EKSKLUZIVE/ Pësoi dëmtim horror në fushë, portieri i Pogradecit rrëfen tmerrin: Jam përmendur vetëm në spital, imazhi i fundit ishte…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2022 | 23:10

EKSKLUZIVE/ Pësoi dëmtim horror në fushë, portieri i Pogradecit rrëfen tmerrin: Jam përmendur vetëm në spital, imazhi i fundit ishte…

Herdis Alliu ka lënë spitalin dhe tani ndodhet në Librazhd, pranë familjes së tij. Tmerri që përjetoi tashmë ka kaluar, ndonëse e ka tronditur jo pak.

Alliu

Portieri i Pogradecit nuk mban mend asgjë nga ato minuta në fakt dhe imazhi i fundit që kujton është një pasim që ka bërë para se merrte atë goditje me takë në kokë. Në një rrëfim të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, 24-vjeçari na tregon se kurrë nuk kishte marrë një dëmtim të tillë dhe nuk u ka besuar syve kur është gjendur në spital.

Herdis, si ndiheni në këto momente?

Tani ndihem më mirë dhe kam besim që do ta marr veten shpejt.

Ndodheni ende në spital apo në shtëpinë tuaj?

Kam qenë në spital deri në orët e pasdites të së shtunës. Por tani ndodhem në shtëpinë time në Librazhd dhe nën kujdesin e familjes sime.

Çfarë kujtoni nga momenti kur taka e kundërshtarit goditi kokën tuaj?

Ishte dëmtimi më i rëndë që kam përjetuar ndonjëherë në sport. Nuk u besoja syve kur isha në spital, por futbolli kështu është, i ka të gjitha brenda. Nuk kujtoj dot asgjë për shkak të tronditjes.

Cili është imazhi i fundit që mbani mend?

Imazhi i fundit që mbaj mend ishte pasimi që kam bërë për te Kasa. Edhe sot që jam i qetë nuk kujtoj dot asgjë.

Nuk kujtoni as momentin kur shokët dhe mjekët ju dhanë ndihmën e parë?

Të them të vërtetën nuk mbaj mend asgjë, madje nuk e kuptoja ku isha dhe se çfarë po ndodhte. Vetëm kur u shtriva në spital jam kthjelluar. Mendova se do të kem çarë kokën, sepse fillimisht sapo shkova, filluan të më qepnin kokën dhe mendova se nuk kishte asgjë më shumë.

278736802_5015485255199795_2958709958799868526_n

Pura u tregua më i fortë dhe ju mbante teksa ju nxirrnin gjuhën, ndërsa Kasa u pa duke lotuar…

E thashë edhe më sipër, nuk mbaj mend kush ka ardhur aty në momentin e dëmtimit. Por të gjithë ata që kanë qenë në mbështetjen time dua t’i falënderoj pa fund. Pura është lojtar fantastik si brenda në fushë edhe jashtë saj. Ndërsa me Kasën jemi shumë të lidhur për faktin se jetojmë bashkë në një shtëpi edhe është superdjalë. Jam me fat.

Fizioterapistja na rrëfeu se direkt pasi dolët nga gjendja e të fikëtit, keni thënë: “Unë po vdes, por ju fitoni ama…”. Kaq shumë jeni dashuruar me skuadrën e Pogradecit?

Alma ma tha edhe mua këtë, por nuk e kuptoja se çfarë po më thoshte. Nuk mbaj mend asgjë pas përplasjes. E vetmja gjë që dua është që Pogradeci të dalë nga këto pozita dhe ndoshta më ka folur truri në ato çaste. Që në këto momente çdo ndeshje duhet të fitohet. Jemi duke vuajtur për pikë. Luajmë mirë, krijojmë raste, ndoshta edhe për faktin se ndeshjet e fundit kanë shumë presion.

A ka pushuar telefoni juaj nga thirrjet dhe mesazhet pas atij dëmtimi?

Në asnjë moment. Trajnerë, futbollistë, kryetarë bashkish dhe njerëz të futbollit më kanë dërguar mesazhe dhe më kanë telefonuar pa fund. Miq nga çdo anë, nga çdo cep i botës. Dua t’i falënderoj të gjithë nga zemra që më dhanë forcë të ngrihem moralisht edhe të kthehem edhe më i forte sesa isha.

Po familja juaj si reagoi kur mori vesh lajmin?

E vetmja gjë që kam thënë kur kam shkuar në spital, ishte që familja ime mos ta merrte vesh deri sa gjendja ime të qetësohej. Ishte rastësi, sepse mami edhe vëllai janë prezent në çdo stadium si brenda edhe jashtë qytetit. Zoti është i madh dhe këtë ndeshje ata nuk ishin në shkallët e stadiumit, sepse do ta kishin përjetuar shumë rëndë.

Pogradeci portieri

Ekipi e fitoi ndeshjen me shifrat 6-0 dhe më pas ju vizitoi në spital. I kënaqur?

Dua t’i falënderoj shume trajnerët e skuadrës sepse erdhën edhe në Korçë pas ndeshjes dhe kanë qenë gjatë gjithë kohës afër meje. Jam shumë i lumtur që m’u gjendën afër. Ndërsa nga të gjithë çunat kam marrë mesazhe mbështetjeje. Madje, shumica prej tyre kanë qenë në spital me mua. Jam shumë i lumtur për fitoren.

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"