EKSKLUZIVE/ “Partizani nuk bind, luhatje të pafalshme”, ish-kapiteni Pano analizon situatën: Moment delikat, Mensah s’duhet të jetë aty (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2024 | 21:20

EKSKLUZIVE/ “Partizani nuk bind, luhatje të pafalshme”, ish-kapiteni Pano analizon situatën: Moment delikat, Mensah s’duhet të jetë aty (E PLOTË)

Partizani e humbi vrullin e derbit dhe u ndal ndaj Skënderbeut në një ndeshje mjaft të zjarrtë dhe të luftuar.

Ledio Pano, ish-kapiten i Partizanit

Ledio Pano, ish-kapiten i Partizanit

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Ledio Pano, ish-mesfushori i Partizanit dhe një nga figurat më të shquara pranë ambientit të kuq, i bën një skaner ecurisë së Partizanit dhe situatës aktuale të Kategorisë Superiore. Ai është direkt dhe nuk i kursen kritikat.

Si ju duket Superiorja në momentin aktual, mund të na bëni një rezyme të përgjithshme sipas asaj që shihni ju?

Janë shumë skuadra që luajnë për tre vendet. Janë Laçi, Skënderbeu, Dinamo, Tirana, Partizani dhe Vllaznia janë në garë për të plotësuar katërshen përfundimtare. Janë zhvilluar ndeshje të forta dhe të mira, por që cilësia nuk është aty ku duhet të jetë. Ekipet e kanë mendjen te katërshja dhe shoh një tolerim edhe në vendosje të Egnatias. Jo se duan, por me ndryshimet që janë bërë, nuk është Egnatia e fillimit të kampionatit, por me të drejtë, sepse në këtë pikë që jemi dhe me pikavarazhin që është përpara, sigurisht që do të ruajë edhe forcat për t’i pasur të gjithë futbollistët në fazën finale. Shoh një rritje të lojës te Vllaznia, një ndryshim total nga ekipi i mëparshëm.

Jo më kot ka bërë këtë rrugëtim të mirë dhe pozitiv me fitore të njëpasnjëshme. Mbas shumë kohësh Vllazninë e shohim në vend të dytë. Sigurisht, nuk më vjen mirë për Partizanin. Pavarësisht se ka mungesa, organikën e ka dhe mënyra sesi po luan Partizani nuk më pëlqen. Tirana pas largimit të Hasanit dhe të tjerëve në janar, ka pësuar një rënie, por mendoj se e ka potencialin. Ka lojtarë me emër, që e njohin kampionatin dhe besoj se do të bëjë maksimumin për katërshen.

Ndalemi te Partizani. U duk sikur pas fitores së derbit do të niste një seri rezultatesh, por ngeci sërish. Çfarë tregon kjo?

Edhe derbi ndaj Tiranës, pavarësisht se u fitua, kishte shumë mangësi për mendimin tim. Këto po reflektohen në çdo ndeshje. Gabimet individuale sigurisht që dënojnë ekipin. Nuk dua të merrem me penalltinë, sepse është një moment që ndodh. Gjithsesi, ai futbollist (Sembene) duhet të tregohet më profesionist dhe duhet të dijë vendosjen e duarve, për të mos pasur të tilla episode. Ajo që mua më shqetëson është reparti i mesfushës dhe sulmit. Po marr ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut, për të mos folur për një fazë të tërë ndeshjesh me oshilacione, ku nuk fitoi.

Ndeshja e fundit ishte me dy tablo. Pjesa e parë ishte e dobët dhe në të dytën e rriti ndjeshëm lojën, por pa cilësi në sulm. Sigurisht që mungesat bëjnë punën e vet, por Partizanit nuk i falet që me kontingjentin që ka që të bëjë këto luhatje nga pjesa në pjesë.

Unë pres shumë, sepse e ka potencialin. Është në një moment delikat tani, sepse Vllaznia i kaloi përpara dhe ekipet e tjera e ndjekin. Nuk do ta ketë të lehtë. Luhatjet dhe mungesat janë të njëpasnjëshme dhe kjo nuk më pëlqen. Edhe mënyra sesi Partizani kërkon të zgjidhë situatat më lë shumë për të dëshiruar.

Sa herë mungojnë Cara dhe Maget, skuadra nuk fiton. Mendoni se është rastësi, apo këto dy lojtarë kanë ndikim direkt në lojë?

