EKSKLUZIVE/ Reja kërkoi të dhëna për lojtarin e Erzenit, por në fund nuk e grumbulloi për miqësoren e Kombëtares me Katarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2022 | 14:30

EKSKLUZIVE/ Reja kërkoi të dhëna për lojtarin e Erzenit, por në fund nuk e grumbulloi për miqësoren e Kombëtares me Katarin

Erzeni vazhdon përgatitjet anti-Teuta. Trajneri Xhevahir Kapllani ka kohën e nevojshme për të përgatitur këtë përballje, duke qenë se është vendosur të luhet të hënën në stadiumin e Rrogozhinës, për shkak se stadiumi “Niko Dovana”, aty ku si pritës luan edhe Erzeni, i është nënshtruar rimbjelljes së barit të fushës.

ADNARD MEHMETI

Kësisoj, derbi Teuta-Erzeni do të luhet më 14 nëntor jashtë qytetit bregdetar, ndërsa në mes është edhe miqësorja e Kombëtares me Katarin.

Erzeni, bashkë me Kukësin dhe Kastriotin, janë skuadrat e vetme që nuk kanë lojtar të grumbulluar në Kombëtare. Disi i çuditshëm ky fakt, edhe pse ka qenë vetë trajneri Edi Reja, që ka ndjekur dy herë ekipin shijakas në stadium këtë sezon. Në ndeshjen Erzeni-Laçi trajneri i Kombëtares ishte në tribunë bashkë me ndihmësit e tij.

ADNARD MEHMETI 1

“Panorama Sport” zbulon se ai ka kërkuar më shumë informacion për mesfushorin Adnard Mehmeti.

21- vjeçari nga Vushtrria ka zhvilluar të gjitha ndeshjet titullar këtë edicion tek Erzeni si mesfushor me tipare defensive. I ardhur rishtazi nga kampionati kosovar, Mehmeti po bën mirë me shijakasit, por edhe pse u mendua se do të grumbullohej nga Reja ndaj Katarit, një gjë e tillë nuk ndodhi.

ADNARD MEHMETI 2

SITUATA – Fatmirësisht në kampin shijakas nuk ka mungesa për shkak dëmtimesh apo kartonësh. Stërvitjet janë realizuar me intensitet për të mos rënë në qetësi, duke qenë se ka tashmë dhe një javë kohë për ndeshjen e radhës.

Edhe mbrojtësi i djathtë, Ardit Iljazi, i cili mungoi për shkak dëmtimi ndaj Kastriotit, pritet të jetë i gatshëm në derbin me Teutën. Duke qenë se pjesa më e madhe e lojtarëve të Erzenit janë të grumbulluar, ata janë parë fundjavave duke bërë shëtitje relaksuese në qytetin e Durrësit, në shoqërinë e njëri-tjetrit.

ADNARD MEHMETI 3

Fryma është pozitive dhe besimi është i lartë për mundësinë e zhvillimit të një ndeshjeje tjetër dinjitoze në derbi me tifozët e Erzenit, që këtë herë do të mund të ndjekin ekipin e tyre të zemrës, pasi luajnë në transfertë, edhe pse dita e hënë nuk është një ditë përshtatshme për derbin.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"