EKSKLUZIVE/ “Partizani i fortë, Vllaznia do të befasojë”, Bushi “pa doreza”: Ivani luan futbollin më të bukur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2024 | 22:29

EKSKLUZIVE/ “Partizani i fortë, Vllaznia do të befasojë”, Bushi “pa doreza”: Ivani luan futbollin më të bukur

Alban Bushi ka qenë pjesë e Tiranës, Flamurtarit, por edhe Dinamos. Si lojtar në Superiore dhe nuk mund të rrijë pa dhënë një mendim për kampionatin e këtij sezoni.

bushi

Trajneri i Shpresave flet për shanset që kanë ekipet për titullin kampion. Ai tregon se cilën skuadër sheh si atë që mund të bëjë surprizën në fund të këtij kampionati, që do të ndahet me fazën “Final 4”, e cila ishte edhe risia e këtij sezoni.

Një koment edhe për Superioren, ka një luftë Dinamo-Tirana dhe deri diku Skënderbeu për vendin e katërt. Ndërkohë, nisur edhe nga ajo që kanë shfaqur javët e fundit, pjesa sipër i kanë pozitat më të konsoliduara apo jo?

Egnatia është një ekip që ka investuar. Jo te të rinjtë, pasi nuk është i organizuar si këto të tjerat, por një ekip i bërë shpejt që ka investuar në merkato dhe e meriton vendin që është. Luan bukur. Tirana me ato problemet e veta, merkato e bllokuar. Partizani ka potencial shumë, edhe stolin kur e sheh e ka plot. E mendoj të fortë Partizanin, sepse e ka shumë të pasur organikën sesa ekipet e tjera dhe varet sesi do të menaxhohet nga brenda.

Po Vllaznia, si ju duket?

Më pëlqen trajneri i Vllaznisë. Erdhi kokëulur, nuk kishin shumë besim, por po bëjnë shumë mirë hap pas hapi. Mund të jetë edhe Vllaznia ajo që do të bëjë surprizën. Tani nuk është surprizë që të marrë titullin kampion Vllaznia, por mendoj se është me më këmbë në tokë.

Po i bën hapat ngadalë, klubet e tjera nuk e kanë, njëherë lart e njëherë poshtë. E shoh interesante, bashkë me Partizanin dhe Egnatian, ndërsa Tirana dhe Dinamo kanë ulje-ngritje. Skënderbeu më pëlqen sesi luan. I kam parë të gjitha ndeshjet dhe është nga ekipet që luan më bukur futboll. Janë një ekip i bukur, simpatik, krijojnë shumë raste, të rregullt.

Mos ndoshta koha e nevojshme që trajneri Gvozdenoviç ka marrë në Korçë, i ka sjellë këto rezultate?

Është e vërtetë. Trajneri do kohë, futbolli do kohë për të bërë një ekip. Nuk duhet të ndërrohen shpesh. Këtu të marrin shpejt dhe të heqin shpejt. Ulesh në tavolinë në kafe dhe je trajner, ndërsa pas një jave nuk je. Ka edhe disa presidentë që nuk bëjnë ndërrime të trajnerëve shpesh, sepse kanë atë eksperiencën. Takaj është një prej tyre dhe e sheh futbollin ndryshe.

bushi sejatllari

Një trajneri duhet t’i ofrosh shumë gjëra që të ketë rezultate. Në futboll nuk ka gjëra të shpejta. Këtu në Shqipëri i duam gjërat shpejt, sot për nesër, jo vetëm në futboll. Po të shohim federatën, që në 2002 kur erdhi Duka president, janë 22 vite dhe tani mund të themi se Shqipëria është bërë faktor në Europë. Janë investime të kohës së gjatë.

Kemi disa ish-lojtarë të njohur që tashmë drejtojnë në Superiore, a është kjo diçka pozitive?

Po, e vërtetë. Sepse edhe i njohim dhe janë moshatarët e mi. Bukur kur i sheh. Kemi edhe duele mes dy ish-futbollistëve. Pashë këtë javë që shkoi, Kukësin kundër Erzenin, Devollin andej, Bejzaden këtej, diçka interesante dhe e bukur për t’u parë.

Vioresin Sinani, apo Daniel Xhafaj?

Këtu… Sinani bënte gola, por Danieli më pëlqente se ishte i bukur kur vraponte dhe e merrte topin. Them Danieli.

Bekim Balaj, apo Hamdi Salihi?

Salihi bënte golin, Balaj më trupmadh. Do të them Salihi sepse më pëlqente te zona sesi e kërkonte golin.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"