EKSKLUZIVE/ “Pazar” në elitë, AF Elbasani gati akordin me futbollistin e Skënderbeut (FOTO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2022 | 14:34

EKSKLUZIVE/ “Pazar” në elitë, AF Elbasani gati akordin me futbollistin e Skënderbeut (FOTO)

Akademia e Futbollit Elbasani nuk bën shaka. Pasi u ngjit në Kategorinë e Dytë, të njëjtin mision do të ketë edhe për sezonin 2022-2023. Edhe pse gara do të jetë e vështirë, ata janë duke i marrë që tani masat.

SHKELZEN RUCI

Synohet afrimi i lojtarëve cilësorë dhe të mos e vënë në diskutim kalimin në Kategorinë e Parë. Për të arritur këtë objektiv, “pazar” do të bëjnë edhe në elitë.

Emri i parë që ka dalë në skenë është ai i Shkëlzen Ruçit, portierit të Skënderbeut.

Me mbylljen e kampionatit dhe rënien e korçarëve, palët do të ndahen midis tyre dhe nga kjo do të përfitojnë verdheblutë.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se gjatë këtyre ditëve ka pasur një takim midis administratorit Mareglen Çoku dhe vetë gardianit elbasanas, të cilët kanë diskutuar për një afrim të tij në skuadër.

Gazeta siguron edhe një foto midis të dyve, të cilët po drekojnë dhe nga ku mësohet se parimisht kanë rënë dakord për të pasur një bashkëpunim.

ruci 1

Eksperienca e 29- vjeçarit shihet si vendimtare në kampin verdheblu dhe me një siguri në prapavijë mund të vijojnë më të qetë punën në merkato për të afruar të tjerë lojtarë.

Portieri ka luajtur me disa skuadra të futbollit shqiptar, madje edhe duke provuar një aventurë jashtë në Kosovë.

MERKATO – Ruçi nuk është emri i vetëm që pritet t’u bashkohet elbasanasve, teksa burime të gazetës pohojnë se drejtuesit kanë pasur kontakte me të tjerë lojtarë, të cilët më herët kanë qenë pjesë e Kategorisë së Parë.

Burimet janë të rezervuara për të treguar emra, për shkak se janë në proces negociatash dhe ende nuk kanë shkuar te dakordësia përfundimtare, por theksohet se bëhet fjalë për futbollistë që bëjnë diferencën në këtë kategori.

Pritet që afrimet të mos lihen për në javët e fundit para nisjes së merkatos, por kur skuadra të rikthehet në fushë pas pushimeve verore, ata të bashkohen menjëherë me grupin dhe të nisin përgatitjet nën drejtimin e Gentian Stojkut.

Nga ana tjetër, një pjesë e mirë e futbollistëve që luajtën me ekipin në Kategorinë e Tretë do të vijojnë të jenë me skuadrën, pasi bëhet fjalë për lojtarë që bëjnë diferencën edhe në Kategori të Dytë.

Ata që për shkak të afrimeve nuk do të kenë shumë mundësi për t’u aktivizuar, do të lihen të lirë për të vijuar karrierën me ekipe të tjera.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"