EKSKLUZIVE/ “Partizani është shumë i fortë”, mesfushori i Dinamos: Pikët janë “ilaç”, tregojmë veten në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2023 | 8:52

EKSKLUZIVE/ “Partizani është shumë i fortë”, mesfushori i Dinamos: Pikët janë “ilaç”, tregojmë veten në derbi

Me fitoren e arritur të enjten ndaj Erzenit, edhe pse me shumë vuajtje, Dinamo ngjiti shumë ‘kate’ në tabelë, duke iu larguar fundit që mbante prej një kohe të gjatë. Blutë, me Mehmetin në stol, duken tashmë një skuadër më pragmatiste. Është shumë shpejt për të dalë në konkluzione, por kryeqytetasit, me rezultatet e fundit, kanë hyrë në rrugën e objektivave që kishin në fillim të sezonit.

dinamo

Derbi me Partizanin është prova e radhës dhe vjen shumë shpejt, pasi luhet ditën e hënë në 17:00 në stadiumin “Arena e Demave”. Në kampin dinamovit shpresojnë shumë që të ecin në vazhdën e rezultateve pozitive. Fatjon Andoni, një nga blerjet më të rëndësishme të Dinamos në verë dhe një nga lojtarët me më shumë eksperiencë në skuadër, pohon për “Panorama Sport” se në këtë moment janë të rëndësishme pikët. Mesfushori që ka luajtur pak deri tani për shkak të një dëmtimi që zgjati më shumë nga sa ishte parashikuar, shpreh bindjen se duke fituar Dinamo do të forcojë psikologjinë dhe do të shkojë te loja e mirë.

“Ishte një fitore me shumë vlera ajo ndaj Erzenit. Në këtë moment pikët janë ‘ilaç’ për Dinamon dhe duhet t’u gëzohemi atyre. Ishte e vështirë me Erzenin, sepse disa gjëra nuk na shkuan ashtu si duhet, sidomos në pjesën e parë. Pastaj ndryshuam dhe fituam, kjo ka shumë rëndësi në këtë moment, na rrit shumë në anën psikologjike. Kundërshtari ishte një ekip pa stres në fushë dhe na vuri pak në vështirësi, por arritëm të fitonim dhe tashmë ajo ndeshje ka kaluar. Ne vetëm duhet të shohim përpara për ngritjen tonë. Loja e mirë do të vijë, siç e thashë me forcimin e psikologjisë së ekipit”, shprehet futbollisti 32-vjeçar.

NDRYSHIMET – Në mënyrë të përmbledhur Andoni jep shpjegimin e tij se çfarë ka ndryshuar me ndryshimin e stafit teknik: “Ajo që mund të them është se tani Dinamo është një skuadër më e mbledhur. E kemi treguar me rezultatet pozitive në katër ndeshjet e fundit. Kur ndryshon trajneri edhe lojtari ndryshon. Më parë kemi bërë disa lojëra të mira, por na kanë munguar pikët, që siç e thashë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në skuadër. Në disa ndeshje madje i kemi pasur pikët në duar dhe na kanë ikur. Një fitore të rrit shumë në renditje dhe në psikologji, një humbje të rrëzon. Por kur nuk arrin të fitosh, të paktën nuk duhet të humbësh, ka një ndryshim të madh. Tani shoh që skuadra është më solide dhe ka një frymë më pozitive brenda grupit”.

DETAJET – Duke i parë ndeshjet nga jashtë, mesfushori që ka luajtur gjithë karrierën e tij në Greqi, shprehet se në kampionatin shqiptar ka diferenca të vogla dhe se dallimi bëhet nga detajet. “Ndeshjet janë të ndryshme, nuk i ngjajnë njëra-tjetrës. Mendoj se në këtë kampionat vendosin gjëra të vogla, që kur bëhen të gjitha bashkë kanë rëndësi të madhe. Ka diferenca të vogla mes skuadrave, siç e tregon dhe renditja aktuale. Dinamo është skuadër e re dhe duke korrigjuar ato detajet që përmenda, mund të ngjitet më lart”, thotë Andoni.

DERBI – Ndaj Partizanit të hënën 32-vjeçari do të luajë derbin e parë të sezonit, pasi në 3 të parët ka munguar. Ai vlerëson kundërshtarin, por beson për një tjetër rezultat pozitiv: “Të shohim të hënën çfarë do të ndodhë. Derbi ose jo derbi, ndeshjet janë të gjitha të vështira, çdo kundërshtar nuk mund të kalohet me lehtësi. Prandaj dhe futbolli është sporti më i bukur në botë, sepse është i paparashikueshëm. Partizani është skuadër e fortë, patjetër, por ne do të bëjmë ndeshjen tonë. Mund të jetë një ndeshje tjetër nga ajo me Erzenin në aspektin e lojës. Vetë derbi ka tjetër motivim e impenjim, ia lëmë fushës gjithçka”.

MERKATO – Në fund edhe një mendim për përforcimin e mundshëm të skuadrës në janar: “Këto janë punë të drejtuesve, nuk më takojnë mua. Ajo që di të them se Dinamo, edhe me këtë grup futbollistësh që ka tani në skuadër, mund ta arrijë 4- shen e parë në fund të kampionatit. E theksova që në fillim, që duke marrë pikët, skuadra fiton psikologji dhe gradualisht ngre nivelin e lojës”.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"