EKSKLUZIVE/ Olsi Rama “shkund” Partizanin para Egnatias. Zbardhet mbledhja e drejtorit të kuq…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2024 | 22:26

EKSKLUZIVE/ Olsi Rama “shkund” Partizanin para Egnatias. Zbardhet mbledhja e drejtorit të kuq…

Partizani zhvilloi dje pasdite stërvitjen e radhës në shërbim të supersfidës së të dielës kundër Egnatias, shumë e rëndësishme në garën për vendin e dytë.

Moment nga mbledhja e djeshme mes ekipit, stafit dhe drejtorit Olsi Rama

Moment nga mbledhja e djeshme mes ekipit, stafit dhe drejtorit Olsi Rama

Lojtarët zbarkuan në fushë rreth orës 17:40, 20 minuta para orarit të vendosur për nisjen e stërvitjes. Të rinjtë si Birçaj dhe Kote ishin të parët që zbarkuan dhe më pas dolën të gjithë me radhë. Bashkë me ta në fushë ndodhej edhe Shehi, i cili i la të lirë për disa minuta. Lojtarët u ndanë në disa grupe dhe kryesisht zhvilluan lojëra, ku testonin njëri-tjetrin me kontrollin e topit apo mbajtjen sa më gjatë pa prekur tokën. Rutinë tjetër për Atanaskoskin dhe Mikuliç, të cilët janë të vetmit që bëjnë nxehje individuale para startit të seancës.

CARA “BLLOK” RAMËS – Gjatë kësaj kohe, pranë vetes e mbante edhe Shehi një top dhe nuk i kursente xhonglimet, që ashtu si penalltitë, i ka pikë të fortë. Pak minuta para startit të stërvitjes në fushë u shfaq edhe drejtori i përgjithshëm i klubit, Olsi Rama. Ky i fundit fillimisht preferoi të përfshihej sadopak në atë që po bënin lojtarët dhe këmbeu disa pasime me Carën. Në një moment ky i fundit e bllokon kur Rama po tentonte një pasim. Pas kësaj, filluan edhe batutat, me drejtorin që i kërkonte llogari sulmuesit përse ia bëri këpucët pis dhe desh e dëmtoi. Tedi e shoqëroi me një të qeshur dhe u mundua të justifikohej. Më pas drejtori preferoi të mos pasonte më por të provonte disa xhonglime, ku nuk u duk në formën e tij maksimale. Pasi konsumon edhe një bisedë të shkurtër me Carën dhe Muratajn me batutën më së shumti si përbërje, merr qëndrim tjetër.

MBLEDHJE ME EKIPIN – Me sinjalizimin e trajnerit të gjithë lënë angazhimet e tyre në fushë dhe afrohen në formë rrethi në qendër. Ndoshta ekipi nuk e priste, por drejtori Olsi Rama qëndroi mes stafit teknik dhe organizoi një mbledhje që zgjati 9 minuta. Duket kohë e shkurtër, por doli e teproi për t’i bërë të qartë ekipit se përpara janë 6 ndeshje vendimtare dhe nuk lejohet asnjë gabim. I pari që merr fjalën është Shehi, i cili flet rreth 1 minutë, duke i kërkuar skuadrës më shumë impenjim dhe iu drejtuar me këshillat në lidhje me gabimet që janë bërë deri më tani. Më pas fjalën e merr drejtori Rama, i cili me qetësinë e tij i qartëson skuadrës situatën, kërkesat, çfarë nuk është bërë mirë dhe faktin që në vijim gabimet janë të ndaluara për një skuadër si Partizani. Sipas drejtorit, për Partizanin në fillim objektivi minimal ka qenë vendi i dytë dhe ky mision duhet përmbushur me patjetër. Pritshmëritë e tij ishin në qarta. Në mbledhje me vonesë u bashkuan portierët, por ajo që ra më së shumti në sy ishte fakti se në momentin që kapiteni Hoxha u drejtua te pjesa tjetër e grupit, atëherë u çuan edhe Qirko dhe Tahri për të marrë pjesë. Pas mbledhjes, drejtori ngjitet në tribunë dhe ndjek stërvitjen nga lart.

GARË DHE “DAJAK” – Përgatitësi atletik, Vullnet Manushi, preferoi që nxehjen e djeshme ta bënte thuajse të gjithën me topin në këmbë, me lojtarët, që ndihen më mirë me këtë mënyrë. Pas kësaj pjese të parë të seancës, Shehi e ndau skuadrën në tri grupe dhe misioni ishte që me duar të lidhura së bashku në formë qarku, ta mbanin topin në ajër duke ecur pa u ndarë për rreth 20 metra dhe më pas ta fusnin në një nga 3 koshat në vijat anësore të fushës. Kjo pjesë e stërvitjes ishte më e elektrizuara dhe lojtarët shfaqnin më shumë grintë. Në fund të kësaj loje, skuadra humbëse u desh të kalonte në tunelin e shuplakave, që u dëgjuan deri në tribunë. Më pas Shehi urdhëroi afrimin e dy portave dhe nisi lojërat në funksion të skemave për Egnatian. Kur stafi po merrte njërën nga portat, ra në sy veprimi i Bytyçit, i cili i pa në vështirësi dhe nxitoi t’i ndihmonte ta transportonin.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"