EKSKLUZIVE/ “Pesë skuadra luajnë për dy vende”, trajneri i ri Fagu: Shansi “Tirana” rrëmbehet, besoj tek ekipi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2024 | 18:20

EKSKLUZIVE/ “Pesë skuadra luajnë për dy vende”, trajneri i ri Fagu: Shansi “Tirana” rrëmbehet, besoj tek ekipi (E PLOTË)

Erbim Fagu është trajneri i zgjedhur nga Refik Halili për të kualifikuar Tiranën në “Final-4”. Dhe për këtë vendim të madh për bardheblutë, djali i shtëpisë ka lënë larg familjen. Aventurën e tij e konsideron të veçantë, por jo e rrezikshme siç mendojnë shumë të tjerë. Vetë Fagu tregon ekskluzivisht për “Panorama Sport” se mori vendimin, pasi Tirana nuk refuzohet kurrë në jetë.

fagu

Ish-futbollisti rrëfen sesi e pa skuadrën në ndeshjen e parë ndaj Teutës. Çfarë duhet rregulluar dhe me kë e ka luftën për “Final 4”. Pranon se nuk e diskuton që skuadra lufton për titullin kampion, ndërkohë që beson se edhe të rinjtë do të bëjnë gjëra të mëdha. Në fund flet edhe për ndryshimet dhe se ato do të vijnë që në sfidën me Laçin.

Erbim, përveç emrit të madh, të kaluarës tënde në këtë skuadër, përse vendose të marrësh drejtimin e Tiranës?

Tani, të të kërkojë për trajner klubi Tirana është gjë e madhe për çdo njeri. E konsideroj një mundësi që duhet ta rrëmbesh dhe të mos e lësh të ikë. Sigurisht që kam bërë edhe unë sakrificat e mia. Kam lënë familjen, jam larg tyre. Në fund të fundit, kjo është puna jonë. Duhet të bësh zgjedhje. Tirana të vjen rrallë herë.

Cili ishte personi që ta ofroi këtë mundësi për të drejtuar Tiranën në kampionat?

Drejtuesit e klubit ishin ata që më kontaktuan për të qenë pjesë e Tiranës.

Si e ke parë Tiranën ndaj Teutës dhe si e ke vlerësuar në përgjithësi ekipin bardheblu nëse e ke ndjekur këto 24 javë kampionat?

Të them të vërtetën, ekipin e kam ndjekur shpesh herë. Kjo si trajner, si ish-sportist dhe sportdashës, por ajo që më bëri përshtypje ishte fakti se mendimet e mia nuk ishin të njëjtat me realitetin. Prisja më shumë rënie psikologjike sesa fizike. E kundërta ishte e vërtetë. Kishte rënie fizike sesa psikologjike. Nga gjendja psikologjike ishin shumë mirë, gjë që u reflektua edhe në sfidën me Teutën. Djemtë kishin dëshirë ta fitonin takimin. Zhvilluan lojë të mirë, nuk pësuan gol. Pothuajse gjithçka shumë mirë. Nga 90-minutëshi i Durrësit mora sinjale pozitive nga ajo që unë kërkoj.

Ju merrni drejtimin e Tiranës. Të gjithë mendojnë se kjo është një aventurë e rrezikshme. Ndani këtë mendim?

Unë jam rritur me frymën e kampionit apo të fitores. Kam luajtur me këtë ekip. Dua apo nuk dua unë, edhe sikur Tirana të ishte e para, sërish do të kërkonim fitoret. E kam dëgjuar shpesh këtë fjali që është “aventurë e rrezikshme”, “aventurë e rrezikshme”. Për mendimin tim nuk ka aventurë të rrezikshme. Çdo gjë është e mundur nëse ti punon mirë dhe nuk i lë asgjë mangët asaj që ke për të bërë. Nëse t’i e bën më pas punën mirë duke mos i lënë asgjë mangët dhe nuk arrin objektivat, me veten nuk të mbetet asgjë pishman. Kjo është e gjitha, por siç e kam thënë edhe më parë unë kam besim. Dhe këtë e bazoj te fakti se ekipi ka lojtarë shumë cilësorë.

Ju thatë që lojtarët janë cilësorë, po në numër janë të mjaftueshëm për të arritur titullin kampion?

