EKSKLUZIVE/ Pesë vite pa ftesë nga Zvicra, Shqipëria tenton Pajtim Kasamin. Ja pikat ligjore që e lejojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2021 | 23:57

EKSKLUZIVE/ Pesë vite pa ftesë nga Zvicra, Shqipëria tenton Pajtim Kasamin. Ja pikat ligjore që e lejojnë

Mesfusha është një nga pikat nevralgjike të Kombëtares. Kjo e detyroi trajnerin Edi Reja të investonte personalisht për ta bindur talentin e Empolit, Nedim Bajramin, mirëpo rregullorja e përditësuar e FIFA-s nuk ia lejon aktivizimin me Shqipërinë dhe duhet një çështje gjyqësore në KAS për të marrë lejen, në rast se do të pranohet.

pajtim kasami

“Panorama Sport” ka mësuar ekskluzivisht se ideja më e fundit në qarqet sportive pranë ekipeve kombëtare, po diskutohet çështja “Pajtim Kasami”. Gazeta ka mësuar se njerëz të rëndësishëm pranë FSHF-së dhe ekipeve kombëtare kanë bërë një punë të dyfishtë: Së pari t’ia komunikojnë trajnerit Reja nëse e pranon si alternativë për të ardhmen. Së dyti, ta kontaktojnë vetë mesfushorin. Por, çështja nuk është kaq bardhezi.

LOJTARI

Gjithçka nis me dëshirën dhe vullnetin e futbollistit. Mesfushori 28-vjeçar ka dhënë dakordësinë e tij në parim për t’u veshur kuqezi. Gazeta ka mësuar se Kasami e ka lënë të hapur mundësinë për t’iu bashkuar Shqipërisë në rast se FSHF do të zgjidhë të gjitha çështjet juridike. Ky është kushti i vetëm që ai ka vendosur për Shqipërinë, pra të zgjidhë çështjet juridike për ta

MUNDËSITË

Kasami është një futbollist që ka luajtur me kombëtaren helvete të Zvicrës. Në 12 ndeshje prej tyre ka qenë në stol edhe kundër Shqipërisë në vitin 2013. Kjo në thelb përbën një nga pengesat thelbësore për Kasamin si kuqezi, mirëpo me ndryshimet e fundit të bëra në rregulloren e FIFA-s, ka edhe disa klauzola juridike që mund të përdoren për të marrë lejen në FIFA.

Së pari, prej më se pesë vitesh ai nuk është ftuar në kombëtaren zvicerane. Ndeshja e fundit e Kasamit me Zvicrën daton më 29 mars 2016, në të cilën ka luajtur 72 minuta ndaj Bosnje-Hercegovinës.

Së dyti, Kasami nuk ka bërë asnjëherë kërkesë për ndryshim të kombëtares. Ky është një nga rregullat fikse në rregulloren e FIFA-s. Kësisoj, e ka ende të vlefshme këtë mundësi për ta ndryshuar ekipin kombëtar.

Së treti, Kasami nuk ka luajtur me Zvicrën as në fazën finale të Europianit dhe as në atë të Botërorit. Një tjetër pikë domethënëse që nëse ka ndodhur, ia ndalon një futbollisti ta ndryshojë kombëtaren. Këto janë disa nga pikat ligjore në rregulloret e FIFA-s, që ia lejojnë Kasamit dhe Shqipërisë të mund të bëjnë kërkesë në FIFA që mesfushori i lindur në Zvicrë dhe me origjinë të familjes Strugën, të mund të provojnë betejën ligjore që në të ardhmen, Kasami të jetë një lojtar i gatshëm për Kombëtaren shqiptare.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"