EKSKLUZIVE/ Ofertë nga Austria, Pëllumbi bën me krahë Skënderbeun. Ja sa pritet të përfitojë klubi korçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2020 | 0:01

EKSKLUZIVE/ Ofertë nga Austria, Pëllumbi bën me krahë Skënderbeun. Ja sa pritet të përfitojë klubi korçar

Jorgo Pëllumbi duket se e ka mbyllur me Skënderbeun dhe tashmë është momenti që mbrojtësi i talentuar të provojë një aventurë jashtë Shqipërisë. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht nga burime të sigurta pranë klubit korçar, se 20- vjeçari pritet të transferohet në Austri, pikërisht te skuadra e Shturm Gracit, ku luan sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Bekim Balaj.
jorgo pellumbi
Prej kohësh, i promovuar nga klubi korçar si një prej lojtarëve që mund të sillte të ardhura, Pëllumbi ka qenë në vëzhgimin e disa skuadrave të huaja në merkatot e viteve të fundit. Megjithatë, në pikën kulmore të tratativave, gjithçka ka ngrirë për mospëlqim të ofertave nga Skënderbeu që zotëron kartonin e mbrojtësit të majtë. Por, pas dy sezoneve ku Pëllumbi ka marrë minuta dhe është aktivizuar titullar me fanellën bardhekuqe, Shturm Grac është klubi që ka avancuar në bisedime me drejtuesit e klubit bardhekuq. Kontaktet janë të vazhdueshme prej muajsh, ndërsa pritet që të finalizohen me mbylljen e këtij sezoni.

Pellumbi-Gripshi-Pollozhani

Nga sa bëjnë me dije burime pranë Skënderbeut, klubi austriak ka muaj që e ndjek nga afër lojtarin, madje në ndeshjet e fundit ka pasur edhe skautë të Shturmit në tribunën e stadiumit të Korçës. Dukshëm që menaxherët austriakë janë bindur nga cilësitë e mbrojtësit të Skënderbeut, për vetë faktin se Pëllumbi mund të luajë si në krahun e majtë të repartit, ashtu edhe në qendër.

pellumbi-sot

KËRKESAT – Nga të njëjtat burime, mësohet se Skënderbeu është i hapur për të finalizuar në kohë të shpejtë këtë tratativë, me qëllim që të arkëtojë një shumë që do të kënaqte klubin në këtë situatë të vështirë financiare. Drejtuesit e klubit korçar janë të vendosur në kërkesat e tyre dhe për të lënë të lirë lojtarin kërkojnë jo më pak se 300 mijë euro. Tani pritet të shihet se si do të mbyllet kjo negociatë që duket se është në momentet finale. Më herët në ndjekje të Pëllumbit kanë qenë edhe klube të tjera europiane, ndërsa interes ka shfaqur edhe Tirana. Gjithsesi, lojtari duket i destinuar drejt Austrisë.

LLAZI SARO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"