Në këtë moment që flasim dihet sesa është numri i lojtarëve. Në skuadër janë 13- 14 futbollistë me eksperiencë dhe pjesa tjetër janë lojtarë të rinj dhe të talentuar. Te këta djem kam besim se do të bëjnë më të mirën për të ndihmuar pjesën tjetër me eksperiencë dhe për t’u rritur vetë. Unë personalisht kam luajtur që 17 vjeç. Ndonjëherë lojtarët e rinj mund t’i fitosh në moment që ti nuk e mendon. Mund ta aktivizosh dhe ai mund të japë më të mirën e vet, me ndihmën e lojtarëve me eksperiencë. Mendimi im është që nuk kam vetëm 14 futbollistë. Nuk bëj ndarjen e eksperiencës dhe të rinjve. Përderisa janë aty, bëjnë pjesë në organikë. Shpresoj që djemtë të ndihmojnë grupin.

Ju keni qenë edhe zëvendëstrajner i ekipit. Duke krahasuar ekipin e mëparshëm me atë të tanishëm, cila është skuadra më e mirë?

Skuadrat nuk mund t’i krahasosh dhe të thuash që ajo e para disa viteve ishte më e mirë se kjo skuadër. Lojtarët janë të ndryshëm, me karaktere e personalitete të ndryshme. Përsa i përket kualitetit mendoj se janë të barabarta me ekipin që dolëm kampion.

Nga e mërkura jeni të pestët. Ky është presion për skuadrën apo motiv dhe uri për skuadrën që të arrijë objektivin “Final 4”?

Vetë formula e kampionatit që katër vendet e para kualifikohen për luftën e titullit për ne nuk është presion. Ne synojmë katër vendet e para dhe më pas titullin. Nuk është se jemi në vendin e pestë dhe rrezikohemi. Kampionati nuk ka përfunduar. Gara është akoma e gjatë dhe ka plot ndeshje. Ne do t’i marrim sfidat një nga një. Për ne çdo kundërshtar është një “mal” për t’u ngjitur. Nuk ka mbaruar asgjë. Presion besoj se nuk ka. Lojtarët janë të vetëdijshëm që çdo ndeshje duhet dhe do të japin maksimumin për të marrë rezultatet që duam.

Pas Teutës në Kupë, sfida e radhës është Laçi. Një kundërshtar i bezdisshëm?

Sigurisht, është ndeshje e vështirë. Ndeshje të lehta nuk ka. Do të jetë sfida ime e parë në kampionat. Koha që kam në dispozicion është e shkurtër. Unë nuk është se do të bëj mrekulli apo nuk kam “shkopin magjik”. Duke pasur parasysh disa mungesa si Përgjoni e Deliu, disa gjëra të vogla mund t’i ndryshojmë. Do të shihni disa ndryshime.

Ju morët drejtimin e skuadrës pa një ditë stërvitje. Përse zgjodhe të uleshe në stol në sfidën e Kupës?

Vendimi ishte i klubit. Vendimi im nuk ishte. Ishte vendim i klubit dhe e respektova.

Shumë vetë e kanë kritikuar Tiranën për gjendjen fizike. Mendoni se skuadra është poshtë fizikisht?

E pashë takimin me Teutën dhe momentalisht nuk mund të them që skuadra ishte në gjendje të mjerueshme fizike. Mund të them që skuadra ka lodhje, kjo për shkak të dëmtimeve, mungesa e rotacionit. Mendoj se skuadra nuk është stërvitur keq dhe ka anë të keqe fizike. Ka lodhje fizike për shkak të kalendarit.

Pas Teutës do të luani me skuadrat më të forta dhe ju nuk keni kohën e mjaftueshme. Ju tremb ky fakt?

Nuk jam dhe nuk kam përse të jem i trembur. Ne do të marrim me radhë çdo kundërshtar. Do të luajmë me të gjithë. Kam shumë besim te grupi, te lojtarët që janë në skuadër që do të japin më të mirën në çdo ndeshje. Do të kalojmë Laçin. Do të luajmë me Vllazninë. Rutina vazhdon. Vend për frikë apo panik nuk mund të ketë. Çdo veprim do ta bëjmë hap pas hapi.

Cilët janë kundërshtarët e Tiranës për “Final 4” dhe për titullin kampion?

Duhet të jemi realistë. Kundërshtarë kemi ata që janë përpara nesh, Dinamo, Vllaznia dhe dy skuadrat pas nesh. Këta janë kundërshtarët tanë për në katërshe. Kjo është ide teorike, pasi çdo gjë do të vërtetohet javë pas jave në varësi të pikëve që do të marrim ne dhe kundërshtarët. Këto janë pesë skuadrat që do të luftojnë për dy vende në katërshe, pasi Partizani e Egnatia janë shkëputur disi.

 

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"