EKSKLUZIVE / Partizani nis spastrimet, ikën braziliani që erdhi me bujë
Vetëm 45 minuta në fushën e lojës. Vetëm kaq ka zgjatur eksperienca e një nga blerjeve më të bujshme të Partizanit në merkaton e janarit, Fernando Augusto Rodrigues de Arauho “Fernandinjo”. Mbrojtësi brazilian erdhi me shumë bujë në radhët e të kuqve, por ka zgjatur më pak se dy muaj në klubin kryeqytetas.
“PANORAMA SPORT” ka mësuar se futbollist ka ndërprerë marrëveshjen me klubin kryeqytetas, për t’u larguar përsëri drejt vendlindjes.
Ai kishte ardhur për të qenë titullar fiks në prapavijën e Partizanit, por nuk ka gjetur hapësira përveçse një pjese loje në ndeshjen ndaj Laçit, të humbur me shifrat 1-0 nga skuadra kryeqytetase. Që atëherë, ai kishte regjistruar praninë vetëm në pankinë, pa mundur të japë kontributin në fushë. Kështu, palët kanë gjetur akordin dhe Fernandinjo i ka dhënë lamtumirën të kuqve, duke u regjistruar si një tjetër dështim i bujshëm i klubit në merkato në këtë sezon.
PANORAMASPORT.AL
