EKSKLUZIVE/ Plas te Kukësi, Imami sherr me Pakultin: Ja e vërteta me trajnerin

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Maj 27, 2018 | 22:30

EKSKLUZIVE/ Plas te Kukësi, Imami sherr me Pakultin: Ja e vërteta me trajnerin

Mbas mbylljes me sukses të sezonit, drejtuesit e Kukësit po mendojnë të freskojnë ekipin. Hyrjet dhe daljet nga skuadra mendohet të jenë të mëdha, ku të paktën 6-7 lojtarë do largohen e po kaq do afrohen. Mbas largimit të Balde, tashmë një element i rëndësishëm është në të njëjtën rrugë. Bëhet fjalë për Eni Imamin, i cili është përdorur të paktën në katër role gjatë këtij sezoni, mbrojtës i majtë, në një rast mbrojtës qendre, mesfushor i majtë dhe mesfushor qendre. 25-vjeçari ka luajtur plot 31 takime në kampionat, 19 nga të cilat si titullar.
eni imami
Pra, mbrojtësi i majtë është përdorur në njëfarë mënyre si “xhol” i ekipit. Por, tashmë duket se largimi i tij është i pashmangshëm, pasi gazeta mëson ekskluzivisht se Imami mbas përfundimit të takimit midis Kukësit dhe Flamurtarit ka pasur një debat me trajnerin Peter Pakult, pasi futbollisti ishte provuar për të luajtur para ndeshjes, por çuditërisht nuk është aktivizuar në momentin që sfida ka nisur. Kjo ka qenë arsyeja që mbrojtësi i ka kërkuar llogari trajnerit pse ai nuk u aktivizua.
Pakult ka refuzuar t’i japë shpjegime, gjë që ka nervozuar më shumë futbollistin, i cili mendon se i është ngrënë haku dhe trajneri është “tallur” me të. Situata ka precipituar deri në ngritje zëri, pasi lojtari ka qenë mjaft i mërzitur dhe i zhgënjyer me veprimet e austriakut në lidhje me të. Sa e ka parë skenën, ka ndërhyrë menjëherë drejtori Nexhipi dhe disa lojtarë të tjerë, të cilët kanë qetësuar lojtarin dhe çdo gjë është shuar.
Kërkesa – Menjëherë pas zënkës lojtari ka kërkuar që të largohet nga ekipi. Të njëjtën kërkesë e ka bërë edhe trajneri për Imamin dhe tani janë drejtuesit që po mendohen dy herë, pasi futbollisti është i vlefshëm, megjithatë divorci mes palëve duket i pashmangshëm, pasi palët nuk dëshirojnë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Nuk është hera e parë që Imami kërkon të largohet, pasi ka kërkuar letrat dhe në janar, për shkak të rrogës së tij. Ishfutbollisti i Kombëtares Shpresa të Shqipërisë ka pasur një rrogë qesharake në krahasim me kolegët e tij, ku paguhej vetëm 500 euro në muaj, por mbas kërkesës së tij, drejtuesit i rritën rrogën në rreth 1500 euro. Por, tashmë hatërmbetjet janë më të mëdha dhe largimi zyrtar i tij është çështje kohe.
Deklarata – “Panorama Sport” ka kontaktuar dje vetë Imamin në lidhje me këtë çështje dhe ai ka pranuar se ka pasur një debat me trajnerin, i cili ka qenë konstruktiv. “Është e vërtetë që pata një debat konstruktiv me trajnerin, gjë që ndodh në gjithë botën, pasi isha i pakënaqur që nuk kam luajtur, pasi jam stërvitur mirë. Kam qenë në formë të mirë dhe mund të ndihmoja skuadrën, gjë që e kam bërë gjatë gjithë sezonit. Ishte mërzitje e momentit, por çdo gjë u mbyll aty për aty. Besoj që duhet të kisha më shumë hapësira, gjithsesi ajo është punë e trajnerit dhe unë e respektoj atë. Kam biseduar dhe më parë me drejtuesit, e kemi rënë dakord që më e mira është ta ndërpresim bashkëpunimin me mirëkuptim”, ka thënë Imami.
SKERDILAID SULOZEQI





www.minuta90.com