Ekipet me emër sigurisht që kanë lojtarë më cilësorë se ekipet e tjera. Padiskutim që mungesa e dy futbollistëve është një minus për ekipin, por kjo nuk justifikon atë pjesë të parë shumë të dobët të Partizanit. Edhe pse në pjesën e dytë ndaj Skënderbeut e rriti lojën, e ndryshoi modulin e lojës, por ato ndërrimet e lojtarëve, kalimi i Hadrojt në të majtë dhe Buxhelajt në të djathtë, janë gjëra që mua nuk më pëlqejnë. Tregon njëfarë mungese stabiliteti në lojën e Partizanit dhe jo një gjendje stabël të ekipit.

Partizani ka ndërruar tre trajnerë, dy prej të cilëve janë ndër më të mirët në vendet e tyre, por ende çalon. Përse nuk po “ndez” ekipi?

Ndërrimi i kaq shumë trajnerëve është diçka që ndodh pas shumë kohësh. Unë nuk dua të flas për Gesin, sepse e njohin të gjithë. Koha e tij është e shkurtër te Partizani. Duhet t’ia lëmë kohës punën e Gesit. Ai e ka treguar edhe në ekipet e mëparshme se është një nga trajnerët më të mirë aktualisht në Shqipëri. Unë e kam te lojtarët, te mënyra sesi ata duan t’i zgjidhin situatat. Sado trajneri të mundohet të japë atë mentalitetin e vet, janë lojtarët, që duhet ta zbatojnë në fushë. Shoh lojtarë, që janë jashtë formës. Nga Rrapaj pritet shumë.

Nuk më ka pëlqyer në ndeshjet e fundit. Pres shumë më tepër, sepse cilësitë i ka. Po ashtu Skuka, edhe pse është jashtë forme, është lojtar cilësor. Mba për mua është jashtë çdo mundësie për të luajtur. Bintsuka ka më shumë se një muaj që nuk luan, por ndaj Skënderbeut la për të dëshiruar për mendimin tim. Pastaj Mensah, për mua nuk duhet të ishte fare te Partizani, sepse nuk e meriton. Edhe disa të tjerë për mendimin tim nuk duhet të jenë aty.

Sa presion mendoni se i jep fakti që zbritën në vendin e tretë dhe u duhet vendi i dytë për të marrë avantazhet e “Final 4”?

Presioni është gjatë gjithë kampionatit, por tani mendoj se shtohet disi, sepse ekipet që janë mbrapa janë me potencial dhe me emër. Tirana, Dinamo apo Laçi janë ekipe që duan të shkojnë në katërshe. Lufta do të jetë e ashpër. Do të duhej që Partizani të ishte shumë më lart për ta pasur fazën e katërt më të lehtë për të rikuperuar dhe për të menaxhuar gjendjen e lojtarëve, por ja që e kanë sjellë vetë veten në këtë moment dhe duhet të bëjnë një sforco për të qenë në katërshe.

Së fundmi janë dëmtuar dy sulmues si Skuka dhe Mensah, por nuk janë të vetmit. Nga mendoni se vijnë këto lëndime të shpeshta?

Unë nuk mund të them me siguri se nga vijnë. E para dhe më kryesorja është nga stërvitja jo e mirë. Besoj se të tilla dëmtime janë nga stërvitja jo e mirë. Pastaj kjo pjesa e fushës besoj se është justifikim, edhe pse në një përqindje mund të themi se fusha sintetike e Partizanit ka një ndikim të vogël. Por nuk besoj se është kaq i madh, duke parë mungesat e shumta që ka pasur Partizani që nga fillimi. Mensah nuk ka qenë lojtar titullar dhe vazhdimisht ka qenë i dëmtuar. Dëmtimi sjell dëmtimin, duke mos u stërvitur në maksimum dhe duke hyrë në lojë jo 100% i rikuperuar. Besoj se janë gjëra që duhen parë nga stafi, mjekët, nga të gjithë aty.

Cili është lojtari që i ka tejkaluar pritshmëritë tuaja te Partizani?

E kam thënë se Maget është një nga pikat kryesore të Partizanit. E ka rritur shumë cilësinë e lojës së Partizanit dhe të vetën si lojtar. Nga Sota deri diku jam i kënaqur, pres më shumë nga të tjerë si Hadroj, Rrapaj apo Cara. Të mos flasim për Mba apo ndonjë lojtar tjetër, sepse për mendimin tim duhet të ishin në nivel tjetër.

Cila mendoni se është skuadra më e rrezikshme për Partizanin në “Final 4”?

Në një ndeshje mund të ndodhë gjithçka. Shohim Egnatian që është në vend të parë, por humbi me shumë gola ndaj Tiranës. Janë ndeshje momentale, ku fanella dhe pesha e futbollistëve të ekipeve do të luajnë rolin e vet. Kështu që do të presim dhe do të shohim.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"