i Skopjes, që lufton për mbijetesë. Një ekip, që ka grumbulluar 14 pikë dhe janë tetë ndeshje të tjera deri në fund të kampionatit. Është një situatë që mund ta vlerësoni edhe vetë. Megjithatë jam këtu për të ndihmuar ekipin që të arrijë objektivin që ka.

A do ta pranonit një ftesë për të qenë sërish në krye të ekipit të Vllaznisë?

Nëse do të më thërrasin, do të kem kënaqësi të flas për këtë çështje. Kam një mendim pozitiv për presidentin Xhaferi për atë që i ka dhënë në këto dy vite Vllaznisë, por edhe për tifozët e mrekullueshëm të këtij ekipi, që përherë i qëndrojnë pranë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"